Historia
Mbas Ligjit në Bibël janë librat që quhen historikë. Ata tregojnë historinë e Izraelit qysh prej vendosjes në tokën e premtuar të Kananit dhe deri në shekujt e parë para Krishtit. Këta libra janë: Jisui i Naviut, Gjyqtarët, Samueli 1 dhe 2, Mbretërit 1 dhe 2, Kronikat 1 dhe 2, Ezra, Nehemia, Ester, si edhe Esdra 1 dhe 2, Tobia, Judita dhe Makabejtë 1 dhe 2. Bibla anglisht përfshin edhe Makabejtë 3. Në emërtimin e librave të Biblës në Kishën Orthodhokse, që është në përgjithësi ai i Septuagjintës, përkthimi greqisht i Biblës hebraike, Samueli 1 dhe 2 quhen Mbretërit 1 dhe 2, dhe Mbretërit 1 dhe 2 quhen Mbretërit 3 dhe 4. Gjithashtu, të ashtuquajturit libra apokrifë1, të renditur para Esterit, konsiderohen nga Orthodhoksët si pjesë autentike të Biblës. Apokrifët2 e Dhiatës së Vjetër janë libra që konsiderohen nga jo-orthodhoksët si të lidhur ngushtë me Biblën, por jo pjesë përbërëse kanonike e saj.
Libri i Jisuit të Naviut fillon me kapërcimin e lumit Jordan dhe hyrjen në Tokën e premtuar nga Populli i Izraelit nën drejtimin e Jisuit, pasardhësit të Moisiut. Ai tregon për fitoret e izraelitëve kundër banorëve vendas dhe për vendosjen e dymbëdhjetë fiseve në territoret e caktuara për secilin nga Moisiu. Libri i Gjyqtarëve tregon për periudhën kur Izraeli drejtohej nga “gjyqtarë” të caktuar nga Perëndia. Më të famshmit janë: Ehudi, Debora, Gideoni, Jeftah dhe Samsoni. Gjatë kësaj periudhe, shpesh izraelitët nuk ishin besnikë ndaj Perëndisë dhe i jepeshin të keqes. Ata ishin vazhdimisht në luftë me njëri-tjetrin dhe me fqinjët. Libri mbaron me fjalinë:“Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij” (Gjyqtarët 23:25).
Libri i Ruthit është një histori e shkurtër e një gruaje moabite të cilën Perëndia e bekoi të bëhej gruaja e Boazit, stërgjyshja e Mbretit David. Librat e Samuelit dhe tëMbretërve fillojnë me lindjen e Samuelit, profetin që Perëndia e zgjodhi të vajosë Saulin si mbretin e parë të Izraelit. Deri tek Sauli nuk kishte mbret, sepse Vetë Perëndia ishte Mbreti për Popullin e Tij. Por Izraeli donte të bëhej “si të gjithë kombet” dhe Perëndia e pranoi dëshirën e tyre, ndonëse me ngurim (Samueli 8). Sauli shpejt u bë i keq dhe Perëndia dërgoi Samuelin të vajosë si mbret në vend të tij, Davidin, djaloshin bari. Sauli u tërbua nga zemërimi dhe luftoi kundër Davidit, por Davidi u tregua i mëshirshëm ndaj tij, ndonëse ai lehtësisht mund ta kishte vrarë. Gjatë gjithë kësaj kohe izraelitët ishin vazhdimisht në luftë. Në fund, Sauli preferoi më mirë të vriste veten sesa të kapej rob nga filistinët. Kështu Davidi mbeti i vetmi mbret. Mbasi i nënshtroi të gjithë armiqtë e tij, si brenda Izraelit ashtu edhe jashtë tij, Davidi themeloi një mbretëri të lavdishme me qendër në Jerusalem, qytetin që ai ndërtoi. Biri i Davidit, Solomoni, i pajisur nga Perëndia me një dituri të madhe, e zgjeroi mbretërinë e atit të tij dhe ndërtoi tempullin e madh për Perëndinë në Sion. Mbretërimi i Davidit dhe Solomonit zgjati prej 1000-922 p.K.
Shumë shpejt mbas vdekjes së Solomonit mbretëria u shkatërrua. Nga ajo dolën dy shtete rivale, Izraeli dheJuda, të cilët ishin vazhdimisht në luftë me njëri-tjetrin dhe me fqinjët e tyre. Kjo ishte një kohë rënie dhe ligësie të madhe që zgjati për rreth treqind vjet dhe mbaroi me Robërinë Babilonase (587-539 p.K.). Ishte koha e profetit Elia (Ilia) dhe e shumë profetëve të mëdhenj të Perëndisë. Babilonia u pushtua nga persët të udhëhequr nga Kiri dhe Dari, të cilët i kthyen izraelitët në atdheun e tyre. Librat e Ezras dhe Nehemias tregojnë për rivendosjen e judejve, rindërtimin dhe rihapjen e tempullit në Jerusalem. Dy librat e Kronikave datojnë prej së njëjtës periudhë dhe mund të jenë hartuar nga Ezra, ndonëse studjuesit i konsiderojnë si vepra të autorëve të shekullit të tretë, ndoshta i njëjti që shkroi Ezran dhe Nehemian. Kronikat mbulojnë historinë e Izraelit prej Adamit deri në kohën e Kirit. Ata përmbajnë gjenealogji të shumta dhe tregojnë interes të veçantë për Davidin dhe mbretërit, si edhe për tempullin dhe priftërinë. Në Biblën e Septuagjintës Kronikat quhen Paralipomena, që do të thotë “çfarë është lënë jashtë”, duke treguar kështu, se qëllimi i tyre është të plotësojnë çfarë është lënë jashtë nga librat e tjerë historikë të Biblës.
Libri i Esterit dhe librat Esra 1 dhe 2, Tobia,Judita dhe Makabejtë 1 dhe 2, të cilët siç kemi thënë janë pjesë e Biblës në Kishën Orthodhokse, e sjellin historinë e Izraelit deri në kohën e Dhiatës së Re. Ata tregojnë për riorganizimin e komunitetit judaik rreth tempullit, kultit dhe ligjit si një mbetje e kombit të madh ose kombeve të Izraelit dhe Judas, që ekzistonte para kohës së mërgimit; një mbetje që luftonte vazhdimisht ndaj fuqive të jashtme nënshtruese. Ka shumë mundësi që librat historikë të Biblës të jenë shkruar mbasi kanë ndodhur ngjarjet e përshkruara në to.
____________________
1 Këto libra quhen apokrifë nga protestantët, por për Kishën Orthodhokse janë pjesë e Shkrimit të Shenjtë.
2 Meqenëse libri i drejtohet kryesisht lexuesit amerikan është përdorur fjala apokrifë.