Pastërtia e zemrës
“Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë (Matheu 5:8). Pastërti e zemrës do të thotë të jesh i çliruar nga të gjitha motivimet dhe qëllimet e mëkatshme dhe të mos kesh asnjë interesim të padenjë dhe asnjë dëshirë egoiste. Do të thotë të jesh krejtësisht i çliruar nga çdo gjë që e verbon dhe e errëson mendjen, dhe, kështu ajo nuk mund të mos i shohë gjërat qartësisht dhe ndershmërisht.Do të thotë të jesh i çliruar krejtësisht nga çdo gjë që e robëron dhe e errëson shpirtin dhe kështu ai nuk mund të mos pasqyrojë dhe të ndriçojë dritën e pastër të Perëndisë. Në një tjetër vend në Predikimin në Mal, Zoti thotë:
Drita e trupit është syri; në qoftë se syri yt është i pastër, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar, por në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë në errësirë; në qoftë se drita, pra, që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira (Matheu 6:22-23)!
Të pastër në zemër janë ata sytë e të cilëve janë të kthjellët. Të pastër në zemër janë ata që mund të thonë me psalmistin:
Zoti është drita ime dhe shpëtimi im;
nga kush do të kem frikë?
Zoti është kështjella e jetës sime;
nga kush do të kem frikë?
Një gjë i kërkova Zotit
dhe atë kërkoj:
të banoj në shtëpinë e Zotit
tërë ditët e jetës sime.
Zemra ime më thotë nga ana jote:
“Kërkoni fytyrën time”.
Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot.
Mos ma fshih fytyrën tënde. (Psalmi 27)
Të kërkosh vetëm një gjë, fytyrën e Zotit, kjo është pastërti e zemrës. Të dëshirosh vetëm një gjë, dritën e Zotit në thellësinë e shpirtit, kjo do të thotë të jetosh në pastërti të plotë. Për këtë arsye, nëna e Krishtit, Maria është shëmbëlltyra e pastërtisë së përsosur. Virgjerësha e shenjtë është “krejt e papërlyer” jo thjesht për shkak të qashtërisë trupore, por, për shkak edhe të dlirësisë së saj shpirtërore. Zemra e saj ishte e pastër. Mendja e saj ishte e dlirë. Shpirti i saj madhështonte Zotin. Fryma e saj gëzohej në Perëndinë Shpëtimtarin e saj. Trupi i saj ishte tempulli i Tij shpirtëror. Për këtë arsye Perëndia e vështroi përunjësinë e saj dhe bëri gjëra të mëdha për atë. Për këtë arsye ajo është “hirplote” dhe Zoti është me atë. Sepse ajo, në pastërtinë e saj të thjeshtë mund t’i thoshte Perëndisë “u bëftë mbi mua sipas fjalës Sate” (Kr. Lluka 1).
Në traditën shpirtërore të Kishës Orthodhokse, pastërtia e zemrës është një kusht thelbësor për bashkimin me Perëndinë. Kur zemra e njeriut pastrohet nga çdo e keqe, ajo ndriçon natyralisht me dritën e Perëndisë, meqë Perëndia banon në shpirtin. Kjo është doktrina e shenjtorëve siç është e shprehur nga Shën Grigori i Nisës.
. . . njeriu që pastron syrin e shpirtit të tij do të gëzojë një vizion të menjëhershëm të Perëndisë . . . është i njëjti mësim i mësuar nga Fjala (d.m.th. Krishti) kur Ai tha: “Mbretëria e Perëndisë është brenda jush” (Lluka 17:21).
Kjo na mëson se njeriu që pastron zemrën e tij nga çdo impuls pasionant do të shohë imazhin e natyrës hyjnore në vetë bukurinë e tij.
Ju duhet të pastroni, me anë të një jete të virtytshme, ndyrësinë që është ngjitur në zemrën tuaj si një allçi dhe atëherë, bukuria juaj hyjnore do të ndriçojë përsëri (Mbi
Lumurimet, Predikimi 6).
Apostull Pavli thotë të njëjtën gjë në letrat e tij pastorale.
Gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër, por asgjë nuk është e pastër për të ndoturit dhe për ata që nuk besojnë; madje edhe mendja, edhe ndërgjegja e tyre janë të ndotura. Ata pohojnë se njohin Perëndinë, po me vepra e mohojnë, sepse janë të neveritshëm, të pabindur dhe të pazotë për çfarëdo vepër të mirë (Titi 1:15 – 16). Pra, në qoftë se dikush pastrohet nga këto gjëra, do të jetë një enë nderi, e shenjtëruar dhe e dobishme për të zotin, e përgatitur për çdo vepër të mirë. Largohu nga pasionet rinore dhe bjeru pas drejtësisë, besimit, dashurisë dhe paqes bashkë me ata që e thërresin në ndihmë Zotin me zemër të pastër (Timotheu 2:21 – 22).
“Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë” (Matheu 5:9).
Krishti, “princi i paqes” (Isaia 9:6), e jep paqen e Perëndisë tek ata që besojnë në Atë.
Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: Unë po jua jap, po jo si e jep bota (Joani 14:27).
Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua (Joani 16:33).
Kjo është paqja të cilën Shën Pavli e rendit në “frytet e Shpirtit të Shenjtë” (Galatianët 5:22); “paqja e Perëndisë e cila kapërcen çdo mendje” (Filipianët 4:7). Kjo është paqja e kuptuar si “çlirimi nga pasionet, e cila nuk mund të arrihet pa veprimin e Shpirtit të Shenjtë” (Shën Mark Asketiku, shek. 4, Dy Qindëshet në Ligjin Shpirtëror). Paqebërësit janë ata që kanë në vetet e tyre paqen e Perëndisë dhe e përhapin këtë paqe tek ata rrotull tyre. Kjo paqe, para së gjithash, është çlirim nga çdo ankth e frikë. Ajo është paqja e atyre që nuk shqetësohen për jetën e tyre, se çfarë do të hanë apo të pinë, se çfarë do të veshin (Kr. Matheu 6:25-33). Ajo është paqja me të cilën zemrat e njerëzve nuk trazohen dhe as tremben nga asgjë (Kr. Joani 14:27). Ajo është paqja që ekziston tek njerëzit edhe në situatat më të tmerrshme, në vuajtje dhe në vdekje. Ajo është paqja e cila është në atë që mund të thotë:
Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? Siç është shkruar: “Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje” (Psalmi 44:22). Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi. Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme, as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jisu Krishtin, Zotin tonë (Romanët 8:35-39).
Paqja e brendshme e Perëndisë nuk është mungesa e konfliktit të jashtëm. Paqebërësit e Perëndisë nuk janë ata që janë të çliruar nga përpjekjet e mëdha të jetës, ose ata që mund të shkaktojnë mungesën dhe heqjen e luftës ndërmjet njerëzve. Vetë Krishti nuk e bëri këtë. Përkundrazi, Vetë Princi i Paqes, Zoti që i jep forcë e paqe popullit të tij (Psalmi 29:11), ka shpallur se Ai Vetë do të jetë shkaku i shumë konflikteve ndërmjet njerëzve.
Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën. Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra, dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet. Ai që e do të atin ose nënën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua. Dhe ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua. Kush do të gjejë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri (Matheu 10:34-39; Lluka 12:49-53).
Paqebërës i bekuar është ai që sjell dëshminë e Krishtit, dhe merr kryqin e tij, dhe e humb jetën e tij për Zotin pa frikë dhe ankth. Është ai që hyn në çdo konflikt njerëzor deri në fundin e kohës, i forcuar me paqen e Perëndisë. Është ai që nuk e mohon Zotin dhe nuk e njollos të vërtetën e Tij nga ushtrimi i dhunës, por mbart dëshminë me paqen e tij në mes të konfliktit, paqja që nuk është ajo “si e jep bota” (Joani 14:27). Kështu, paqebërësi nuk i provokon të tjerët në zemërim dhe dhunë, përveçse nga e vërteta dhe dashuria e jetës së tij dhe ia lë Zotit të gjitha hakmarrjet. Ai është ai që e ndjek Jisuin në mundjen e së keqes vetëm nga e mira.
Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit. Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti” (Levitiku 19:18, Ligji i Përtërirë 32:35). “Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur” (Fjalët e urta 25:21-22). Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën (Romanët 12:18-21). Duke bërë paqe, vetë paqebërësi është një bir i Perëndisë si Zoti Jisu Krisht, i cili në mënyrë paradoksale dhe të pashmangshme është shkaku i shumë skandaleve dhe konflikteve (Kr. Lluka 2:34-35, 7:23, 21:18).