Ikonat

    Në Kishën Orthodhokse ikonat dëshmojnë për realitetin e pranisë së Perëndisë me ne, në misterin e fesë. Ikonat nuk janë piktura njerëzore apo një ndihmë vizuale për soditje dhe lutje. Ato janë dëshmi e pranisë së Mbretërisë së Perëndisë tek ne e kështu, për praninë tonë te Mbretëria e Perëndisë në Kishë. Në besimin orthodhoks ikonat jo vetëm janë të lejueshme, por ato janë shpirtërisht të nevojshme, sepse “Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne” (Joani 1:14). Krishti është me të vërtetë njeri dhe si njeri ai është me të vërtetë “ikona e Perëndisë së padukshme” (Kolosianët 1:15; 1 Korinthianët 11:7; 2 Korinthianët 4:4).

    Ikonostasi në Kishën Orthodhokse, tregon unitetin tonë me Krishtin, nënën e tij dhe tërë engjëjt e shenjtorët. Ai tregon unitetin tonë me Perëndinë. Tryeza e Shenjtë, e cila simbolizon Tryezën e Banketit të Mbretërisë së Perëndisë, është vendosur mbrapa dyerve të bukura, midis ikonave të Hyjlindëses me Krishtin si fëmijë dhe Krishtit të lavdëruar, duke treguar se gjithçka që na ndodh ne në Kishë, ndodh në histori ndërmjet “dy ardhjeve” të Krishtit: ndërmjet ardhjes së tij si Shpëtimtar lindur nga Maria dhe ardhjes së tij në fund të kohës si Mbret dhe Gjykatës.

    Ikonat në dyert e bukura, dëshmojnë për praninë e sihariqit të Krishtit, ungjillit të shpëtimit. Në to paraqiten katër ungjillorët që shkruan ungjijtë dhe shpesh, gjithashtu, një ikonë e Ungjillëzimit, shpalljes së parë së ungjillit në botë ( Ungjilli, ungjillorët dhe Ungjillëzimi vijnë nga fjala evangelion, që do të thotë lajm i mirë, sihariq). Mbi dyert, ne kemi ikonën e Darkës Mistike të Krishtit me nxënësit e tij, ikona e misterit qendror të besës së krishterë dhe të unitetit të Kishës në botë. Ajo është dëshmia vizuale që, gjithashtu, edhe ne jemi, pjesëmarrës në “Dasmën e Qengjit” (Zbulesa 19:9) dhe që, gjithashtu, jemi bekuar nga Krishti “të hani e të pini në tryezën time në mbretërinë time” (Lluka 22:30), bekuar “për të ngrënë bukë në Mbretërinë e Perëndisë” (Lluka 14:15).

    Mbi dhe rrotull dyerve qendrore, janë ikonat e shenjtorëve. Në dyert e dhiakonëve (ose dyert anësore), zakonisht janë ikona engjëjsh ose dhiakonësh, shërbëtorët e Perëndisë. Në krah të ikonës së Krishtit, zakonisht është ikona e Shën Joan Pagëzorit dhe në krah të ikonës së Hyjlindëses Mari, është ikona e shenjtit të Kishës. Në varësi të madhësisë së ikonostasit, mund të jenë edhe radhë ikonash të apostujve, festave kryesore të Kishës, të profetëve dhe shenjtorëve të bekuar nga Perëndia. Mbi të gjitha këto, sipër ikonostasit qëndron kryqi i Krishtit. Shekujt e fundit, në shumicën e kishave orthodhokse, ikonostasi filloi të zbukurohej shumë dhe u kthye në një mur, më tepër, duke i ndarë se sa duke i bashkuar besimtarët me hieroren.

    Në vitet e fundit, fatmirësisht, ky zhvillim është ndryshuar në shumë vende. Ikonostasi, në shumë Kisha, tani i jep përparësi vetë ikonave dhe është bërë përsëri një ikonë “mbajtës” (stasis), se sa një ndarës. Përveç ikonostasit, Kisha Orthodhokse ka shpesh ikona ose afreske në muret dhe tavanin. “Kanoni” i planit të Kishës ka ikonën e Krishtit të Gjithëpushtetshëm në qendër të ndërtesës (në kubenë në mes të Kishës) dhe ikonën e Hyjlindëses me Krishtin në absidën e hierores. Kjo e fundit është quajtur “imazhi i Kishës”, meqenëse Maria vetë është prototipi i tërë asamblesë së besimtarëve, në të cilën Krishti duhet të banojë.

    Gjithashtu, është tradicionale të vendosen në hierore ikonat e shenjtëve që shkruan liturgjitë dhe himnet e Kishës. Mbrapa Tryezës së Shenjtë, zakonisht është imazhi i Krishtit në lavdi – i fronëzuar ose i shpërfytyruar, ose i ngjallur dhe disa herë, duke dhënë Kungatën.