Shenja e Kryqit

    Në Tryezën e Shenjtë, gjithashtu gjendet një kryq dore, i cili përdoret për bekimin e besimtarëve dhe për t’u nderuar prej tyre. Shenja e kryqit përdoret në tërë ndërtesën e Kishës: në enët e shenjta, kandilet, tryezat dhe veshjet.

    Kryqi është simboli qendror i të krishterëve, jo vetëm si instrumenti i shpëtimit të botës prej Krishtit të kryqëzuar, por, gjithashtu edhe si dëshmia e vazhdueshme e faktit, se njerëzit nuk mund të jenë të krishterë, nëse ata nuk jetojnë me Kryqin, si përmbajtja e vërtetë e jetës së tyre në këtë botë. “Kush do dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrejë kryqin e tij dhe le të më ndjekë pas” (Marku 8:34).

    Për këtë arsye, të krishterët bëjnë kryqin mbi veten e tyre. Orthodhoksët bashkojnë gishtin tregues me gishtin e mesit dhe me gishtin e madh, si shenjë e Trinisë së Shenjtë dhe bëjnë kryqin, duke filluar nga balli në kraharor dhe nga supi i djathtë në atë të majtë. Ky simbol unik dhe gjithëpërfshirës, tregon se Kryqi është frymëzimi, fuqia dhe përmbajtja e vërtetë e jetës sonë si të krishterë; dhe se zemra, mendja dhe forca e njeriut duhet të jepen në dashurinë e Perëndisë dhe të njeriut.