Letra e Shën Joanit
Tre letrat e Shën Joanit u shkruan nga nxënësi i dashur i Zotit i cili shkroi edhe ungjillin e katërt. Ato u shkruan në mbarim të shekullit të parë dhe kanë si temë të përgjithshme një polemikë të zjarrtë kundër “antikrishtëve” heretikë, të cilët po ndryshonin mësimet e Krishtit dhe po mohonin ardhjen e tij të vërtetë “në mish” për shpëtimin e botës, duke i mohuar kështu të dy “Atin dhe Birin” (1 Joani 2:22, 4:3; 2 Joani 7). Letra e parë e Shën Joanit është shtjellimi më i thjeshtë dhe më i thellë që ekziston për besimin e krishterë. Qartësia e saj në lidhje me Trininë e Shenjtë dhe jetën e krishterë në të vërtetë dhe në dashuri në kungim me Perëndinë, e bën atë të kuptueshme pa vështirësi për këdo që e lexon. Është vendi më i mirë për të filluar një studim të besimit të krishterë në përgjithësi dhe të Biblës në veçanti. Letra e parë fillon në të njëjtën mënyrë si Ungjilli i Shën Joanit, me të cilin është më i ngjashmi në tërë përmbajtjen dhe stilin e saj.
Atë që ishte nga fillimi, atë që dëgjuam, atë që pamë me sytë tanë, atë që vështruam dhe që duart tona e prekën lidhur me Fjalën e jetës… po jua shpallim, që edhe ju të keni kungim me ne; dhe kungimi ynë është me Atin dhe me Birin e Tij, Jisu Krishtin. Dhe po ju shkruajmë këto gjëra që gëzimi juaj të jetë i plotë (1:1-4).
Letra e parë e Shën Joanit shpall se “Krishti” është me të vërtetë Mesia dhe Biri i Perëndisë, i cili ka ardhur në botë “në mish” si “shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për të të gjithë botës” (2:2). Atyre që besojnë në Krishtin dhe janë në kungim me Atë dhe me Atin e Tij, iu janë falur mëkatet dhe mundësia të mos mëkatojnë më (1:5, 2:12). Ata “ecin sikurse ka ecur Ai” (2:6), duke qenë “bij të Perëndisë” (3:1, 5:1). Ata njohin të vërtetën nëpërmjet frymëzimit të drejpërdrejtë të Perëndisë nëpërmjet vajimit (miros) nga Shpirti i Shenjtë (2:20-26, 4:6-7). Ata i ruajnë urdhërimet e Perëndisë, e para dhe më e madhja e të cilave është dashuria dhe kështu ata janë pjesëmarrës të jetës së përjetshme, duke e zotëruar tashmë banimin e Perëndisë, Atit dhe Krishtit, Birit “nga Fryma që ai na dha” (2:24, 3:24).
Shumë të dashur, le ta duam njëri – tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia dhe kushdo që do, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë. Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri. Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë, që ne të rrojmë nëpërmjet Tij. Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona. Shumë të dashur, në qoftë se Perëndia na ka dashur në këtë mënyrë; edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin. Askush s’e ka parë ndonjëherë Perëndinë; po ta duam njëri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne. Nga kjo ne njohim se qëndrojmë në të dhe ai në ne, sepse ai na ka dhënë nga Fryma e tij. Dhe ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për të qenë Shpëtimtar i botës. Ai që rrëfen se Jisui është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron në të dhe ai në Perëndinë. Dhe ne njohëm dhe besuam dashurinë që Perëndia ka për ne. Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të (4:7-16).
Urrejtja e të tjerëve është shenja e sigurtë se dikush nuk e do Perëndinë (4:20) dhe është “akoma në errësirë” (2:9-11). Ai që urren vëllain e tij është “vrasës; dhe ju e dini se asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme të qëndrueshme në vete” (3:15). Ata që e duan Perëndinë urrehen nga bota që “gjendet nën të ligun” (5:19, 2:15-17). Letra e parë e Shën Joanit është pjesë e leximit të Kishës, ku pjesë të veçanta lexohen në festën e apostullit Joan. Letra e dytë e Shën Joanit i drejtohet “zonjës së zgjedhur dhe bijve të saj” që duket qartë se është Kisha e Perëndisë dhe anëtarët e saj. Përsëri theksohet e vërteta e Krishtit dhe urdhërimi i dashurisë.
Dhe kjo është dashuria, të ecim sipas urdhërimeve të tij. Sikurse e dëgjuat nga fillimi, ky është urdhërimi që morëm, që të ecni në të. Sepse në botë kanë dalë shumë mashtrues, të cilët nuk rrëfejnë se Jisu Krishti ka ardhur në mish; ky është mashtruesi dhe antikrishti. Bëni kujdes se mos humbi fryti i gjërave të kryera, por bëni në mënyrë të merrni një shpërblim të plotë. Kushdo që shkon tej dhe nuk qëndron në doktrinën e Krishtit, nuk ka Perëndi; kush qëndron në doktrinën e Krishtit, ka Atin dhe Birin (6-9).
Letra e tretë e Shën Joanit i drejtohet njëfarë Gaji, duke e lavdëruar atë për të “vërtetën e jetës së tij” (3) dhe duke e nxitur që të mos “imitojë të keqen, por të mirën” (11). “Nuk kam gëzim më të madh nga ky” shkruan apostulli i dashur, ”të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën” (4).