Shenjtëria

    Perëndia i Dhiatës së Vjetër ishte Perëndia i Shenjtë. Fjala “i shenjtë” do të thotë i ndarë, i ndryshëm, i pangjashëm me gjithçka tjetër që ekziston. Perëndia i Shenjtë i Dhiatës së Vjetër e zbuloi Vetveten tek populli i Tij i zgjedhur që ishte i aftë për të shikuar lavdinë e Tij. Lavdia e Zotit ishte një shfaqje e veçantë hyjnore e Personit dhe e Pranisë së Perëndisë. Ajo përbëhej në vizionin e dritës, madhështisë dhe bukurisë dhe ishte e shoqëruar nga zëri i Zotit dhe nga engjëjt e Tij të shenjtë. Ajo krijonte tek personat që e shikonin një ndijim të jashtëzakonshëm frike dhe mahnitje, si edhe bindjen e thellë të paqes, mirëqenies dhe gëzimit. Në këtë mënyrë e përjetoi Moisiu Perëndinë e Shenjtë në lavdinë e Tij hyjnore në Horeb, malin e Perëndisë, para Pashkës dhe në shkretëtirë mbas eksodit nga Egjipti.

Dhe Engjëlli i Zotit iu shfaq në një flakë zjarri, në mes të një ferrishtjeje. Moisiu vështroi dhe ja që ferrishtja po flakërohej nga zjarri, por nuk digjej. Atëherë Moisiu tha: “Tani do të zhvendosem për të parë këtë shfaqje madhështore: pse ferrishtja nuk po digjet!”. Zoti vuri re që ai ishte zhvendosur për të parë, dhe Perëndia e thirri nga mesi i ferrishtes dhe i tha: “Moisi, Moisi!”. Ai u përgjigj: “Ja ku jam”. Perëndia tha: “Mos u afro këtu: hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë”. Pastaj tha dhe këto fjalë: “Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit”. Dhe Moisiu fshehu fytyrën e tij, sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë (Eksodi 3:2-6).
Atëherë Moisiu tha: “Tregomë lavdinë tënde!”. Zoti iu përgjigj: “Unë do të bëj që të kalojë para teje gjithë mirësia ime dhe do të shpall emrin e Zotit para teje. Do të fal atë që do të fal dhe do të mëshiroj atë që do të mëshiroj”. Dhe tha akoma: “Ti nuk mund të shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë”. Pastaj Zoti tha: “Ja një vend afër meje; ti do të rrish mbi shkëmbin; dhe ndërsa do të kalojë lavdia ime, unë do të të vë në një të çarë të shkëmbit dhe do të të mbuloj me dorën time, deri sa të kem kaluar; pastaj do ta tërheq dorën dhe ti do të më shikosh nga kurrizi; por fytyra ime nuk mund të shihet” (Eksodi 33:18-23)

    Njerëz të tjerë të zgjedhur të Dhiatës së Vjetër e përjetuan, gjithashtu praninë e shenjtërisë hyjnore dhe të lavdisë së Perëndisë. Abrahami, Isaku, Jakovi, Elia dhe Ezekieli patën përvoja të tilla, ashtu si edhe Isaia vizioni klasik i të cilit është bërë një pjesë standarte e lutjes liturgjike të Kishës.

Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin. Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte. Njëri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: “I Shenjtë, i Shenjtë, i Shenjtë është Zoti i ushtrive;  tërë toka është plot me lavdinë e tij”Shtalkat e portës u tronditën nga zëri i atij që bërtiste, ndërsa tempulli po mbushej me tym. Atëherë unë thashë: “I mjeri unë! Unë jam i humbur, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe banoj në mes të një populli me buzë të papastra; megjithatë sytë e mi kanë parë Mbretin, Zotin e ushtrive”. Atëherë një nga serafinët fluturoi drejt meje, duke mbajtur në dorë një urë zjarri, që kishte marrë me mashë nga altari. Me të ai preku gojën time dhe tha: “Ja, kjo preku buzët e tua, paudhësia jote hiqet dhe mëkati yt shlyhet”. Pastaj dëgjova zërin e Zotit që thoshte: “Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?”. Unë u përgjigja: “Ja ku jam, dërgomë mua!” (Isaia 6:1-8)

    Psalmet, gjithashtu këndojnë shenjtërinë e Perëndisë dhe shpallin se i gjithë krijimi flet për lavdinë e Perëndisë (Shih psalmet 8, 19, 93, 104, 148 etj.). Mësimi kryesor i Dhiatës së Vjetër dhe themeli i të gjithë jetës së saj është se Populli i Perëndisë do të marrë pjesë në shenjtërinë e Tij. Ky ishte qëllimi i tërë Ligjit të Moisiut dhe i urdhërimeve për moralin dhe adhurimin.

Sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj; shenjtërohuni, pra, dhe jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë; mos u fëlliqni me asnjë prej këtyre kafshëve që zvarriten mbi tokë. Sepse unë jam Zoti që ju bëri të dilni nga vendi i Egjiptit, për të qenë Perëndia juaj; jini pra të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë (Levitiku 11:44-45)

    Populli duhej të bëhej i shenjtë dhe të fitonte diturinë dhe shenjtërinë e Perëndisë nëpërmjet shërbimit dhe adhurimit të tyre ndaj Atij. Të gjitha shkrimet e Dhiatës së Vjetër të ashtuquajtura të Diturisë dhe gjithë mësimet e profetëve dhe të psalmeve janë përqendruar rreth këtij fakti themelor: Populli i Perëndisë duhet të fitojë dhe të shprehë shenjtërinë, diturinë, lavdinë dhe drejtësinë e Perëndisë Vetë. Ky, dhe asgjë tjetër, është kuptimi dhe qëllimi i jetës së njeriut, i krijuar dhe i udhëhequr nga Perëndia. Përsosmëria përfundimtare e qëllimit të Perëndisë për njeriun është përmbushur në Krishtin. Vetëm Ai është përmbushja e ligjit dhe profetëve. Vetëm Ai është “Shenjti i Perëndisë” (Marku 1:24; Lluka 1:35, 4:34). Vetëm Ai është përsosmërisht i drejtë dhe tërësisht pa mëkat. Kështu i flet Shën Pjetri popullit për Jisuin mbas ngjarjes së Rushajeve.

Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakovit, Perëndia i etërve tanë e ka përlëvduar Birin e tij, Jisuin, të cilin ju ia dorëzuat Pilatit dhe e mohuat përpara tij, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte. Por ju e mohuat të Shenjtin, të Drejtin, dhe kërkuat që t’ju jepej një vrasës, dhe vratë princin e jetës, që Perëndia e ka ringjallur prej së vdekuri dhe për të cilin ne jemi dëshmitarë (Veprat e Apostujve 3:13-15)!

    Apostull Pavli thotë po të njëjtën gjë si mësimi i Pjetrit, duke iu referuar Krishtit jo vetëm si: i shenjtë, i drejtë dhe i ditur, por Ai Vetë si: shenjtëria, drejtësia dhe dituria e Vetë Perëndisë në trup njerëzor.

Sepse Judenjtë kërkojnë një shenjë dhe Grekët kërkojnë dituri, por ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar, skandal për Judenjtë dhe marrëzi për Grekët, kurse për ata që janë të thirrur, qofshin Judenj ose Grekë, predikojmë Krishtin, fuqia e Perëndisë dhe dituria e Perëndisë.  Por prej tij ju jeni në Krishtin Jisu, i cili nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim, që, sikurse është shkruar: “Ai që mburret, le të mburret në Zotin” (1 Korinthianët 1:22-24, 30-31).

    Lavdia e Perëndisë është zbuluar në personin e Krishtit. Kjo është dëshmia e vazhdueshme e apostujve, të cilët e panë “Mbretërinë e Perëndisë të vinte me fuqi” në malin e Shpërfytyrimit (Shih Mattheu 17:1-6; Marku 9:2-7; Lluka 9:28-36; Vëllimi II Adhurimi).

Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë (Joani 1:14). Dhe, në qoftë se shërbimi i vdekjes, që ishte gdhendur me shkronja mbi gurë, qe i lavdishëm aq sa bijtë e Izraelit nuk mund të vështronin me sy fytyrën e Moisiut, për shkak të lavdisë së pamjes së tij, që duhet të anullohej, sa më i lavdishëm do të jetë shërbimi i Frymës? Sepse, nëse shërbimi i dënimit qe rrethuar me lavdi, shumë më tepër do të teprojë në lavdi shërbimi i drejtësisë. Sepse çka është lavdëruar nuk është lavdëruar nga kjo pikëpamje, për shkak të asaj lavdie që e kapërcen çdo masë. Sepse, në qoftë se ajo që duhet të anullohej u rrethua me lavdi, ajo që mbetet do të jetë shumë më e lavdishme. Duke pasur, pra, një shpresë të tillë, flasim me shumë guxim. Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, shndërrohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit. Sepse Perëndia që tha: “Le të ndriçojë drita në errësirë’”, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t’na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jisu Krishtit (2 Korinthianët 3:7-12, 18, 4:6).

    Në dhe me anë të Krishtit, nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, të gjithë njerëzit mund të marrin pjesë në lavdinë e Perëndisë dhe të bëhen pjesëmarrës në vetë shenjtërinë e Perëndisë.

Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet, me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë (2 Pjetri. 1:1-2).

    Pjesëmarrja e njerëzve në “natyrën e Perëndisë” tashmë fillon në Kishën e Krishtit, fruti final i historisë së shpëtimit të Dhiatës së Vjetër. Në Kishë, Mbretëria e Perëndisë është e pranishme, që është “drejtësi, paqe dhe gëzim në Shpirtin e Shenjtë” (Romanët 14:17). Në Kishën e Krishtit tashmë fillon ai lavdërim i përhershëm i Perëndisë së Shenjtë që ekziston tani në qiejt dhe do të mbushë të gjithë krijimin kur Krishti do të vijë me lavdinë e Mbretërisë së tij në fund të kohërave.

I Shenjtë, i Shenjtë, i Shenjtë është Zoti Perëndi, i Plotfuqishmi, që ishte, që është dhe që do të vijë (Zbulesa 4:7)Dhe më tha: “Këto fjalë janë besnike dhe të vërteta; dhe Zoti, Perëndi i profetëve të shenjtë, dërgoi engjëllin e tij, për t’u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti. Ja, unë vij shpejt; lum ai që i ruan fjalët e profecisë së këtij libri’ ” (Zbulesa 22:6-7)Kush është i padrejtë, le të vazhdojë të jetë i padrejtë, kush është i ndyrë le të vazhdojë të jetë i ndyrë, kush është i drejtë le të vazhdojë të praktikojë drejtësinë, dhe kush është i shenjtë le të vazhdojë të shenjtërohet. Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t’i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë. Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, i pari dhe i fundit. Lum ata që i kryejnë urdhërimet e tij, që të kenë të drejtën për drurin e jetës dhe për të hyrë në portat e qytetit. Jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe kushdo që do dhe zbaton gënjeshtrën. Unë, Jisui, dërgova engjëllin tim për t’ju dëshmuar për këto gjëra nëpër kisha. Unë jam Rrënja dhe pasardhja e Davidit, ylli i ndritshëm i mëngjesit (Zbulesa 22:11-16).Ai që dëshmon për këto gjëra, thotë: “Po, unë vij shpejt. Amin”. Po, eja, Zoti Jisu. Hiri i Zotit Jisu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amin (Zbulesa 22:20-21).