Dashuria e Perëndisë
Urdhërimi i parë i Perëndisë dhe më i madhi është që krijesat e Tij duhet ta duan Atë.
“Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot; dhe ti do ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde” (Marku 12:29-30, Matheu 22:37, Lluka 10:27, Ligji i Përtërirë 6:4-5).
“Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi” (Matheu 22:38).
Të duash Zotin Perëndinë me gjithë zemër do të thotë të mos dëshirosh asgjë, por vetëm Atë dhe vullnetin e Tij të shenjtë. Sipas shkrimeve dhe mësimit të shenjtorëve, zemra është qendra e njeriut. Ajo është “pjesa më e thellë” e njeriut, themeli dhe udhëheqësi i jetës së tij. Çfarë është në zemrën e njeriut dhe çfarë zemra e tij dëshiron, është ajo që përcakton tërë jetën dhe veprimtarinë e njeriut.
“Mendimet e fshehura dhe zemra e njeriut janë të thella” (Psalmi 64:6).
“Njeriu i mirë e nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së vet; dhe njeriu i mbrapshtë i nxjerr të mbrapshta nga thesari i keq i zemrës së vet, sepse goja flet nga mbushullia e zemrës.” (Lluka 6:45, Matheu 12:34-35)
“Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku. Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriun” (Marku 7:21-23).
“Biri im, më jep zemrën tënde, dhe sytë e tu gjetshin gëzim në rrugët e mia” (Fjalët e Urta 23:26).
Sipas shkrimeve dhe shenjtorëve, zemra e njeriut bëhet e fortë, e trashë, e ftohtë dhe e korruptuar kur është kryeneçe dhe rebele kundër Perëndisë, duke e zhveshur veten nga Fryma e Tij e Shenjtë. Shumë herë dhe në shumë mënyra të ndryshme kjo thuhet në shkrimet e shenjta (Ligji i Përtërirë 6:7, Isaia 6:10, Jeremia 5:23, Zaharia 7:12, Marku 8:17, Matheu 19:8 e shumë të tjerë.). Por kur njeriu mëkaton, Zoti përsëri e do besnikërisht dhe e pastron zemrën e tij me hirin që ai të mund të shpëtojë për jetën e përjetshme.
“Dhe unë do t’ju jap atyre një zemër tjetër dhe do t’u shtie përbrenda një frymë të re, do të heq nga mishi i tyre zemrën prej guri dhe do t’u jap një zemër prej mishi, me qëllim që të ecin sipas statuteve të mia dhe të respektojnë ligjet e mia dhe t’i vënë në praktikë; atëherë ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre.
Pendohuni dhe braktisni tërë shkeljet tuaja, kështu paudhësia nuk do të jetë më për ju shkak shkatërrimi. Flakni larg jush tërë shkeljet tuaja që keni kryer dhe bëjini vetes një zemër të re dhe një shpirt të ri. Pse vallë doni të vdisni, o shtëpi e Izraelit? Unë, në fakt, nuk ndjej asnjë kënaqësi me vdekjen e atij që vdes, thotë Zoti Perëndi. Ndërroni rrugë, pra, dhe do të jetoni.
Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një frymë të re . . . Do të vë Frymën time brenda jush dhe ju do të jetoni . . .” (Ezekieli 11:19-20, 18:30-32, 36:26-27, 37:14; Kr. Psalmi 51:10; Jeremia 31:31-34; Isaia 57:15-18; Joeli 2:28-29).
Perëndia jep një zemër të pastër dhe një frymë të re e të drejtë tek njeriu që ai të mund ta dojë Atë si shpërblim me gjithë zemrën e tij. Kjo është dhënë në Krishtin, në Shpirtin e Shenjtë, në Kishën e besëlidhjes së re dhe të përjetshme. Është dhënë që njeriu të mund të përmbush urdhërimin e parë dhe më të madh të Perëndisë (Kr. 2 Korinthianët 3-5).
Ta duash Perëndinë me gjithë shpirt do të thotë ta duash Atë me çdo fuqi shpirtërore dhe me tërësinë e jetës. Disa herë fjala shpirt është përdorur në shkrimet e shenjta si sinonim për vetë jetën. Shpirti i njeriut është jeta e tij, gjithçka e jetës së tij. Kur një e do Perëndinë me gjithë shpirtin e tij, ai e do Atë dhe i shërben Atij në gjithçka që ai bën, duke i bërë të gjitha “për lavdinë e Perëndisë.” (Kr. 1 Korinthianët 10:31)
Të duash Perëndinë me gjithë mendjen do të thotë të duash Fjalën e Perëndisë, t’i shërbesh besimit të Perëndisë, të kënaqesh në urdhërimet e drejta të Perëndisë.
“. . . Do të kënaqem me urdhërimet e Tua, sepse i dua, i nderoj urdhërimet e Tua, sepse i dua dhe do të meditoj në statutet e Tua.
Oh, sa e dua ligjin Tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën. Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e Tua janë përsiatja ime.
Prandaj i dua urdhërimet e Tua më shumë se ari, më tepër se ari i kulluar. Prandaj i konsideroj të drejta urdhërimet e Tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës . . . jepmë kuptim që të jetoj.
Shuma e fjalës Sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e Tua të drejta qëndrojnë përjetë.
Unë e dëshiroj me zjarr shpëtimin Tënd, o Zot, dhe ligji Yt është gëzimi im.” (Psalmi 119)
Dashuria e Perëndisë me gjithë mendjen është “dashuria e së Vërtetës” dhe ata që e kundërshtojnë këtë dashuri janë ata që do të humbasin (Kr. 2 Selanikasit 2:9-11). Mendja e njeriut është udhëheqësi i jetës së tij, e drejtuar në të vërtetë nga pastërtia e zemrës së tij. Kur një e do Perëndinë me gjithë mendjen e tij, ai nuk është “në një formë me këtë botë”, por provon se “cili është vullneti i Perëndisë, çfarë është e mirë dhe e pranueshme dhe e përsosur” (Romanët 12:2). Ai është një që ndjek këshillën e Shën Pavlit dhe mendon vetëm dhe vazhdimisht rreth “gjërave që janë të vërteta, të ndershme, të drejta, të pastra, të dashura, nëse ka ndonjë virtyt, nëse ka ndonjë lëvdim . . .” (Filipianët 4:8). Ai është një, me një fjalë, që ka “mendjen e Krishtit” (1 Korinthianët 2:16).
Të duash Perëndinë me gjithë fuqinë do të thotë të jesh shpirtërisht i dhunshëm në ndjekjen e vullnetit të Perëndisë, me qëllim që ta bësh atë.
“. . . Mbretëria e qiejve po pëson dhunë dhe të dhunshmit e rrëmbyen” (Matheu 11:12).
Do të thotë të bësh gjithçka që t’i pëlqesh Atij, me të gjithë energjinë dhe fuqinë, t’i shërbesh Atij besnikërisht dhe me durim në çdo gjë deri në vdekje. Do të thotë të luftosh kundër, t’i rezistosh mëkatit dhe çdo të keqeje “deri në pikën që të derdhësh gjakun” (Kr. Hebrejtë 12:4). Do të thotë të kesh, edhe një herë, qëndrimin dhe virtytin e Shën Pavlit.
“Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte që epërsia e pashoqe e kësaj fuqie të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne. Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuar deri në fund; jemi ndërdyshas, por jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur, por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatërruar; kurdo ne e mbajmë në trupin tonë vdekjen e Zotit Jisu, që edhe jeta e Jisuit të shfaqet në trupin tonë.
. . . por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë në shumë vuajtje, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica, në rrahje, në burgosje, në kryengritje, në mundime, në të pafjetura, në agjërime, me pastërti, me njohuri, me durim, me mirësi, me Frymën e Shenjtë, me dashuri jo të shtirur, me fjalën e së vërtetës, me fuqinë e Perëndisë, me armët e drejtësisë në të djathtë dhe në të majtë, në lavdi dhe në çnderim, me emër të mirë dhe me emër të keq; si gënjeshtarë, por të vërtetë; si të panjohur, por të njohur; si njerëz që vdesin, por ja, jetojmë; si të ndëshkuar, por jo të vrarë; si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s’kanë kurrgjë, por kanë gjithçka” (2 Korinthianët 4:7-11, 6:4-10).
Ai që do Perëndinë përsosmërisht është një që e do Atë me fuqinë e Krishtit dhe të Shpirtit të Shenjtë, “fuqia . . . që përsoset në dobësi” (2 Korinthianët 12:9).