Simbolet e krishtera

    Në Kishën Orthodhokse simbolet përdoren me bollëk. Këto simbole janë ato realitete, të cilat kanë fuqinë dhe kompetencën e shfaqjes së Perëndisë tek njeriu, shenja që na mbartin ne përtej vetes tonë, në një bashkim dhe njohuri të vërtetë me gjërat e përjetshme dhe hyjnore. Ndërmjet simboleve të krishtera kemi përmendur ikonat, kryqin dhe veshjet liturgjike të kremtimit. Për më tepër, mund të përmendim përdorimin e ngjyrave të ndryshme, të cilat kanë kuptimet e tyre të veçanta, si dhe përdorimin e dritës, normalisht dritën e qirinjve, që na udhëheq te Krishti, Drita e botës dhe e Mbretërisë së Perëndisë. Duke folur në përgjithësi, drita është një simbol universal i pranisë mistike të Perëndisë, si i Vërtetë, i Mrekullueshëm dhe i Mirë. Kjo dëshmohet nga të gjitha fetë, filozofitë dhe shprehjet artistike.

    Kisha Orthodhokse ndjek Shkrimin e Shenjtë në përdorimin e temjanit (Eksodi 30:8; Psalmi 141:2; Lluka 1:9; Zbulesa 8:3). Temjani është simbol i ngjitjes lart të lutjes, i therores shpirtërore dhe i aromës së mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Kisha përdor gjithashtu bukë, verë, grurë, vaj, ujë, lule dhe fruta, si shenja të dashurisë, mëshirës, mirësisë, jetës dhe pranisë së Perëndisë, dhënë njeriut në krijimin dhe shpëtimin. Me të vërtetë, të gjithë elementet e krijimit e gjejnë “të vërtetën” e qenies dhe ekzistencës së tyre, si shprehje dhe shfaqje e Perëndisë, si “simbole” të veprimit dhe pranisë së tij në botë për njeriun. Kjo është arsyeja për përdorimin e tyre në këtë mënyrë në Kishë.

    Në Kishë, simbolet grafike të krishtera janë inicialet dhe germat e emrit të Krishtit; trekëndëshi për Trininë; rrethi për përjetësinë; peshku për Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, Shpëtimtarin; syri për omniprezencën (kudopraninë) e Perëndisë; spiranca për shpresën; shkëmbi (guri) për besën; flaka për praninë përpirëse të Perëndisë; hardhia, për të cilën Krishti tha – “Unë jam hardhia ju jeni degët” (Joani 15:5); alfa dhe omega (Zbulesa 1:8); kurora dhe skeptri, si shenja të mbretërimit të Krishtit; si dhe shumë të tjera – që tregojnë disa aspekte të pranisë dhe veprimit shpëtimtar të Perëndisë në botë.

    Përdorimi i simboleve është një mënyrë zbulese dhe Kungimi (bashkëpërjetimi), që e kapërcen komunikimin e thjeshtë verbal dhe intelektual. Vdekja e simboleve vjen kur ato shpiken artificialisht, kur shpjegohen racionalisht ose kur shndërrohen në thjesht “ilustrime”, kuptimi i të cilave nuk kapet përnjëherë nga njerëzit në nivelin e përvojës dhe vizionit të tyre të gjallë shpirtëror.