Autorësia
Shkrimi i Shenjtë ka autorë të ndryshëm njerëzor. Disa libra të tij nuk e tregojnë se kush i shkroi. Të tjerë mbajnë emrat e personave të cilëve u jepet autorësia. Në disa raste është krejtësisht e qartë që autori i treguar është, në fakt, personi që e ka shkruar librin me dorën e tij. Në raste të tjera, është gjithashtu e qartë, që autori i librit kishte një person tjetër si sekretar për ta shkruar librin. Në disa raste të tjera është Tradita e Kishës, dhe shpesh edhe opinioni i studiuesve biblikë, që autori i treguar i një libri të Biblës nuk është personi (ose personat) që e shkroi atë, por personi që fillimisht e frymëzoi shkrimin, dhe kështu i është dhënë emri i autorit.
Në një numër rastesh Tradita e Kishës nuk është e qartë rreth autorësisë së disa librave të Biblës, dhe,në shumë raste, studiues biblikë, paraqesin teori të panumërta rreth autorësisë, të cilat pastaj i debatojnë ndërmjet tyre. Por është e pamundur të përcaktohet nëpërmjet studimit autorësia e çdo libri të Biblës, meqenëse studimet letrare dhe historike janë nga natyra relative. Meqenëse Kisha Orthodhokse mëson që i gjithë Shkrimi Shenjtë është frymëzuar nga Perëndia, i Cili, në këtë kuptim, është autori fillestar i tij, Tradita e Kishës e quan identitetin e autorëve njerëzorë si të parëndësishëm në interpretimin e saktë dhe kuptimin e duhur të librave të Biblës për komunitetin e besimtarëve. Në asnjë rast Kisha nuk duhet të pranojë që identiteti i autorit përcakton autencitetin ose vlefshmërinë e një libri, që është parë si pjesë e Biblës, dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të pranohet se vlefta ose kuptimi dhe përdorimi i drejtë i një libri të Biblës në Kishë varet vetëm në autorin njerëzor.