Vajtimi i bekuar
“Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen” (Matheu 5:4).
Ky është lumurimi i dytë dhe llogjikisht pason të parin. Nëse një është i varfër në shpirt, i çliruar nga epshet fizike dhe shpirtërore të kësaj bote, ai, detyrimisht do të vajtojë dhe do të qajë për kushtet e njeriut. I varfëri në shpirt e di se sa marrëzi dhe hidhërim është që të kapesh nga mëkati, të viktimizohesh nga fallsiteti dhe e keqja, të martohesh me shkatërrimin dhe vdekjen. Duke i parë realitetet e kësaj bote pa Perëndinë, botën e robëruar nga imagjinatat e saj të kota, botën që e mendon veten të pasur dhe të begatë dhe që s’ka nevojë për asgjë, por, në fakt, “qyqare dhe mjerane, e varfër, e verbër dhe e zhveshur” (Zbulesa 3:17), njeriu i varfër në shpirt mund vetëm të vajtojë. Duke e ditur se çfarë do të thotë të jesh larg Perëndisë dhe çfarë është aktualisht me Perëndinë, ai do të vajtojë dhe do të qajë si profetët mbi Izraelin mëkatar, si Jisui mbi kufomën e Lazarit dhe mbi qytetin e Jerusalemit, (Joani 11:35, Matheu 23:37) si Vetë Jisui në kopshtin, i përballur me kupën e Tij të vuajtjes që ishte kaq pa kuptim dhe mizore.
Vajtimi i bekuar për mëkatin është thelbësor për jetën shpirtërore. Por, në fitoren e Krishtit nuk ka morbiditet ose trishtim. Përkundrazi, ajo është e mbushur me shpresë, me gëzim dhe me dritë. Tani po gëzohem, jo sepse u trishtuat, por sepse u trishtuat për pendim, sepse u trishtuat sipas Perëndisë, që të mos ju bëhet juve ndonjë dëm nga ne. Trishtimi sipas Perëndisë, në fakt, sjell pendim për shpëtim, për të cilin njeriut nuk i vjen keq, por trishtimi i botës shkakton vdekje. Në fakt, ja sa kujdes shkaktoi te ju pikëllimi . . . (2 Korinthianët 7:9-11). Në shkrimet e tij, Shën Joani i Shkallës (shek.7), ndjek mësimin e Shën Pavlit. Ky është mësimi klasik i traditës shpirtërore të krishterë. Qëllimi i vajtimit të bekuar nuk është dëshpërimi ose brejtja e ndërgjegjes, por është pendimi dhe shpëtimi. Është “vajtimi që shkakton gëzim”.
Vajtimi, sipas Perëndisë, është trishtimi i shpirtit dhe prirja e një zemre të pikëlluar, e cila gjithmonë e kërkon marrëzisht atë për të cilën ka etje . . . Vajtimi është një mamuze e artë në një shpirt i cili është i zhveshur nga të gjitha lidhjet dhe pengesat . . . Mbaje fort pikëllim-gëzimin e bekuar të vajtimit të shenjtë dhe mos pusho së punuari në atë derisa të të ngrejë lart mbi gjithçka të kësaj bote dhe të të paraqesë të pastër tek Krishti. Fryti i vajtimit të sëmurë është lavdia e kotë dhe vetë-vlerësimi, por fryti i vajtimit të bekuar është ngushëllimi. Ai që është veshur me vajtimin e bekuar dhe hir-dhënës . . . e njeh qeshjen shpirtërore të shpirtit. Miqtë e mi, Perëndia nuk kërkon dhe as dëshiron që njeriu të vajtojë nga pikëllimi i zemrës, por do që ai nga dashuria për Atë të gëzohet me qeshjen shpirtërore. Kur shikoj natyrën aktuale të keqardhjes, habitem se si ajo që është quajtur vajtim dhe pikëllim përmban gëzim dhe ngazëllim brenda saj, si mjalti në huallin e bletës (Shkalla e Ngjitjes Hyjnore,shkalla 7).
Kështu mos e bëj një pasion ilaç kundër pasionit”, thotë Shën Nili i Sinait, “që të mos e zemërosh . . . Atë që të ka dhuruar këtë bekim (të vajtimit dhe lotëve). Sepse në derdhjen e lotëve për mëkatet e tyre shumë njerëz harrojnë qëllimin e lotëve dhe duke kaluar në eksitim, ata shkojnë në rrugë të gabuar” (Shën Nili i Sinai, shek. 5, Tekstet e Lutjes).