Kur po i mësonte nxënësit të luteshin, Krishti tha:
Ju, pra, lutuni kështu: Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë dëshira jote si në qiell ashtu edhe mbi dhe. Bukën tonë të përditshme jepna neve sot. Dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë. Dhe mos na shtjer në ngasje, por çlirona nga i ligu (Matheu 6:9-13), kr. Lluka 11:2-4).
Ky është, zakonisht, përkthimi i lutjes së përdorur në Kishën Orthodhokse. Ajo fillon me një kërkesë drejtuar Perëndisë si “Ati ynë”. Nuk kishte lutje të tillë para këtij mësimi të Krishtit. Populli i Dhiatës së Vjetër nuk i drejtohej Perëndisë si “Aba: Atë” (Romanët 8:15, Galatianët 4:6).Ky emër “Atë” për Perëndinë është dhënë nga Krishti, Biri hyjnor i Perëndisë. Njerëzit mund të guxojnë “pa ndrojtje dhe pa dënim” të thërresin emrin “Atë” vetëm kur ata janë bërë të denjë nga Krishti për ta bërë këtë. (kr. Liturgjia e Shën Joan Gojartit). Në Kishën e hershme lutja “Ati Ynë” u mësohej vetëm anëtarëve të pagëzuar të kishës.
Pohimi se Ati është “në qiej”, do të thotë se Ai është kudo dhe mbi gjithçka. Qiejt janë mbi gjithçka dhe përfshijnë gjithçka. Kudo që njeriu të shkojë në tokë ose në ajër, ose edhe në hapësirë, qiejt janë rrotull tij dhe mbi atë. Të thuash se Ati është “në qiej” do të thotë se Ai nuk është i kufizuar në asnjë vend çfarëdo qoftë – si ishin perënditë e paganëve. Perëndia qiellor është “Perëndi i perëndive” (Ligji i Përtërirë 10:17, 2 Kronikat 2:5), “Atë i të gjithëve ne, që është përmbi të gjitha, në mes të të gjithëve dhe në ju të gjithë,” (Efesianët 4:5)ainë të cilin“ne jetojmë, lëvizim dhe jemi” (Veprat 17:28). Të thuash se Perëndia është “në qiej” nuk do të thotë ta vendosësh Atë diku; por, do të thotë se Ai i kapërcen të gjitha gjërat dhe përsëri është i pranishëm në të gjitha.
“U shenjtëroftë emri Yt” do të thotë se emri i Perëndisë është i shenjtë dhe duhet trajtuar me respekt dhe devocion. Në besëlidhjen e vjetër ishte zakoni që hebrenjtë kurrë nuk e thonin emrin e Perëndisë: Jahve, Unë Jam (kr. Eksodi 3:13-15). Kjo bëhej për të ruajtur të pastër emrin hyjnor dhe për të mos shkelur urdhërimin: “Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e Tij” (Eksodi 20:7).
Në Dhiatën e Re Perëndia i jep Jisuit “një emër që është përmbi çdo emër ” (Filipianët 2:9)dhe duke e bërë emrin e Atit të shenjtë, të krishterët e bëjnë këtë në emrin e Birit të Tij.
“Ardhtë Mbretëria Jote” në lutjen e Zotit është, para së gjithash, lutja për mbarimin e kohës. Të krishterët duan që bota të mbarojë, kështu që Mbretëria e Perëndisë të mbushë tërë krijimin me jetën dhe lavdinë hyjnore. “Eja Zoti Jisu; Maran-atha!” është lutja e besimtarit, lutja e fundit e Shkrimit (Zbulesa 22:20, kr. 1 Korinthianët 16:22). Është thirrja për shfaqjen finale të Zotit.
Në traditën shpirtërore të Kishës, lutja “ardhtë Mbretëria Jote” është kuptuar si një thirrje për Shpirtin e Shenjtë për të banuar në popullin e Perëndisë. Në komentin e tij mbi Lutjen e Zotit, Shën Grigori i Nisës thotë se ka një lexim tjetër për këtë kërkesë që thotë: “Shpirti Yt i Shenjtë ardhtë mbi ne dhe na pastroftë.” Kështu, thotë ai, duke ndjekur shkrimet, prania e Shpirtit të Shenjtë në njeriun është prania e Krishtit dhe e Mbretërisë së Perëndisë.
Sepse mbretëria e Perëndisë është . . . drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë (Romanët 14:17). . . është Perëndia Ai që na themelon neve bashkë me ju në Krishtin . . . i cili edhe na vulosi dhe na dha pengun e Frymës në zemrat tona (2 Korinthianët 1:22).
Në të edhe ju . . . u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit, i cili është pengu i trashëgimisë tonë, për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë, për lëvdim të lavdisë së tij.
. . . Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit (Efesianët 1:13-14, 4:30).
Vula e Shpirtit të Shenjtë në zemrën e njeriut është zotimi dhe dorëzania e Mbretërisë së Perëndisë, akoma për të ardhur, me të gjithë fuqinë dhe lavdinë. Në lutjen “ardhtë Mbretëria Jote”, besimtarët në Jisuin kërkojnë që Mbretëria e Perëndisë, e cila “nuk vjen në mënyrë dhe shenja të jashtme” që mund t’i shohin të pabesët, të mund të banojë fuqimisht dhe fshehtësisht brenda besimtarit (kr. Lluka 17:20-21).
U bëftë dëshira jote si në qiell ashtu edhe mbi dhe” është qendra e Lutjes së Zotit, dëshira qendrore e të krishterëve. Tërë qëllimi i lutjes, vetë qëllimi i jetës së njeriut, është të bëjë vullnetin e Perëndisë. Këtë bëri dhe u lut Jisui (kr. Matheu 26:42). Dhe për këtë duhet të luten dhe të bëjnë ndjekësit e Tij. Nuk është veçse një qëllim në lutje, thonë mësuesit shpirtëror, të mbahen urdhërimet e Perëndisë në mënyrë që të mos mëkatosh, duke shkuar kështu në hyjnizimin dhe birësimin hyjnor me Krishtin.
E vetmja gjë që Perëndia kërkon nga të vdekshmit është që ne të mos mëkatojmë. Por kjo . . . është thjesht të mbash të pacënuar imazhin dhe rangun që ne kemi nga natyra. Të veshur kështu me rroben e ndritshme të Frymës, ne banojmë në Perëndinë dhe Ai në ne; me anë të hirit ne bëhemi perëndira dhe bij Perëndie dhe ndriçohemi nga drita e diturisë së Tij . . . (Shën Simeoni Teologu i Ri, shek. 10,PorosiPraktike dhe Teologjike).
Të lutesh “u bëftë dëshira Jote” sipas mësuesve shpirtërorë, është një akt i guximshëm dhe i rrezikshëm. Kjo është kështu, pikësëpari, sepse kur një e bën këtë lutje, ai duhet të jetë gati, si Krishti, ta ndjekë atë kudo që ajo të çon. Perëndia do t’i përgjigjet kësaj lutje dhe do ta bëjë të njohur vullnetin e tij. Personi që lutet duhet të jetë gati të bindet, çfarëdo qofshin pasojat. Kur u pyet përse shumë të krishterë janë të mërzitur dhe të acaruar, të pakënaqur dhe të rëndomtë dhe nganjëherë edhe disi të “çekuilibruar”, një mësues shpirtëror u përgjigj se arsyeja është e qartë. Ata luten “u bëftë dëshira Jote” dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë përditë, ndërsa në të njëjtën kohë ata e kundërshtojnë dëshirën e Perëndisë në jetën e tyre dhe kështu janë gjithmonë jo mirë. Pastaj fillojnë të justifikojnë qëndrimet dhe veprimet e tyre, të shpjegojnë dhe të arsyetojnë sjelljen e tyre, para ndërgjegjes së tyre dhe të tjerëve. Një person në një gjendje të tillë nuk mund të jetë kurrë në paqe, sepse “është diçka e tmerrshme të biesh në duart e Perëndisë së Gjallë” (Hebrenjtë 10:31).
Arsyeja e dytë përse është thënë që lutja “u bëftë dëshira Jote” – dhe lutja në përgjithësi – është e guximshme dhe e rrezikshme, është, sepse djalli e sulmon furishëm personin që lutet. Me të vërtetë një nga provat më të mëdha të tundimit demoniak dhe të realitetit dhe fuqisë së djallit, është të jesh i zjarrtë në lutje. Sepse djalli nuk do gjë tjetër më shumë për njeriun, sesa kur ai dështon të përmbush vullnetin e Perëndisë, që është qëllimi i çdo lutje.
Nëse ju jepeni pas lutjes, përgatite veten për sugjerimet djallëzore dhe priti me durim sulmet e tyre; sepse ata do t’ju sulmojnë si bisha të egra . . . Përpiqu sa më shumë që të mundesh që të jesh i përunjur dhe kurajoz . . . Ai që do të rezistojë do t’i jepet një gëzim i madh (Shën Nili i Sinait, shek. 5,Tekste mbi Lutjen).
Lutja për “bukën e përditshme” është kuptuar normalisht të tregojë në përgjithësi të gjitha nevojat tona trupore dhe çfarëdo tjetër që na duhet për të mbajtur jetën tonë në këtë botë. Por, në traditën shpirtërore, kjo kërkesë, meqenëse fjalë për fjalë ajo thotë bukën tonë “të domosdoshme” ose “mbi të domosdoshme”, është kuptuar shpesh në kuptimin shpirtëror për të treguar ushqimin e shpirtrave tanë nga Fjala e Perëndisë, Jisu Krishtin që është “Buka e Jetës”; “Buka e Perëndisë që zbret prej qielli dhe i jep jetë botës” (Joani 6:33-36);buka e cila“një mund ta hajë e të mos vdesë”,por“të jetojë përjetë” (Joani 6:50-51). Kështu lutja për “bukën e përditshme” bëhet kërkesa për ushqimin shpirtëror me anë të kungimit të qëndrueshëm me Krishtin, që të mund të jetohet përjetësisht me Perëndinë.
Lutja “falna fajet tona sikundër edhe ne ua falim fajtorëve tanë” është theksuar në mënyrë të veçantë nga Zoti.
Sepse, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve; por, në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ua falë juve gabimet tuaja (Matheu 6:14-15).
Këtë do që të tregojë parabola e Krishtit për shërbëtorin që nuk fal (Matheu 18:23-35). Të gjithë njerëzit i detyrohen Perëndisë për gjithçka dhe ata nuk i ofrojnë Atij falënderimin, lavdërimin dhe drejtësinë, që ata duhet t’i ofronin. Perëndia do t’i falë fajet dhe detyrimet e shërbëtorëve të Tij, vetëm nëse ata vetë do t’i falin vëllezërit e tyre, jo vetëm me fjalë dhe me gjeste formale, por sinqerisht dhe vërtetësisht “nga zemrat e tyre” (kr. Matheu 18:35). Në lutjen e mësuar nga Krishti kjo tregohet qartë.
“Mos na shtjer në ngasje” nuk duhet kuptuar sikur Perëndia e vë popullin e tij në provë ose i sjell ata në ngjarjet e këqia.
Askush kur tundohet të mos thotë: “Jam tunduar nga Perëndia”, sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe Ai vet nuk tundon asnjeri. Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakmia e vet. Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen (Jakovi 1:13-15).
“Mos na shtjer në ngasje” do të thotë që ne i kërkojmë Perëndisë të mos na lejojë që ne të gjendemi në situatat në të cilat ne mund të mundemi nga mëkati. Ajo është një lutje që ne të ruhemi nga ata njerëz dhe vende ku mbretëron ligësia dhe ku ne, në dobësinë tonë, sigurisht që do të biem. Është një lutje që ne të çlirohemi nga mashtrimi dhe kotësia e mendjeve dhe zemrave tona, nga epshet mishore që banojnë në trupat tanë. Është një lutje që Vetë Perëndia të bëhet streha dhe mbrojtja e njeriut (kr. Psalmi 91).
“Çlirona nga i ligu” thotë fjalë për fjalë “shpëtona nga i ligu”, domethënë nga djalli. Kuptimi është i qartë. Për njeriun ka vetëm dy rrugë: Perëndia dhe jeta ose djalli dhe vdekja. Çlirimi nga djalli do të thotë shpëtim dhe çlirim nga çdo fallsitet, marrëzi, mashtrim, ligësi dhe paudhësi që të çojnë në shkatërrim dhe vdekje.
Kështu, si e ka shpjeguar Kryepeshkop Andon i Surozhit, Lutja e Zotit tregon tërë kuptimin e jetës së njeriut (kr. Kryepeshkop Andon Blum (Bloom), Lutja e Gjallë). I çliruar nga i ligu, njeriu është i shpëtuar nga tundimi, duke qenë kështu, ai është i mëshirshëm ndaj të gjithëve dhe merr faljen e mëkateve të tij. Duke qenë i falur nga mëkatet e tij, prej mëshirës së tij ndaj të tjerëve, ai ka gjithçka që i nevojitet për jetën – “bukën e përditshme” të tij; dhe duke qenë i ushqyer nga Perëndia, ai përmbush vullnetin e tij. Mbasi ka përmbushur vullnetin e tij, Mbretëria e Perëndisë është e pranishme, emri i Tij është i shenjtëruar dhe Ai tregohet Ati i atij që e tregon veten me të vërtetë bir i Perëndisë, i cili mund të thotë “Ati ynë”.