Abrahami
Historia e shpëtimit, e ashtuquajtur me të vërtetë, fillon me Abramin, të cilin Perëndia e quajti Abraham që do të thotë “ati i një shumice”. Abrahami ishte patriarku i parë i popullit të Izraelit. Fjala patriark do të thotë “ati i popullit”. Në personin dhe jetën e Abrahamit, janë parafiguruar ngjarjet qendrore të shpëtimit të botës nga Krishti në Dhiatën e Re. Perëndia i bëri Abrahamit premtimin e parë të shpëtimit të Tij të të gjithë popujve të tokës, me të cilin Ai bëri gjithashtu, dhiatën e Tij për të qenë besnik përjetë.
Zoti i tha Abramit: “Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e atit tënd dhe shko në vendin që do të të tregoj. Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim… te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës” (Zanafilla 12:1-3; Shih, gjithashtu 17:1-8, 22:1-18).
Përmbushja e premtimit te Abrahami erdhi në Jisu Krishtin. Ai është pasardhës i atit të parë të Izraelit në të cilin janë bekuar të gjitha familjet e tokës. Kështu këndon Maria, Nëna e Jisuit, në kohën e pritjes së saj për lindjen e Shpëtimtarit, se të gjitha brezat do ta quanin të lumur sepse kishte ardhur përmbushja nga Perëndia “ashtu si Ai u kishte folur etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, përgjithmonë” (Lluka 1:55; shih gjithashtu Këngën e Zaharisë në Lluka 1:67-79). Nëpër të gjithë Dhiatën e Re shpallet se premtimi i Perëndisë ndaj Abrahamit u përmbush tek Jisui.
Dhe premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhjes së tij. Shkrimi nuk thotë: “Edhe pasardhësve” si të ishin shumë, por të një të vetme: “Dhe pasardhjes sate”, pra Krishti (Galatianët 3:16).
Besimi i Abrahamit është protipike e të gjithë atyre që janë shpëtuar nga besimi në Krishtin. Dhiata e Re e thekson besimin si të domosdoshëm për shpëtimin. Modeli për këtë besim është Abrahami.
Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua atij për drejtësi (Zanafilla 15:6; Romanët 4:3).
Besimi i Abrahamit ishte i bashkuar me veprat e tij dhe shprehej në veprat e tij.
Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar? Ti e sheh se besimi ve
pronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos. Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: “Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”; dhe u quajt miku i Perëndisë. Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi (Jakovi 2:21-24).
Perëndia e provoi Abrahamin duke e urdhëruar që të flijonte djalin e tij të dashur Isakun si therore me djegie të plotë. Abrahami i besoi dhe pati besim në Perëndinë. Ai iu bind vullnetit të tij dhe shkoi në mal për të therur birin e tij. Perëndia e ndaloi atë dhe vendosi një dash në vend të Isakut duke thënë: “Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke kursyer birin tënd, të vetmin bir që ke” (Zanafilla 22:12). Edhe një herë tjetër Perëndia i premtoi se “te pasardhësit e tu do të bekohen tërë kombet e dheut… (Zanafilla 22:18). Flijimi i Isakut nuk është vetëm një dëshmi për besimin e Abrahamit, por është gjithashtu shenja e veçantë, se Perëndia Vetë bën, çfarë Ai, para së gjithash, e ndalon popullin e tij të bëjë. Asnjë dash nuk është vendosur në vendin e Birit të Perëndisë, Biri i Tij i vetëm Jisu, kur Ai u flijua në kryq për mëkatet e botës. Priftëria e përsosur e Krishtit është parafiguruar, gjithashtu në jetën e Abrahamit. Është priftëria e Melkisedekut, Mbretit të Paqes. Është priftëria në të cilën blatimi është buka dhe vera. Është priftëria e cila është para asaj të Levitëve, ajo që është e Mesias, i Cili është “prift përjetë, sipas urdhërit të Melkisedekut” (Psalmi 110:4; Hebrenjtë 5-10).
Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi Ai vetë lavdinë që të bëhet kryeprift, por ia dha Ai që i tha: “Ti je im Bir, sot të linda”, dhe ashtu si thuhet diku gjetiu: “Ti je prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut”. I cili, në ditët e mishit të tij, me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia. Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi, dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që i binden, duke qenë i shpallur kryeprift nga Perëndia sipas rendit të Melkisedekut (Hebrenjtë 5:5-10). Sepse ky Melkisedeku, mbret i Salemit dhe prift i Shumë të Lartit Perëndi, i doli përpara Abrahamit, kur po kthehej nga disfata e mbretërve dhe e bekoi; dhe Abrahami i dha atij edhe të dhjetën e të gjithave. Emri i tij do të thotë më së pari “mbreti i drejtësisë”, dhe pastaj edhe “mbreti i Salemit”, domethënë “mbreti i paqes”. Pa átë, pa nënë, pa gjenealogji, pa pasur as fillim ditësh as fund jete, por i përngjashëm me Birin e Perëndisë, ai mbetet prift në amshim (Hebrenjtë 7:1-3).
Më e larta nga zbulesat e Dhiatës së Re, ajo e Shën Trinisë, ishte gjithashtu e parafiguruar në jetën e Abrahamit. Është vizita e famshme e tre engjëjve të Perëndisë tek Abrahami nën lisat e Mamresë.
Zoti iu shfaq Abrahamit në lisat e Mamreut, ndërsa ai ishte ulur në hyrje të çadrës në zheg të ditës. Abrahami ngriti sytë dhe tre burra rrinin më këmbë pranë tij. Sa i pa, vrapoi në drejtim të tyre nga hyrja e çadrës, u përkul deri në tokë e pastaj tha: “Zoti im, në rast se kam gjetur hir para teje, të lutem mos kalo pa u ndalur para shërbëtorit tënd! Oh, lini që të sjellin pak ujë që të mund të lani këmbët tuaja, dhe çlodhuni nën këtë pemë. Unë do të shkoj të marr një copë bukë, kështu do të mund të merrni zemër, pastaj të vazhdoni rrugën, sepse për këtë keni kaluar nga shërbyesi juaj”. Ata i thanë: “Bëj siç ke thënë” (Zanafilla 18:1-5).
Abrahami iu drejtua tre engjëjve si njërit, duke i quajtur ata Zot. Ata hëngrën në praninë e tij dhe paratreguan lindjen e Isaakut nga Sarah në moshën e saj të vjetër. Në këtë vizitë të Perëndisë tek Abrahami, Kisha Orthodhokse sheh parafigurimin e zbulesës së plotë të Shën Trinisë në Dhiatën e Re. Meqenëse nuk mund të ketë pikturim të Perëndisë Atë dhe të Shpirtit të Shenjtë në formë njeriu, ikonografia orthodhokse e ka pikturuar tradicionalisht Shën Trininë në formën e tre engjëjve që vizituan Abrahamin. Ikona më e famshme e Shën Trinisë, ajo që shpesh përdoret në festën e Rushajeve, është ajo e pikturuar nga Shën Andrea Rublev, një nxënës i Shën Sergjit të Radonezhit në Rusi, në shekullin e katërmbëdhjetë. Kështu, shpëtimi i botës që erdhi në Krishtin, u parafigurua në jetën e Abrahamit, si edhe doktrina e krishterë për besimin dhe veprat dhe zbulesat e krishtera rreth flijimit, priftërisë, madje edhe Trinia e Tërëshenjtë. Me të vërtetë në Abrahamin çdo aspekt i dhiatës përfundimtare në Krishtin, Mesian, ishte parafiguruar dhe paratreguar.