Gjyqi i Fundit

    Çdo njeri do të qëndrojë para gjykatores së Perëndisë për jetën e tij në këtë botë. Çdo person do të gjykohet sipas fjalëve dhe veprave të tij.

    Por unë po ju them se ditën e gjyqit njërëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë. Sepse në bazë të fjalëve të tua do të justifikohesh, dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh (Matheu 12:36-37).

    Sepse Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe atëherë Ai do të shpërblejë secilin sipas veprës së tij (Matheu 16:27, kr. Zbulesa 2:23).

    Gjykatësi do të jetë Vetë Krishti, sepse Ai është Ai që, me anë të pësimit dhe vdekjes së tij, ka marrë pushtetin për të gjykuar. Është i Kryqëzuari Ai që do të thërrasë të gjithë njerëzit të japin llogari në fund të botës. Ai e ka fituar këtë të drejtë si njeri nëpërmjet përsosjes së jetës së Tij njerëzore.

    Sepse Ati . . . i ka dhënë, gjithashtu autoritet të gjykojë, sepse është Bir i njeriut (Joani 5:27).

    Krishti do t’i gjykojë të gjithë njerëzit vetëm në bazë të asaj sesi ata i kanë shërbyer Atij nga shërbimi ndaj të gjithë njerëzve – më të voglit të vëllezërve.

    Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet. Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij; dhe Ai do ta ndajë njërin nga tjetri, ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë. Dhe delet do t’i vërë në të djathtën e tij dhe cjeptë në të majtën.

    Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: “Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës. Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët, isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë”.

    Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen duke thënë: “Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë? Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm? Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te Ti?”.

    Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: “Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua”.

    Pastaj Ai do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: “Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij. Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë, isha i huaj dhe nuk më pritët, i zhveshur dhe nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët të më shihni”.

    Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen duke thënë: “Zot, kur të pamë të uritur ose të etur, ose të huaj, ose të zhveshur, ose në lëngatë ose në burg dhe nuk të shërbyem?”.

    Atëherë Ai do t’u përgjigjet atyre duke thënë: “Në të vërtetë ju them: sa herë nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, këtë nuk ma bëtë as edhe mua”.

    Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme (Matheu 25:31 – 46).

    E gjithë jeta shpirtërore përmbushet në këtë parabolë të Krishtit, sepse zemra e saj është dashuria, si për Perëndinë ashtu edhe për njeriun.

    Duke komentuar rreth këtij mësimi mbi gjyqin e fundit, Shën Agustini ka thënë se vetë Krishti është me të vërtetë Ai që është gjendur në të gjitha këto rrethana, ashtu si Ai është Ai që është Shpëtimtari i secilit prej tyre.

    Ai Vetë ishte i uritur: Ai që është “buka e jetës”, që nëse një njeri ha prej saj ai nuk do të ketë më uri (Joani 6:35).

    Ai Vetë ishte i etur, duke thirrur “kam etje!” (Joani 19:28); Ai që jep “ujin e gjallë”, që nëse një njeri pi prej tij ai nuk do të ketë më kurrë etje (Joani 4:13, 6:35, 7:37).

    Ai vetë ishte i huaj, pa patur “vend ku të mbështesë kokën” (Matheu 8:20, Lluka 9:58), që “erdhi tek të tijtë, edhe të tijtë nuk e pritën Atë” (Joani 1:11); ai që i çon të gjithë njerëzit në shtëpi në banesat qiellore të Atit (Joani 14:1-2).

    Ai Vetë ishte i zhveshur, në grazhdin në Betlehem, në rrjedhën e Jordanit dhe në kryqin në Golgotha; ai që i vesh të gjithë njerëzit me Veten e Tij (Galatianët 3:27) dhe me “rroben e shpëtimit” (Isaia 61:10, Zbulesa 6:11).

    Ai vetë ishte i sëmurë, “i plagosur për fajet tona” dhe “i ndrydhur për paudhësitë tona”, i lënë i varur vetëm në kryq (Isaia 53:5, Matheu 26:56); Ai që i shëron të gjitha plagët e njerëzve, sepse “me plagët e Tij ne u shëruam” (Isaia 53:5).

    Ai Vetë ishte në burg, i arrestuar si një kriminel dhe i hedhur në burg, i braktisur nga nxënësit e Tij (Matheu 26:56, 27); Ai që shpall “çlirimin e atyre që janë në robëri” (Isaia 61:1, Lluka 4:18), duke i çliruar njerëzit nga çdo gjë që i mbante të lidhur dhe duke u falur fajet e tyre.

    Meqënëse Krishti e ka identifikuar Veten e Tij tërësisht me çdo njeri, me secilën nga gjendjet e tij të trishtuara dhe të mundimshme, personi që “ia ka bërë këtë më të voglit të vëllezërve të tij”, ia ka bërë këtë Krishtit Vetë – jo “sikurse” Krishtit, por Krishtit në realitet, sepse Krishti është vërtetësisht brenda çdo njeriu dhe çdo njeri është mbartës i Krishtit, “shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm” (Kolosianët 1:15).

    Shën Simeoni Teologu i Ri jep mësimin e mëposhtëm rreth parabolës së gjyqit të fundit:

    Biri i Perëndisë u bë Bir i Njeriut për të na bërë ne njerëzve bij të Perëndisë, duke e ngritur natyrën tonë me anë të hirit në atë që Ai është nga natyra, duke na dhënë ne lindje së lartazi nëpërmjet hirit të Shpirtit të Shenjtë dhe duke na çuar ne drejtpërsëdrejti në Mbretërinë e qiejve, ose më saktë, duke na dhuruar ne Mbretërinë e qiejve brenda nesh . . .

    Një njeri nuk shpëtohet ngaqë i ka treguar një herë mëshirë dikujt . . . sepse “isha i uritur” dhe “kisha etje” nuk është thënë për një rast, as për një ditë, por për të gjithë jetën. Në të njëjtën mënyrë, “më dhatë për të ngrënë”, “më dhatë për të pirë”, “më veshët” dhe kështu me radhë, nuk tregojnë vetëm një ngjarje apo veprim, por një qëndrim të vazhdueshëm tek gjithsecili gjithmonë. Zoti Ynë Jisu Krisht tha se Ai Vetë e pranon një mëshirë të tillë . . . në personat në nevojë.

    . . . është Ai të cilin ne ushqejmë në çdo lypës . . . Ai të cilin e kemi lënë të vdesë nga pakujdesia jonë . . .

    Zotit Tonë i pëlqeu të merrte mbi vete mirësinë për çdo njeri të varfër . . . që asnjë që beson në Atë të mos e lartësojë veten mbi vëllezërit e tij, por të shohë Zotin në vëllanë e tij, t’a konsiderojë veten nën atë . . . dhe t’a nderojë atë dhe të jetë i gatshëm të shpenzojë gjithçka për ta ndihmuar atë, ashtu si Zoti ynë e derdhi gjakun e tij për shpëtimin e tonë.

    Një njeri që është urdhëruar ta dojë të afërmin si veten e tij duhet të bëjë kështu . . . gjatë tërë jetës së tij . . . Një njeri që e do të afërmin si veten nuk mund ta lejojë veten të zotërojë ndonjë gjë më shumë se i afërmi i tij; kështu që, nëse ai ka më shumë dhe nuk e shpërndan tek ata pa zili . . . ai nuk po e përmbush ekzaktësisht urdhërimin e Zotit.

    Nëse ai që ka . . . përçmon atë që nuk ka . . . ai duhet të shihet si një që ka përçmuar Krishtin Zotin tonë.

    Fjalët e Tij, “këtë ma bëtë mua”, nuk kufizohen vetëm ndaj atyre që kemi qenë të pasjellshëm, ose ndaj atyre që i kemi trajtuar padrejtësisht, ose ndaj atyre që u kemi marrë mallin, ose ndaj atyre që i kemi dëmtuar, por përfshijnë edhe ata që i kemi përçmuar. – Kjo e fundit vetëm është e mjaftueshme për dënimin tonë sepse, duke i përçmuar ata, ne kemi përçmuar Vetë Krishtin.

    E gjitha kjo mund të duket e ashpër për njerëzit dhe ata mund të mendojnë se është e drejtë t’i thonë vetes: “Kush mund ta ndjekë këtë krejtësisht, të kënaqësh dhe të ushqesh çdo njeri dhe të mos lësh asnjë të pakënaqur?” Le të dëgjojnë ata Shën Pavlin: “Sepse dashuria e Krishtit na shtrëngon . . .” (2 Korinthianët 5:14).

    . . . një njeri që jep gjithçka . . . i ka plotësuar urdhërimet e veçanta me një të goditur . . . ashtu si ai që lutet vazhdimisht i ka plotësuar rregullat e lutjes . . . dhe ai që ka Perëndinë në veten e tij . . . ka plotësuar gjithçka . . . (Porosi Praktike dhe Teologjike).

    Është, gjithashtu, mësimi i mjeshtërve shpirtëror se ajo që ne duhet t’u japim të gjithë njerëzve është Vetë Krishti: Buka e Jetës, Uji i Gjallë, Shtëpia e Atit, rroba e shpëtimit, shërimi i plagëve, çlirimi dhe ndjesa e të gjitha mëkateve. Në këtë kuptim, çdo njeri, s’ka rëndësi sa i pasur apo sa i drejtë është, ai është i varfër, i uritur, i etur, i zhveshur, i sëmurë, plot mëkat dhe i burgosur nga e keqja dhe vdekja. Kështu, “t’ia bësh këtë më të voglit të vëllezërve” është t’i ofrosh Krishtin të gjithë njerëzve, t’u japësh atyre plotësimin e përjetshëm dhe pa mbarim të të gjitha nevojave dhe dëshirave të tyre: bukën që s’mbarohet kurrë, ujin që kënaq përjetësisht, një shtëpi që nuk e humbet kurrë, rroba që nuk vjetërohen, shërim nga i cili nuk vuan më përsëri dhe çlirim që nuk mund të rikthehet kurrë në robëri. Kështu, “t’ia bësh këtë më të voglit të vëllezërve” është të sjellësh tek ata Mbretërinë e Perëndisë. Duke bërë këtë ai i ofron të gjithë njerëzve dhe kështu Krishtit Vetë atë që tashmë u përket atyre nga Perëndia: ashtu si në liturgjinë e Kishës ne i blatojmë Perëndisë atë që është tashmë e Tij. Në çdo rast, kjo është Krishti Vetë.

    Të tuat nga të tuat, Ty të blatojmë nga të gjitha dhe për të gjitha (Mesha e Shën Joan Gojartit).

    Prandaj, kjo është dashuria e përsosur; dashuria e Perëndisë dhe e njeriut, dashuria për Perëndinë dhe për njeriun, duke u bërë një dhe e njëjta dashuri. Ajo kryhet në Krishtin dhe është Krishti. Të duash me këtë dashuri do të thotë të duash me dashurinë e Krishtit dhe të përmbushësh “urdhërimin e ri” të Tij “doni njëri-tjetrin, sikurse unë ju kam dashur” (Joani 13:34-35, 15:12). Në këtë është e gjithë jeta shpirtërore. Në këtë dhe vetëm në këtë, njeriu do të gjykohet në fund. Kjo është kurora e të gjitha virtyteve dhe lutjeve, fryti përfundimtar dhe më i përsosur i Shpirtit të Perëndisë në njeriun.