Urtësia
Librat e Biblës që zakonisht quhen librat e Urtësisë* përfshijnë: Jobin, Psalmet, Fjalët e Urta (Proverbat),Kishtarin (Predikuesin) dhe Këngën e Solomonit (Kënga e Këngëve), si edhe Urtësinë e Jisuit, Birit të Sirakut, i quajtur gjithashtu Ekleziastiku, dhe Urtësinë e Solomonit nga të ashtuquajturit apokrifë. Libri i Jobit, i datuar zakonisht në periudhën e mërgimit, është historia e vuajtjes të të drejtit, ku vuajtësi e shtron çështjen e tij para Perëndisë dhe pastaj “u pendua në pluhur dhe hi” (42:6), kur pa Zotin dhe u përball me Atë, në mbrojtjen që i bëri Ai madhështisë së Tij të patreguar dhe të pashprehur. Pjesë nga ky libër lexohen në Kishën Orthodhokse gjatë ditëve të para të Javës së Madhe, sepse ato flasin për problemin më të thellë që përballin besimtarët, problemin e vuajtjes, që u soll në përmbushjen e fundme në Krishtin, i cili nuk është thjesht më i përsosuri i “vuajtësve të pafajshëm”, por është me të vërtetë Perëndia Vuajtës në mish njerëzor.
Libri i Fjalëve të Urta ose i Proverbave, i quajtur “proverbat e Solomonit”, vjen pa dyshim nga koha e Solomonit, ndonëse studiuesit i vendosin disa nga proverbat në një kohë shumë më të vonë. Ata na thonë gjithashtu, se libri mori formën aktuale vetëm mbas mërgimit babilonas. Fjalët e Urta janë thënie të shkurtra që kanë të bëjnë me sjelljen e përshtatshme të personave të mençur dhe të drejtë. Ato lexohen në tërësinë e tyre në Mbrëmësoret e ditëve të javës gjatë Kreshmës së Madhe. Pjesë prej Fjalëve të Urta lexohen, gjithashtu në vigjiljet e shumë të kremteve të Kishës, ngaqë për të krishterët Dituria e Perëndisë është personifikuar dhe trupëzuar në Krishtin. Kishtari (Predikuesi) është një libër meditimesh të arsyeshme rreth kotësisë së jetës në këtë botë dhe për diturinë e frikës së Perëndisë dhe mbajtjes së urdhërimeve të Tij, e cila është “tërësia e njeriut” (12:13). Tradicionalisht ky libër i atribuohet Solomonit, Predikuesit. Studiuesit e vendosin librin në shekullin e tretë para Krishtit, meqenëse gjejnë në të një frymë helenike, të marrë nga kombet pagane prej hebrenjve të diasporës.
E njëjta frymë si edhe ndikimet e filozofisë greke, por në një shkallë më të madhe, gjenden në Urtësia e Jisuit, Birit të Sirakut dhe në Urtësia e Solomonit, të cilët vijnë prej të së njëjtës periudhë, vigjilja e kohës së Dhiatës së Re. Nga të tre librat e porsapërmendur, vetëm Urtësia e Solomonit, që mbahet të jetë shkruar i fundit, lexohet liturgjikalisht në Kishën Orthodhokse. Kënga e Solomonit, e quajtur gjithashtu Kënga e Këngëve, mbahet nga studiuesit si një himn martesor kaananit i një date të panjohur. Në Traditën e Kishës Orthodhokse ajo interpretohet si një dashuri mistike ndërmjet shpirtit të njeriut dhe Perëndisë. Shenjtorët e krishterë, të Lindjes dhe Perëndimit, si Grigori i Nisës dhe Bernardi i Klervosë, i kanë dhënë një kuptim të tillë, i cili përputhet me traditën biblike që e shikon lidhjen e Perëndisë me Popullin e Tij si një dashuri bashkëshortore (Shih Ozea; Jeremia 2-3; Efesianët 5; Zbulesa 21-22). Ky libër kurrë nuk lexohet në shërbesat e Kishës Orthodhokse, ndonëse disa vargje prej tij këndohen tradicionalisht në Kishën Orthodhokse Ruse, kur nusja takon dhëndërin në kishë para kremtimit të martesës së tyre. Ndonëse jo teknikisht një libër ‘urtësie’, mund të përmendet këtu Lutja e Manaseut, nga të ashtuquajturat apokrifë. Kjo lutje pendestare e Mbretit të Judës, e cila për Kishën Orthodhokse është pjesë e Biblës, përfshihet në shërbesën e Pasdarkës së Madhe të Kishës Orthodhokse.
____________________
*Mund të thuhet edhe Dituria