Letra e Shën Jakovit
Sipas Traditës së Kishës, letra e Shën Jakovit nuk është shkruar nga asnjëri prej apostujve, por nga “vëllai i Zotit” i cili ishte peshkopi i parë i Kishës së Jerusalemit (Shih Veprat 15; Galatianët 1:19). Letra i drejtohet “dymbëdhjetë fiseve të shpërndarë” që me sa duket kupton të krishterët jashtë Kishës së Jerusalemit. Qëllimi kryesor i letrës së Jakovit është të nxisë të krishterët që të jenë të qëndrueshëm në besim dhe të bëjnë ato vepra për të cilat janë thirrur nga “ligji i përsosur” i Krishtit që është “ligji i lirisë” (1:25, 2:12). Ajo synon të ndreqë opinionin e rremë, sipas të cilit, meqenëse të krishterët janë të liruar prej punëve rituale të ligjit të Moisiut nëpërmjet besimit në Krishtin, ata nuk kanë më nevojë të bëjnë ndonjë vepër të mirë dhe nuk janë të nënshtruar aspak ndaj ndonjë ligji. Kështu, autori shkruan shumë qartë kundër doktrinës së shpëtimit nga “besimi vetëm”pa vepra të mira, të cilat besimtari duhet t’i kryejë patjetër nëse besimi i tij është i vërtetë.
Ç’dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi? Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm, dhe dikush nga ju u thotë atyre: “Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni”, dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç’dobi ka? Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete. Po dikush do të thotë: “Ti ke besimin, dhe unë kam veprat”; më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia. Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen. Po, a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i vdekur? Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar? Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos. Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: “Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”; dhe u quajt miku i Perëndisë. Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi (2:14-24).
E para ndërmjet veprave të mira, për të cilën letra ngulmon me pasion, është vepra e nderimit dhe e shërbimit ndaj të varfërit dhe të vogëlit pa mbajtur hatër dhe pa lakmi, gjë që është shkaku i të gjitha luftërave dhe padrejtësive ndërmjet njerëzve (2:1-7). Autori e kundërshon me pasion çdo “miqësi me botën” e cila e bën njeriun “armik të Perëndisë” për shkak të lakmisë dhe pangopshmërisë (4:1-4). Ai u drejtohet të pasurve duke u thënë “qani dhe vajtoni për të këqijat që do vijnë mbi ju” për shkak të “qejfeve dhe llukseve” që ata patën duke shfrytëzuar të tjerët (5:1-6). Së bashku me përbuzjen ndaj pasurisë Jakovi mëson edhe për nevojën absolute të “frenimit të gjuhës”, kësaj “gjymtyre të vogël” e cila është një “zjarr” që njeriu e përdor për t’u mburrur, shpifur, dënuar, mallkuar, gënjyer dhe për të folur keq kundër vëllezërve të tij, “duke e fëlliqur të gjithë trupin” dhe “duke flakëruar tërë ciklin e jetës” (3:1-12).
Në qoftë se ndokush nga ju mendon se është fetar, edhe nuk i vë fre gjuhës së vet, sigurisht ai e mashtron zemrën e vet, feja e këtij është e kotë. Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota (1:26-27).
Mësimi i letrës së Jakovit “Se çdo dhënie e mirë dhe çdo dhuratë e përsosur, zbret që lartazi prej teje, Atit të dritave” (1:17) është bërë pjesë e lutjes së përlëshimit të Meshës hyjnore të Kishës Orthodhokse. Prej letrës së Jakovit është edhe leximi i apostullit të parë në misterin e Vajimit të shenjtë.
A vuan ndonjë nga ju? Le të lutet. A është i gëzuar ndokush? Le të këndojë psalme! A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit, dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen. Rrëfeni fajet njëri – tjetrit dhe lutuni për njëri – tjetrin, që të shëroheni. (5:13-16; Shih Vëllimin II Adhurimi)