Profecia

    Dhiata e Vjetër është e mbushur me profeci. Profeci do të thotë frymëzimi i drejtpërdrejtë i Perëndisë për të folur te bota fjalët e Tij. Pati shumë profetë në Dhiatën e Vjetër jo vetëm ata, emrat e të cilëve u janë dhënë librave profetikë të Biblës, por edhe shumë të tjerë, duke përfshirë: Moisiun, Elian (Ilian), Samuelin dhe Natanin. Në Dhiatën e Vjetër shumë profeci u bënë në lidhje me historinë dhe fatin e popullit të Izraelit dhe të gjithë racës njerëzore. Zakonisht, profecitë treguan çfarë Perëndia do të bënte ndaj paudhësisë dhe pabesisë së Popullit të Tij. Profecitë paratreguan tragjeditë që do t’i vinin Izraelit, për shkak të mëkateve të Popullit. Ato paratreguan, gjithashtu mëshirën dhe faljen përfundimtare të Perëndisë, i Cili është besnik ndaj premtimeve të Tij, që nuk do të zemërohet përgjithmonë, por, që do të restaurojë fatet e Popullit të Tij dhe do t’i sjellë të gjitha kombet në Mbretërinë e Tij të përjetshme (Shih më sipër Profetët).

    Akti përfundimtar i mëshirës dhe dhembshurisë së Perëndisë është dërgimi i Birit të Tij si Mesia i Izraelit. Jisui, ashtu siç e kemi parë, është Mbreti përfundimtar i Mbretërisë së Perëndisë që mbretëron përjetë. Ai është kryeprifti i madh që sjell tek Perëndia plotësimin dhe përsosmërinë e flijimeve priftërore të njeriut. Ai është, gjithashtu, Profeti i fundit dhe përfundimtar që shënon fillimin e kohës kur Perëndia krijon një popull të tërë profetësh, një bashkësi të tërë të atyre që janë mësuar drejtpërdrejt nga Perëndia për të njohur vullnetin e Tij dhe për të folur Fjalët e Tij në botë. Kështu, në Ungjillin e Shën Joanit, tregohet se njerëzit e njohën Jisuin jo thjesht si një profet apo njërin prej profetëve, por si Profetin përfundimtar, të Cilin Perëndia do ta dërgonte në fund të kohërave.

Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jisui (ushqimin e pesëmijëve), thanë: “Me të vërtetë ky është profeti, që duhet të vijë në botë” (Joani 6:14)Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë (rreth ujit të gjallë), thoshnin: “Ky është me të vërtetë Profeti!”. Të tjerë thoshnin: “Ky është Krishti” (Joani 7:40).

    Shën Pjetri i referohet të njëjtës dukje të Krishtit si Profeti, në predikimin e tij që i bëri popullit jashtë Tempullit në Jerusalem.

Vetë Moisiu, në fakt, u tha etërve: “Zoti, Perëndia juaj do të ngjallë për ju një profet si unë nga mesi i vëllezërve tuaj; dëgjojeni në të gjitha gjërat që ai do t’ju thotë! Dhe do të ndodhë që kushdo që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shkatërrohet në mes të popullit” (Veprat 3:22-23).

    Jisui është “ai profet” për të cilin foli Moisiu në Ligjin e Vjetër (Deuteronomi 18:15). Por edhe Moisiu dhe të gjithë profetët e lashtësisë nuk e kuptuan se “ai profet” do të ishte Biri hyjnor dhe Fjala e pakrijuar e Perëndisë në trup njeriu. Jisui, si Profeti i fundit, është më tepër se profet. Ai është rrënjësisht i ndryshëm nga profetët e mëparshëm. Ai është “mësuesi i ardhur nga Perëndia” (Joani 3:2), i Cili “mëson si një që ka autoritet” (Mattheu 7:39; Marku 1:22), i Cili nuk flet fjalët e Tij, por fjalët e Atit që e ka dërguar (Joani 14:24). Por Ai është akoma më tepër se kjo, sepse Ai është Vetë Fjala hyjnore e Perëndisë në trup njerëzor.

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim më Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë. Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve (Joani 1:1-4). Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë (Joani 1:14)Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir. Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jisu Krishtit. Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur (Joani 1:16-18).

    Si Fjala e Perëndisë në trup njerëzor, Jisui përmbush profecitë e profetëve të mëdhenj të mëparshëm që shkruan se në kohën e Mesias, të gjithë njerëzit do të mësoheshin drejtpërdrejt nga Perëndia.

Të kam braktisur për një çast të shkurtër, por me dhembshuri të pamasë do të të mbledh. Në një shpërthim zemërimi të kamfshehur për një çast fytyrën time, por me një dashuri të përjetshme do të kem dhembshuri për ty, thotë Zoti, Çliruesi yt. Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhëmbshuri për ty. Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Zoti dhe e madhe ka për të qenë paqja e bijve të tu. Ti do të vendosesh ngultas në drejtësi; do të jesh larg nga shtypja, sepse nuk duhet të trembesh më edhe nga tmerri, sepse nuk do të të afrohet më ty (Isaia 54:7-8, 10, 13-14)“Por kjo është besëlidhja që do të vendos me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve”, thotë Zoti: “Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im. Ata nuk do të mësojnë secili të afërmin e tij dhe secili vëllanë e tij, duke thënë: “Njihni Zotin!”, sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi”, thotë Zoti. “Sepse unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre” (Jeremia 31:33-34).

    Si profet dhe si Fjala e mishëruar e Perëndisë, Jisui është Udha, e Vërteta, Jeta dhe Drita e botës.

Jisui i tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje. Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë” (Joani 14:6-7)Dhe Jisui u foli atyre përsëri duke thënë: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Joani 8:12).

    Të gjithë ata që i përkasin Jisuit marrin pjesë në dhuratën e profecisë së Tij. Ai  e jep Shpirtin e Shenjtë tek të gjithë nxënësit e Tij që edhe ata të mundin ta njohin Atin dhe të flasin fjalët e Tij dhe të bëhen edhe ata vetë “drita e botës”.

Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet. Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi. Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej (Mattheu 5:14-16). … dhe do t’ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim, për të dëshmuar para tyre dhe para johebrenjve. Dhe, kur t’ju dorëzojnë në duart e tyre, mos u shqetësoni se çfarë dhe si do të flisni; sepse në atë çast do t’ju jepet se çfarë duhet të thoni; sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Fryma e Atit tuaj që do të flasë në ju (Mattheu 10:18-20).

    Mundësia e plotë e njerëzve për të profetizuar është dhënë në dhuratën e Shpirtit të Shenjtë, i Cili erdhi tek nxënësit e Krishtit në Rushajet dhe vazhdon të vijë tek të gjithë ata që në Kishë janë pagëzuar në Krishtin. Kjo derdhje e plotë e Shpirtit të Perëndisë në çdo mish, ishte profetizuar nga Joeli në Dhiatën e Vjetër. Kështu, përsëri, apostulli Pjetër jep dëshmi:

Por Pjetri u çua në këmbë bashkë me të njëmbëdhjetët dhe u foli atyre me zë të lartë: “Judenj dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, merrni njoftim për këtë dhe dëgjoni me vëmendje fjalët e mia. Këta nuk janë të dehur, siç po mendoni ju, sepse është vetëm ora e tretë e ditës. Por kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel: ‘Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish; dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra. Në ato ditë do të përhap nga Fryma ime mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia, dhe do të profetizojnë’ (Veprat e Apostujve 2:14-18).

    Po të njëjtën gjë thotë edhe apostulli Pavël kur ai ngulmon se profecia është e para nga dhuratat e Shpirtit të Shenjtë në Kishën e Mesias.

Kërkoni dashurinë dhe lypni me zemër të zjarrtë dhuntitë frymërore, por sidomos që të mund të profetizoni (1 Korinthianët 14:1).

    Në Mbretërinë e Perëndisë, e gjithë profecia do të pushojë, sepse do të jetë prania finale dhe e përsosur e Perëndisë. Atëherë Krishti, Fjala e Perëndisë, do të jetë i pranishëm me të gjithë lavdinë e Tij hyjnore, duke shfaqur Perëndinë Atin tek i gjithë krijimi.