Djalli

    Shkrimet dhe jetët e shenjtorëve të Perëndisë sjellin dëshminë e ekzistencës së djallit. Djalli është një frymë e rënë pa trup, një engjëll i krijuar nga Perëndia për shërbimin dhe lavdërimin e Tij. Së bashku me djallin, është ushtria e tij e fuqive të këqia engjëllore që u rebeluan kundër mirësisë së Perëndisë dhe kërkuan të prishnin dhe shkatërronin krijimin e mirë të Perëndisë. Po si ke rënë prej qiellit, o Lucifer, ylli i Ditës, bir i Agimit (Isaia 14:12). Dhe engjëjt që nuk e mbajtën pozitën e tyre por e lanë banesën e tyre, janë mbajtur nga ai në pranga të përjetshme në errësirë për gjyqin e ditës së madhe . . . (shih Juda 6, 2 Pjetri. 2:4). dhe djalli, satani, që mashtron tërë dheun, u hodh mbi tokë; me të u hodhën edhe engjëjt e tij (Zbulesa 12:9). Në Dhiatën e Re Zoti Jisu flet për djallin, të cilin e quan “princ i kësaj bote” (Joani 12:31, 14:30, 16:11), në këtë mënyrë: Ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë të rrema, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i rrenës (Joani 8:44).

    Djalli dhe shumica e frymërave të këqija të tij, “principatat . . . pushtetet . . . sunduesit e botës së errësirës të kësaj epoke . . . frymërat e mbrapshta në vendet qiellore” (Efesianët 6:12). luftojnë kundër njeriut, duke kërkuar ta shkatërrojnë atë me anë të kapjes në lakun e mëkatit. Kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë (1 Pietr. 5:8). Krishti e ka shkatërruar fuqinë e djallit. Ai erdhi në botë, pikërisht, për këtë arsye. Nëse dikush është “në Krishtin” ai është jashtë tundimit dhe është i çliruar nga i ligu. Nëse dikush është në Krishtin, djalli, i cili quhet, gjithashtu, Satan, që do të thotë Kundërshtari, i cili “shndërrohet në engjëll drite” (2 Korinthianët 11:14), nuk mund ta mashtrojë ose ta dëmtojë atë. Të jesh fitimtar mbi tundimet joshëse dhe mashtruese të djallit, ky është qëllimi i jetës shpirtërore.