Lutja liturgjike nuk është thjesht lutja e individëve të krishterë të bashkuar në një. Nuk është një “shërbesë lutje” e bashkuar e shumë njerëzve së bashku. Më saktë, ajo është lutja zyrtare e Kishës e mbledhur zyrtarisht; lutja e Krishtit në Kishë që ofron “trupin” e Tij dhe “nusen” tek Ati në Mbretërinë e qiellit (kr. Hebrenjtë 7:24-25, 9:24). Modeli i lutjes liturgjike është në librin e Zbulesës dhe jo në ngjarjet e ungjillit të Jerusalemit ose Galilesë.
Në Kishën Orthodhokse nuk ka traditë të lutjes së bashkuar që nuk është liturgjike. Disa e shohin këtë si një mungesë, por ka shumë mundësi të jetë bazuar në mësimin e Krishtit që lutja e individëve duhet të bëhet “në fshehtësi” (Matheu 6:5-6). Kjo të ruan nga përsëritja e kotë dhe nga shprehja e kërkesave personale që nuk kanë kuptim për të tjerët. Ajo i mbron, gjithashtu, njerëzit që të mos jenë të varur nga përcipshmëria dhe cektësia e atyre, të cilët në vend që të luten, thjesht shprehin opinionet dhe dëshirat e mendjes dhe zemrës së tyre.
Kur një person merr pjesë në lutjen liturgjike të Kishës, ai mund ta bëjë këtë me frytshmëri vetëm përsa ai lutet vetë, në shtëpi dhe në mendjen dhe zemrën e tij. Ai që lutet “pa ndërprerë” është ai që ofron dhe merr më shumë në lutjen liturgjike.
Kur një merr pjesë në lutjen liturgjike të Kishës, ai duhet të bëjë çdo përpjekje për ta bashkuar veten plotësisht me të gjithë anëtarët e trupit. Ai nuk duhet “të thotë lutjet e tij” në kishë, por duhet të lutet “me Kishën”. Kjo nuk do të thotë se ai i harron nevojat dhe dëshirat e tij, as që e depersonalizon veten dhe bëhet veçse një zë më tepër në turmën. Por, do të thotë se duhet të bashkojë personin e tij, nevojat dhe dëshirat e tij, të gjithë jetën e tij me ata që janë të pranishëm, me kishën nëpër tërë botën, me engjëjt dhe shenjtorët, me të vërtetë me Vetë Krishtin në një “liturgji” madhërisht “hyjnore” dhe “qiellore” të të gjithë krijimit para Perëndisë.
Praktikisht, kjo do të thotë se një që merr pjesë në lutjen liturgjike duhet ta vendosë tërë qenien e tij, tërë mendjen dhe zemrën e tij, në çdo lutje, kërkesë dhe veprim liturgjik, duke e bërë atë të gjallë në veten e tij. Nëse çdo person e bën këtë, atëherë thirrjet liturgjike bëhen të vërteta dhe të sinqerta dhe tërë bashkësia si një trup do ta lavdërojë Perëndinë me “një gojë, një mendje dhe një zemër” (Mesha e Shën Joan Gojartit, kr. Vëllimi II, Adhurimi).