Zemërbutësia

   “Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën (Matheu 5:5). Zemërbutësia është një zotërim thelbësor i personit shpirtëror.Vetë Jisui ishte zemërbutë. Çdo gjë më është dhënë në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t’ia zbulojë. Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë (Matheu 11:27-30).

    Apostujt e Krishtit mësuan zemërbutësi. Shën Pavli e përmend atë në të gjitha shkrimet e tij dhe Shën Jakovi ngulmon për këtë. Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të bukur veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë. Por në qoftë se në zemrën tuaj keni smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës. Kjo nuk është dituri që zbret nga lart, por është tokësore, shtazore, djallëzore. Sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqia, Kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira . . . (Jakovi 3:13-17).

    Të jesh zemërbutë do të thotë të jesh i mirë dhe i butë, të jesh i zbrazët nga egoizmi dhe ambiciet tokësore. Do të thotë, me një fjalë, mos të kthesh kurrë të keqen me të keqe, por, gjithmonë në çdo gjë ta mundësh të keqen me të mirë (Kr. Romanët 12:14-21). Zemërbutësi do të thotë të mos besosh dhe të largosh çdo mendim dhe veprim për detyrim dhe dhunë të jashtme, që në çdo rast nuk mund të prodhojë kurrë rezultate të frytshme, të vërteta dhe të qëndrueshme. Zemërbutësi do të thotë të kesh bindje të fortë dhe të qetë se e mira është më e fuqishme se e keqja dhe se e mira është përfundimisht, gjithmonë fitimtare.

    Duke iu referuar edhe një herë Shën Joanit të Shkallës: Zemërbutësia është një gjendje e pandryshueshme e mendjes e cila mbetet e njëjta në nderim dhe në përbuzje. Zemërbutësia është shkëmbi që vështron mbi detin e zemërimit, që i thyen të gjitha dallgët që përplasen kundër tij, duke mbetur vetë i palëvizur. Zemërbutësia është mbështetja e durimit, sepse është thënë: “Zoti do t’u mësojë zemërbutëve rrugën e Tij” (Psalmi 24:9). Ajo përgatit faljen e mëkateve; ajo është guxim në lutje dhe një banesë e Shpirtit të Shenjtë. “Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim”, thotë Zoti, “mbi atë që është zemërbutë dhe i qetë dhe dridhet nga fjala ime” (Isaia 66:2). Në zemrat e buta Zoti gjen prehje, por një shpirt i trazuar është vendi i djallit (Shkalla e Ngjitjes Hyjnore, shkalla 24).