Urdhërat e Shenjtë ose Misteri i Priftërisë

   Urdhërat e Shenjtë ose Misteri i PriftërisëNë Kishën Orthodhokse është bindja që Krishti është i vetmi prift, bari dhe mësues i Kishës së Krishterë. Ai dhe vetëm ai, udhëheq dhe sundon popullin e tij. Ai vetëm fal fajet dhe ofron Kungim me Perëndinë, Atin e tij. Gjithashtu, është bindja orthodhokse që Krishti nuk e ka braktisur popullin e tij, por ai qëndron me Kishën si kreu i vetëm dhe i gjallë i saj. Krishti qëndron i pranishëm dhe aktiv në Kishë, nëpërmjet Shpirtit të tij të Shenjtë. Misteri i Urdhërave të Shenjtë ose siç quhet ndryshe misteri i Priftërisë, është në Kishën Orthodhokse garantuesi objektiv i pranisë së përhershme të Krishtit me popullin e tij. Peshkopët, priftërinjtë dhe dhiakonët e Kishës nuk kanë ndonjë funksion apo shërbim tjetër, përveçse të manifestojnë praninë dhe veprimin e Krishtit tek populli i tij. Në këtë kuptim, kleri nuk vepron në emër të Krishtit ose në vend të Krishtit sikur ai vetë mungon. Ata nuk janë zëvendësuesit dhe as përfaqësuesit e Krishtit.

    Krishti është i pranishëm tani e përherë e në jetë të jetëve në Kishë. Shërbesa misterore e Kishës (peshkopët, priftërinjtë dhe dhiakonët), e merr dhuratën e Shpirtit të Shenjtë, për të manifestuar Krishtin, në Shpirtin, tek njerëzit. Prandaj, nëpërmjet shërbyesve të tij të zgjedhur, Krishti ushtron dhe realizon funksionin e tij unik dhe ekskluziv si prift, duke e blatuar në mënyrë të përhershme vetveten si therore e përsosur tek Ati, në emër të vëllezërve e motrave të tij njerëzorë. Nëpërmjet shërbyesve të tij në Kishë, Krishti vepron gjithashtu si mësues, duke i lëçitur vetë fjalët hyjnore të Atit tek njerëzit. Ai vepron si bariu i mirë, i vetmi bari që udhëheq tufën e tij. Ai vepron si falës dhe shërues, duke falur mëkatet dhe duke shëruar sëmundjet e njerëzve – fizike, mendore dhe shpirtërore. Ai vepron si peshkop, duke mbikqyrur komunitetin të cilin e ka mbledhur për vetveten (1 Pietri 2:25). Ai vepron si dhiakon (që do të thotë shërbyes), sepse ai vetëm është shërbëtori i përvuajtur i Atit, i cili “nuk erdhi që të shërbehet por të shërbejë, edhe ta japë jetën e tij si shpërblim për shumë veta” (Mattheu 20:28)Misteri i Urdhërave të Shenjtë e ka marrë emrin nga fakti që peshkopët, priftërinjtë dhe dhiakonët vendosin rendin (urdhërin) në Kishë. Ata garantojnë vazhdimësinë dhe unitetin e Kishës nga brezi në brez dhe nga vendi në vend, qysh prej kohës së Krishtit dhe apostujve, deri në ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë në përjetësi.

    Sikurse apostujt morën dhuratën e veçantë të Perëndisë për të shkuar dhe për ta bërë Krishtin të pranishëm tek njerëzit, në tërë aspektet e shumëfishta të personit dhe veprës së tij ashtu edhe kleri i Kishës merr dhuratën e Shpirtit të Perëndisë, për të mbajtur dhe për të manifestuar në kishat, praninë dhe veprimin e Krishtit. Në doktrinën e Kishës, kleri duhet të përpiqet të përmbushë sa më shumë që të jetë e mundur, hirin që i është dhënë me dhuratën e “vënies së duarve”. Por, doktrina e Kishës thotë gjithashtu, që realiteti dhe efektshmëria e mistereve të Kishës, të kryera nga klerikët, nuk varen nga virtytet personale të tyre, por nga prania e Krishtit, i cili vepron në Kishën e tij me anë të Shpirtit të Shenjtë.

     Peshkopët

    Peshkopët janë anëtarët udhëheqës të klerit, në kuptimin që ata kanë përgjegjësinë dhe shërbesën e mbajtjes së unitetit të Kishës në tërë botën, duke siguruar të vërtetën dhe unitetin e besës dhe të praktikave të kishave të tyre respektive me të gjitha kishat e tjera. Prandaj, peshkopët përfaqësojnë kishat ose dioqezat e tyre të veçanta, tek kishat ose dioqezat e tjera ashtu siç ata përfaqësojnë Kishën Universale tek priftërinjtë, dhiakonët dhe popullin e dioqezës së tyre.

   Në Kishën Orthodhokse, ofiqi i peshkopit është shërbesa udhëheqëse e Kishës. Fjala peshkop (episkopos, në greqisht), do të thotë mbikqyrës. Secili nga peshkopët ka krejtësisht të njëjtin shërbim për të kryer. Asnjë peshkop nuk është në Kishë “mbi” ndonjë tjetër peshkop dhe me të vërtetë, vetë peshkopi nuk është “mbi” Kishën e tij, por edhe ai vetë është brenda Kishës dhe si një nga anëtarët e saj. Ai është përgjegjës dhe përgjigjet para Perëndisë dhe njerëzve për jetën e bashkësisë të Kishës së tij.

    Të gjithë peshkopët e Kishës Orthodhokse janë peshkopë të një territori të caktuar gjeografik, i quajtur dioqezë. Zakonisht, ata e marrin titullin prej qytetit kryesor, që ndodhet në atë territor. Një peshkop i qytetit qendror të një vendi apo krahine, që ka edhe peshkopë të tjerë, zakonisht quhet mitropolit ose krypeshkop. “Mitropolit” do të thotë “peshkop i metropolit, qytetit kryesor. Titulli kryepeshkop ka kuptimin e “peshkopit udhëheqës” të një Kishe autoqefale (në Greqi, Shqipëri etj.), ose të një zone (zakonisht në Kishën Ruse). Në praktikën ruse ky titull i jepet edhe disa peshkopëve për arsye nderimi. Gjithashtu, në praktikën ruse mitropolit është titull më i lartë se kryepeshkop, ndërsa në atë bizantine kryepeshkop është më i lartë se mitropolit. Titulli patrik i përket peshkopit të kryeqytetit të një zone të madhe, që përfshin shumë mitropoli dhe dioqeza. Sot, këtë titull e ka zakonisht kreu i një kishe autoqefale.

    Kur peshkopët e një zone mblidhen në sinod, siç duhet të mblidhen periodikisht sipas Kanoneve të Kishës, mitropoliti kryeson; ose në rastet e kishave autoqefale, patriku ose kryepeshkopi. Megjithatë, po e përsërisim, që të jetë e qartë, se nga ana misterore të gjithë peshkopët janë identikë dhe të barabartë. Asnjë nuk është “më i lartë” se të tjerët, përsa i përket funksionit misteror; asnjë nuk është “mbi” të tjerët, përsa i përket jetës së tyre në Kishë. Në çështjet praktike thjesht njerëzore, kryepeshkopët dhe patrikët udhëheqin dhe kryesojnë mbi zona më të mëdha se dioqezat e tyre, por ata nuk janë superiorë ose më të fuqishëm përsa i përket detyrës peshkopale. Asnjë peshkop në Orthodhoksi nuk është konsideruar si i pagabueshëm. Asnjë prej tyre nuk ka ndonjë “pushtet” mbi ose veçmas prej priftërinjve, dhiakonëve dhe popullit të tij ose peshkopëve të tjerë. Të gjithë janë shërbëtorë të Krishtit dhe të Kishës. Qysh prej shekullit të gjashtë, ka qenë rregull në Kishën Orthodhokse që peshkopi të jetë i pamartuar ose i ve. Ata janë zakonisht të paktën në gradën e parë të murgërisë.

     Priftërinjtë

    Priftërinjtë e Kishës të quajtur gjithashtu presbiterë, janë ata që ndihmojnë peshkopin në detyrën e tij. Në kohën e sotme, priftërinjtë normalisht ushtrojnë funksionin e bariut shpirtëror të kishave lokale ose enorive, një funksion i cili në kohët e vjetra kryhej normalisht nga peshkopët. Priftërinjtë drejtojnë bashkësinë lokale të të krishterëve. Ata mësojnë, predikojnë, këshillojnë dhe kryejnë shërbesat e faljes dhe të shërimit.

    Priftërinjtë në Kishë caktohen nga peshkopi dhe i përkasin një bashkësie të veçantë, në të cilën ata shërbejnë. Asnjëri prej tyre nuk e merr hirin e priftërisë personalisht apo individualisht. I ndarë prej peshkopit të tij dhe bashkësisë së enorisë së tij, prifti nuk ka asnjë “fuqi” dhe nuk mund të bëjë asnjë shërbesë. Prandaj, në Tryezën e Shenjtë të çdo Kishe Orthodhokse, të kryesuar nga prifti si bari, është antiminsi i firmosur nga peshkopi, që është leja për bashkësinë, për t’u mbledhur dhe të vepruar si Kishë e Perëndisë. Pa antimisnin, prifti dhe populli i tij nuk mund të funksionojnë në mënyrë legjitime dhe veprimet e bashkësisë nuk mund të konsiderohen si veprime të vërteta “të Kishës.” Në Kishën Orthodhokse një njeri i martuar mund të dorëzohet prift. Por, ai dhe gruaja e tij duhet të jenë të martuar vetëm një herë dhe ai nuk mund të rimartohet dhe të vazhdojë shërbesën nëse gruaja e tij vdes. Nëse një i pamartuar dorëzohet prift, ai nuk mund të martohet e të qëndrojë prift përsëri.

     Dhiakonët

    Në fillim dhiakonët e Kishës ndihmonin peshkopët në veprat e bamirësisë. Në shekujt e mëvonshëm dhiakonia është bërë pothuaj krejtësisht një funksion liturgjik, në të cilin dhiakonët ndihmojnë në kremtimin e Meshës Hyjnore dhe në shërbesat e tjera të Kishës. Më vonë akoma, dhiakonia u bë si një pozicion i përhershëm, me një shërbim të plotë ose të pjesshëm në veprimtarinë e Kishës. Tani, në detyrën e dhiakonit, përveçse ndihmës për priftin dhe peshkopin në shërbesat liturgjike, mund të kryhen edhe shërbesa të tjera, si p.sh., të drejtohen programe mësimore dhe grupe rinie, vizita në spitale, punë misionare dhe në projekte të ndihmës sociale. Në këto raste, për dhiakonët nuk është e domosdoshme që të kenë një arsimim teologjik, por mund të zgjidhen nga anëtarët e enorisë. Rregullat e Kishës rreth martesës për priftërinjtë, janë të njëjta edhe për dhiakonët.

    Përveç dorëzimit të peshkopëve, priftërinjve dhe dhiakonëve, që përbëjnë urdhërat e mëdha, Tradita Orthodhokse ka edhe disa bekime të veçanta për disa shërbesa të veçanta në Kishë; për nëndhiakonët dhe këndonjësit. Në Kishën e vjetër, kishte gjithashtu lutje të veçanta për shërbesa të ndryshme të Kishës, si për ekzorcistët, portierët, dhiakoneshat dhe predikuesit laikë; këta të fundit ende edhe sot funksionojnë në disa kisha. Gjithashtu, në pjesën më të madhe të kishave, sot ka disa ceremoni të veçanta për emërimin e laikëve në detyra të ndryshme, si për këshillin e kishës, katekistët, psaltët dhe udhëheqësit e shoqatave apo projekteve të ndryshme.