Ungjijtë
Librat e parë të shkrimeve të Dhiatës së Re janë katër ungjijtë e Shën Mattheut, Shën Markut, Shën Llukës dhe Shën Joanit. Fjala ungjill fjalë për fjalë do të thotë lajm i mirë ose sihariq i gëzuar. Ungjijtë tregojnë për jetën dhe mësimin e Jisuit, por asnjëri prej tyre nuk është një biografi në kuptimin klasik të fjalës. Ungjijtë nuk u shkruan thjesht për të treguar historinë e Jisuit. Ato u shkruajtën nga nxënësit e Krishtit, të cilët u mbushën me Shpirtin e Shenjtë mbas ngjalljes së Zotit, për të dhënë dëshmi për faktin se Jisui i Nazaretit është me të vërtetë Krishti-Mesia i premtuar i Izraelit dhe Shpëtimtari i botës. Në Kishën Orthodhokse, nuk është e gjithë Bibla, por vetëm libri i katër ungjijve ai që fronëzohet vazhdimisht në tryezën e altarin në ndërtesën e kishës. Kjo është një dëshmi e faktit se jeta e Kishës është e përqendruar në Krishtin, përmbushja e gjallë e ligjit dhe profetëve, që banon vazhdimisht në mes të Popullit të Tij, Kishës, me anë të pranisë së Shpirtit të Shenjtë.
Ungjijtë e Mattheut, Markut dhe Llukës quhen ungjijtë sinoptikë, që do të thotë se ata “duken të njëjtë”. Këta tre ungjij janë shumë të ngjashëm në përmbajtje dhe në formë dhe ka shumë mundësi, që në njëfarë mënyre të jenë të ndërlidhur tekstualisht, duke qenë një debat i vazhduar ndërmjet studiuesve të shkrimeve. Ata janë shkruar rreth fillimit të gjysmës së dytë të shekullit të parë, dhe tekstet e tyre, ashtu si ai i Shën Joanit, na kanë ardhur në greqisht, gjuha në të cilën ata u shkruan, me përjashtimin e mundshëm të Mattheut, i cili mund të jetë shkruar në origjinal në aramaisht, gjuha e Jisuit. Secili nga ungjijtë sinoptikë ndjek parimisht të njëjtin tregim. Secili fillon me pagëzimin e Jisuit nga Joani dhe me predikimin e Tij në Galile. Secili përqendrohet në pohimin e apostujve të Jisuit si Mesia i premtuar i Perëndisë, së bashku me ngjarjet korresponduese të shpërfytyrimit dhe të lajmërimit nga Krishti i nevojës së Tij për të pësuar dhe vdekur dhe për t’u ngjallur përsëri në ditën e tretë. Dhe secili prej tyre përfundon me tregimin e pësimit, vdekjes, ngjalljes dhe ngjitjes së Zotit.
Shën Marku
Ungjilli i Shën Markut është më i shkurtëri prej ungjijve, dhe ndoshta i shkruar i pari, ndonëse kjo është çështje e debatueshme. Autori i tij nuk është njëri prej dymbëdhjetë apostujt dhe pikëpamja e përbashkët është që ky ungjill paraqet “traditën” e Shën Pjetrit. Ungjilli fillon përnjëherësh më pagëzimin e Jisuit, thirrjen e apostujve, dhe predikimin e Jisuit të shoqëruar nga veprat e Tij të faljes dhe shërimit. Në këtë ungjill, si në të gjithë ata të tjerët, Jisui zbulohet qysh prej fillimit nga fjalët e Tij autoritative dhe veprat e Tij mrekulluese, si Shenjti i Perëndisë, Biri i Njeriut hyjnor, i Cili u kryqëzua dhe u ngjall së vdekurish, duke sjellë në botë Mbretërinë e Perëndisë.
Shën Mattheu
Ungjilli i Shën Mattheut, i cili ishte një nga të dymbëdhjetë apostujt, është konsideruar nga disa si më i hershmi ungjill i shkruar. Ekziston gjithashtu opinioni se ishte shkruar në fillim në aramaisht dhe jo në tekstin greqisht që ka mbetur në Kishë. Është një pikëpamje e përgjithshme se ungjilli i Shën Mattheut u shkrua për të krishterët hebrenj, për të treguar nga shkrimet e Dhiatës së Vjetër, se Jisui, biri i Davidit, biri i Abrahamit, është me të vërtetë Krishti, mbartësi i Mbretërisë së Perëndisë tek njerëzit. Ungjilli i Shën Mattheut ka shumë referenca nga Dhiata e Vjetër. Ai fillon me gjenealogjinë e Jisuit prej Abrahamit dhe me historinë e lindjes së Krishtit prej Virgjëreshës në Betlehem. Pastaj tregon pagëzimin e Jisuit dhe tundimet në shkretëtirë, vazhdon me thirrjen e nxënësve dhe me veprat e Krishtit.
Ungjilli i Mattheut përmban tregimin më të gjatë dhe më të detajuar të mësimit të Krishtit, në të ashtuquajturin Predikimi në Mal (5-7). Në përgjithësi, në Kishën Orthodhokse, teksti i ungjillit të Shën Mattheut përdoret më dendur në adhurimin liturgjik, p.sh., versioni i lumurimeve dhe Lutja e Zotit. Vetëm ky ungjill e përmban urdhërimin e Zotit te apostujt e Tij mbas ngjalljes:“Bëni dishepuj nga të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë” (28:19).
Shën Lluka
Ungjilli i Shën Llukës, i cili nuk ishte nga të dymbëdhjetë apostujt, por një nga nxënësit e parë, një mjek i njohur për shoqërimin e tij me apostullin Pavël, deklaron të jetë një që “shkruan me radhë . . . ashtu si i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të Fjalës” (1:1-4).Së bashku me Veprat, të shkruara po ashtu nga Shën Lluka, për njëfarë Teofili, ky ungjill formon “historinë” më të plotë që ne kemi, të Krishtit dhe të Kishës së parë të krishterë.
Ungjilli i Shën Llukës, i vetmi nga të katër ungjijtë kanonikë, ka një tregim të plotë të lindjes të Jisuit, si edhe të Joan Pagëzorit. Tradicionalisht, burimi i këtyre ngjarjeve të treguara nga Shën Lluka, është mbajtur të jetë Maria, nëna e Krishtit. Në këtë pikë, ne duhet të përmendim, se përveç katër ungjijve të quajtur “kanonikë”, të cilët ishin të vetmit që u pranuan nga Kisha si dëshmitarë real të mësimeve dhe të jetës së vërtetë të Krishtit, ekzistonin shumë shkrime të tjera nga koha e hershme e krishterë, që tregonin rreth Jisuit dhe veçanërisht fëmijërisë së Tij, të cilat nuk u pranuan nga Kisha si të vërteta dhe origjinale. Këto shkrime janë quajtur shpesh apokrife (mos të ngatërrohen me të ashtuquajturat apokrife të Dhiatës së Vjetër)*, ose pseudoepigrafe, që fjalë për fjalë do të thotë “shkrime të rreme.”
Ungjilli i Shën Llukës dallohet për detajet e tregimit të tij, dhe, kryesisht për përshkrimin e interesimit të madh të Krishtit për të varfërit dhe për mëkatarët. Disa parabola që paralajmërojnë për rreziqet e pasurisë dhe vetëkënaqësisë, dhe duke zbuluar mëshirën e madhe të Perëndisë ndaj mëkatarëve, gjenden vetëm në ungjillin e Shën Llukës, për shembull, ato të publikanit dhe fariseut, djalit plangprishës, Lazarit dhe të pasurit. Ka gjithashtu, një theksim të madh në këtë ungjill të Mbretërisë së Perëndisë, të cilën Krishti ka sjellë në botë dhe të cilën Ai ua jep atyre që qëndrojnë me Atë në pësimet e Tij. Tregimi post-ngjallësor i pranisë së Zotit tek dy nxënësit në rrugën për në Emaus, në të cilin vetëm emri i njërit përmendet, një tregim i gjetur vetëm tek Shën Lluka, ka lindur traditën se nxënësi, të cilit nuk i përmendet emri, ishte vetë Lluka.
Shën Joani
Ungjilli i Shën Joanit është shumë i ndryshëm prej ungjijve sinoptikë. Pa dyshim, ai është shkruar i fundit dhe është vepër e apostullit dhe nxënësit të dashur të Zotit, në fund të jetës së tij, në mbarim të shekullit të parë. Në shumicën e versioneve Orthodhokse të Biblës, ky ungjill renditet para të tjerëve, ngaqë ai lexohet i pari në leximin e Kishës në meshën hyjnore të natës së Pashkës. Ungjilli i Shën Joanit fillon me prologun e famshëm, në të cilin Jisui i Nazaretit identifikohet me Fjalën hyjnore të Perëndisë të Dhiatës së Vjetër, Fjalën e Perëndisë, e Cila ishte “në fillim me Perëndinë,” e Cila “ishte Perëndi,” Ai nëpërmjet të Cilit “të gjitha gjërat u bënë” (1:1-3). Kjo Fjalë e Perëndisë “u bë mish,” dhe si Jisui, Biri i Perëndisë, Ai e bëri Perëndinë të njohur tek njerëzit dhe u dha të gjithë atyre që besuan në Atë fuqinë për të marrë pjesë në plotësinë e Tij, të hirit dhe të vërtetës, dhe të bëheshin edhe ata vetë “bij të Perëndisë” (1:14 e vazhdim).
Që në faqet e para të këtij ungjilli, mbas prologut, në tregimin e pagëzimit të Jisuit dhe të thirrjes së apostujve, Jisui paraqitet si Biri i vetëmlindur i Perëndisë, Mesia dhe Zoti. Nëpër gjithë ungjillin, Ai identifikohet gjithashtu, në mënyra të ndryshme, me Perëndinë e Dhiatës së Vjetër, duke marrë emrin hyjnor Unë Jam, së bashku me Jahven e Moisiut dhe të profetëve dhe psalmeve (Shih Vëllimi I, Doktrina). Ungjilli i Shën Joanit, mbas prologut, mund të ndahet në dy pjesë kryesore. Pjesa e parë është quajtur libri i “shenjave”, përshkrimi i një numri të mrekullive të Jisuit me një “komentar” të imtuar të rëndësisë së tyre, duke e treguar Atë si Mesia dhe Zot (2-11). Meqenëse të gjitha “shenjat” kanë për besimtarët në Krishtin, një rëndësi të thellë dhe misterore, pothuaj të gjitha kanë të bëjnë me ujin, verën, bukën, dritën, shpëtimin e kombeve, ndarjen nga sinagoga, ndjesën e mëkateve, shërimin e sëmundjeve dhe ngjalljen e të vdekurve; është menduar herë pas herë, se ungjilli i Shën Joanit është shkruar, posaçërisht si një ungjill teologjik, për ata që ishin inicuar në jetën e Kishës, nëpërmjet mistereve të Pagëzimit, dhuratës së Shpirtit të Shenjtë dhe Eukaristisë. Sidoqoftë, për shkak të përmbajtjeve të librit të “shenjave”, si edhe të fjalimeve të gjata të Krishtit rreth lidhjes së Tij me Perëndinë Atë, Shpirtin e Shenjtë dhe anëtarët e grigjës së Tij besnike, në pjesën e dytë të ungjillit, apostulli dhe ungjillori Joan, tradicionalisht është nderuar në Kishë me titullin Teologu.
Pjesa e dytë e ungjillit të Shën Joanit përmban pësimin e Krishtit dhe kuptimin e tij për botën (11-21). Këtu, në mënyrën më të qartë, në fjalimet e gjata të ardhura nga goja e Vetë Zotit, doktrina e veprave dhe e personit të Krishtit, janë shpjeguar në mënyrën më të thellë. Siç sapo e kemi përmendur, këtu Krishti e lidh Veten me Perëndinë Atë, me Shpirtin e Shenjtë dhe me komunitetin e Tij të besimtarëve, me shprehje të qarta dhe të sigurta. Ai është një me Perëndinë, i Cili si Atë është më i madh se Ai, fjalët e të Cilit Ai flet, veprat e të Cilit Ai bën dhe vullnetin e të Cilit Ai kryen. Dhe, nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, i Cili buron prej Atit për të dëshmuar në botë për Atë, Ai mbetet banues përgjithmonë në ata të cilët janë të Tijët, me anë të besimit dhe bashkëshërbimit të tyre të Perëndisë.Tregimi i pësimit në ungjillin e Shën Joanit ndryshon lehtë prej atyre të ungjijve sinoptikë dhe mbahet nga shumë, në këtë rast, si njëfarë qartësimi dhe ndreqjeje. Gjithashtu, ka tregime të veçanta të ngjalljes, që janë vetëm në këtë ungjill. Kapitulli i fundit, tradicionalisht mbahet të jetë një shtesë mbas përfundimit të parë të ungjillit, për të afirmuar rivendosjen e apostullit Pjetër në udhëheqës të komunitetit apostolik, mbas tre mohimeve që i bëri Zotit në kohën e pësimit të Tij. Mund të ketë qenë një përfshirje e nevojshme për të kundërballancuar mungesën e besimit tek Shën Pjetri nga disa anëtarë të Kishës.
Në Traditën e Kishës Orthodhokse, traditë që shpesh shprehet në ikonografinë e Kishës, të katër ungjijtë konsiderohen të jenë të simbolizuar në imazhet e “katër qenieve të gjalla” të Apokalipsit biblik, luanit, kaut, njeriut dhe shqiponjës. Interpretimi më klasik e lidh Mattheun me njeriun, Llukën me kaun, Markun me luanin dhe Joanin me shqiponjën (Ezekieli 1:10; Zbulesa 4:7). Katër ungjijtë, të marrë së bashku, mbeten përgjithmonë si qendra shkrimeve të shenjta të Kishës Orthodhokse.
____________________
*Shih shënimet e bëra më sipër për Apokrifët