Veshjet
Në Kishën Orthodhokse kleri vesh veshje të veçanta për shërbesat liturgjike. Dy janë veshjet kryesore. E para është rroba e pagëzimit. Kjo rrobë, e cila vishet nga peshkopët dhe priftërinjtë në shërbesën e Kungatës së Shenjtë dhe që zakonisht është e bardhë, është “rroba e shpëtimit”: petku i bardhë, me të cilin çdo i krishterë vishet në ditën e tij të pagëzimit dhe që simbolizon njerishmërinë e re të Jisuit dhe jetën në Mbretërinë e Perëndisë (Zbulesa 7:9). Kjo rrobë quhet edhe stihari.
Rroba e dytë kryesore për klerin orthodhoks është petrahili (Veshur rreth qafës dhe që shkon poshtë deri tek këmbët.). Ai është shenja e detyrës baritore dhe fillimisht bëhej prej leshi, për të simbolizuar delet – d.m.th., anëtarët e grigjës së Krishtit – për të cilët barinjtë janë të përgjegjshëm. Peshkopët dhe priftërinjtë e veshin këtë, kur ata ushtrojnë detyrën e tyre priftërore, duke dëshmuar për faktin, që priftërinjtë e Krishtit jetojnë dhe veprojnë vetëm për anëtarët e grigjës së Krishtit. Gjatë zhvillimit historik të Kishës, veshjet e klerit u shtuan më tepër. Për dhiakonët, priftërinjtë dhe peshkopët u shtuan mbimëngët, për të mbajtur mëngët e veshjeve të klerit gjatë kryerjes së shërbesave. Kur klerikët veshin mbimëngët, ata thonë vargje prej psalmeve, për t’iu kujtuar atyre, që duart e tyre i përkasin Perëndisë. Gjithashtu u shtua edhe një brez i veçantë, për të mbajtur veshjet në vend. Kur veshin brezin, klerikët thonë psalmin, që iu kujton atyre se është Perëndia, ai, i cili i “ngjesh me fuqi” ata, për të kryer shërbesat e tyre. Vetëm peshkopët dhe priftërinjtë e veshin këtë brez liturgjik.
Të gjithë urdhërat e klerikëve veshin një rrobë të veçantë të jashtme. Dhiakonët, nëndhiakonët, këndonjësit, veshin një rrobë, që gjithashtu quhet stihari. Ka mundësi të jetë rroba e pagëzimit, por më e zbukuruar dhe më e zhvilluar. Dhiakonët dhe nëndhiakonët veshin, gjithashtu një brez shumë të gjatë të quajtur orari, ka mundësi që në fillim, në të ishin shkruar litanitë dhe lutjet (orare latinisht do të thotë të lutesh). Akoma dhiakonët e mbajnë atë në pozicionin e lutjes, kur thonë pjesët e tyre në shërbesat hyjnore. Orari i nëndhiakonit vendoset rrotull kurrizit të tij në formë kryqi. Priftërinjtë veshin gjithashtu, një rrobë tjetër të gjërë, të quajtur feloni, i cili mbulon tërë trupin e tyre nga mbrapa dhe shkon deri në mes të tyre përpara. Kjo rrobë ndoshta është zhvilluar prej robave të kohës së hershme të krishterë dhe nën frymëzimin e Shkrimit u identifikua me thirrjen e jetës priftërore. Kur veshin felonin priftërinjtë thonë vargje prej Psalmit 132: Priftërinjtë e tu, o Zot, do të vishen me drejtësi dhe oshënarët e tu do të ngazëllehen me ngazëllim. Gjithnjë, tani e përherë, e në jetë të jetëve. Amin.
Ndoshta edhe peshkopët tradicionalisht e kanë veshur felonin, mbi të cilin ata vishnin omoforin, shenjë e detyrës peshkopale, si bariu i Kishës lokale. Por, kur perandoria e krishterë u pushtua nga turqit në shekullin e 15-të, peshkopëve të Lindjes iu dha sundimi civil mbi të gjithë të krishterët që ishin nën sundimin turk. Në këtë kohë, meqenëse nuk kishte më një perandori të krishterë, peshkopët adoptuan shenjat perandorake dhe filluan të vishen siç visheshin gjatë kohës së perandorisë të krishterë sundonjësit civilë të krishterë. Kështu, ata filluan të veshin sakon, rrobën perandorake dhe mitrën, kurorën perandorake. Ata filluan, gjithashtu, të qëndrojnë mbi shqiponjën (një qilim i vogël i rrumbullakët, mbi të cilin është pikturuar një shqiponjë) gjatë shërbesave hyjnore dhe të mbajnë shkopin, që simbolizon më shumë pushtetin e tyre sekular, se sa detyrën e tyre baritore. Në këtë kohë, atyre iu dha edhe titulli dhespot (Kryezot) – një titull më tepër për një fuqi temporale, se sa shpirtërore. Po në këtë kohë, klerikët filluan të mbanin flokë të gjata, që ishte gjithashtu, një shenjë e sundimtarëve civilë në kohët e para. Në shekullin e 17-të, gjatë reformës së Patrikut Nikon, Kisha Ruse adoptoi të njëjtat forma për peshkopët e saj.
Kisha, disa prej këtyre shenjave të reja, iu dha një kuptim “shpirtëror” dhe biblik. Kështu, mitrat u bënë shenja të fitores së krishterë, sepse shenjtorët fitojnë kurora dhe mbretërojnë me Krishtin (Zbulesa 4:4). Shqiponja u bë shenja e fluturimit në Jerusalemin qiellor, meqenëse është simboli biblik klasik i Shën Joanit dhe i ungjillit të katërt (Zbulesa 4:7; Ezekiel 1:10). Shkopi u bë simboli i shkopit të Aaronit (Eksodi 4:2) dhe kështu me radhë. Megjithatë, duhet kuptuar, që këto shenja të veçanta të detyrës së peshkopit, janë zhvillime të mëvonshme dhe të rastësishme në Kishë. Në shërbesën e peshkopit në Kishën Orthodhokse, gjithashtu u zhvillua përdorimi i dy kandelabrave për të bekuar besnikët. Njëri prej tyre mban tre qirinj (trikiri), ndërsa tjetri dy qirinj (dikiri). Këto dy kandelabra simbolizojë dy misteret themelore të besimit orthodhoks: atë, që Perëndia është tre Persona Hyjnorë; dhe që Jisu Krishti, Shpëtimtari, ka dy natyra, duke qenë Perëndi i përsosur dhe njeri i përsosur.
Peshkopët dhe priftërinjtë në Kishën Orthodhokse, gjithashtu veshin edhe disa gjëra të tjera të veçanta. Mbigjunjësorja (epigonati), në formë rombi varur mbi kofshën e djathtë, vishet nga peshkopët. Por, ajo vishet edhe nga disa priftërinj, si një shenjë nderimi (protopresviterët, ikonomët dhe stavroforët). Ndoshta, fillimisht kjo ishte një “peshqir liturgjik.” Kuptimi simbolik i saj është ai i fuqisë shpirtërore: shpata e besës dhe Fjala e Perëndisë. Klerikët orthodhoksë veshin kapele të ndryshme. Kalimafi vishet nga të gjithë klerikët në Shqipëri dhe Greqi, por vetëm nga disa klerikë në Kishat Orthodhokse të kombeve të tjerë, si një shenjë dallimi e veçantë. Kalimafi zakonisht është i zi, por mund të jetë edhe në ngjyrë purpuri; peshkopët dhe murgjërit mbajnë gjithashtu vellon e zezë. Murgjërit mbajnë edhe një kapuç (skufia), por në traditën ruse edhe disa nga klerikët e martuar mbajnë një skufje, si një shenjë dallimi, të cilën e kanë ngjyrë purpuri. Në traditën ruse, gjithashtu, disa prej klerikëve të martuar i jepet nderi, që të mbajnë një mitër gjatë shërbesave liturgjike. Në Kishat e tjera Orthodhokse mitra vishet vetëm nga peshkopët dhe abatët e manastireve (igumenët, arkimandritët). Sot, veçanërisht në perëndim, përdorimi i kapeleve është shumë i rrallë.
Së fundi, duhet të përmendet që peshkopët mbajnë të varur një kryq. Në traditën ruse tërë priftërinjtë gjithashtu mbajnë kryq, ndësa në kishat e tjera vetëm disa priftërinj që kanë një gradë nderi (si protopresbiterët, ikonomët etj.). Peshkopi mban gjithashtu të varur ikonën e Shën Marisë me Krishtin si fëmijë (Të Tërëshenjtën). Gjatë zhvillimit të tyre historik veshjet klerikale u bënë shumë komplekse dhe ndonjëherë të ekzagjeruara. Sot, tendenca e përgjithshme në Kishë është drejt thjeshtimit. Ne duhet të shohim përpara, në një evolucion të vazhdueshëm të veshjeve kishtare, gjë që do ta udhëheqë Kishën në praktika, që janë më afër me frymëzimin fillestar biblik të krishterë dhe misteror.
Kisha Orthodhokse qëndron fort në theksimin e saj, se veshjet liturgjike janë esenciale për adhurimin liturgjik normal, i cili përjetohet si realizim i Kungimit me Mbretërinë e lavdishme të Perëndisë, një Mbretëri e cila do të vijë në të ardhmen, por, që është gjithashtu tashmë me ne, në misterin e Kishës së Krishtit.