Mëshira

    “Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë (Matheu 5:7). Të jesh i mëshirshëm do të thotë të jesh i ngjashëm me Perëndinë, sepse “Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi” (Psalmi 103:8). Dhe Zoti kaloi pranë tij (Moisiut) dhe thirri: “Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin . . .” (Eksodi 34:6-7). Ky është, gjithashtu, mësimi i Krishtit në Predikimin në Mal:  . . . doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Shumë të Lartit, sepse ai është mirëdashës me mos-mirënjohësit dhe të mbrapshtët. Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm (Lluka 6:35-36).

     Të jesh i mëshirshëm nuk do të thotë të justifikosh fallsitetin dhe mëkatin. Nuk do të thotë të jesh tolerant për marrëzinë dhe të keqen. Nuk do të thotë të mos vësh re padrejtësinë dhe paudhësinë. Perëndia nuk është në këtë mënyrë dhe nuk e bën këtë. Të jesh i mëshirshëm do të thotë të kesh dhembshuri për keqbërësit dhe të të vijë keq për ata që janë kapur në prangat e mëkatit. Do të thotë të heqësh dorë nga çdo vetë-drejtësim dhe çdo vetë-justifikim në krahasim me të tjerët. Do të thotë të mos pranosh të dënosh ata që bëjnë keq, por t’i falësh ata që dëmtojnë dhe shkatërrojnë, si vetet tona ashtu edhe të tjerët. Do të thotë të thuash me seriozitet të plotë: “falna fajet tona ashtu sikundër ua falim ne fajtorëve tanë” (Matheu 6:12).

    Sipas Jisuit, personi shpirtëror do të jetë i mëshirshëm, sepse edhe ai vetë ka nevojë për mëshirë. Personi shpirtëror do të jetë i mëshirshëm, sepse ai e di që edhe ai vetë është një njeri mëkatar i cili ka nevojën për mëshirën dhe ndihmën e Perëndisë. Nuk ka asnjë pa mëkat, asnjë që mund të pretendojë drejtësi para Perëndisë. Nëse një pretendon se nuk ka mëkat, thotë Shën Joani, ai është një gënjeshtar dhe e bën edhe Perëndinë gënjeshtar (1 Joani 1:10, 2:4). Personi shpirtëror, ngaqë është në bashkim me Perëndinë, i njeh fajet e tij dhe nevojën për falje nga Perëndia dhe nga njerëzit. Ai nuk mund të dënojë të tjerët, sepse ai e di, me përjashtim të hirit të Krishtit, ai vetë është i padenjë dhe i dënuar. Nëse Ti o Zot do të merrje parasysh fajet, kush do të mund të qëndronte, o Zot? Por te Ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej Teje (Psalmi 130:3-4).

    Personi shpirtëror është i mëshirshëm si ndaj vetvetes ashtu edhe ndaj të tjerëve. Kjo nuk do të thotë se ai i bën të lehta fajet e tij dhe e merr faljen e Perëndisë si të vetvetishme. Por do të thotë se ai nuk e plagos veten me faj dhe keqardhje neurotike, që sjell dorëzimin tek skrupuj mëkatarë të cilët janë vdekja e shpirtit. Do të thotë se ai beson në dashurinë dhe mirësinë e Perëndisë dhe e di, siç thotë Shën Pavli, se asnjë vepër nga vetja e tij nuk do ta çliroj atë nga nevoja e mëshirës dhe e dashurisë së Perëndisë. Ju, në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush. Ne, në fakt, jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jisu për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to (Efesianët 2:8-10).

    Kështu, është marrja e vazhdueshme e mëshirës së Perëndisë, ajo që e fuqizon shpirtin për vepra të mira. Dhe vetëm i mëshirshmi do të ketë mëshirë prej Perëndisë. Përjetësisht njeriu do të jetë në dispozicionin e mëshirës së Perëndisë. Çfarëdo stadi zhvillimi që ai të arrijë, lutja e njeriut do të mbetet lutja qendrore e Kishës: Zot ki mëshirë për mua mëkatarin! Më i shenjtë personi, më e madhe është ndjenja e tij e padenjësisë mëkatare, më e fortë është varësia e tij në mëshirën e Perëndisë dhe më tepër është ai i mëshirshëm ndaj dobësive të të tjerëve.