Profetët

    Janë gjashtëmbëdhjetë libra në Bibël të titulluar me emrat e profetëve, ndonëse jo domosdo të shkruar nga duart e tyre. Një profet është ai që flet nga frymëzimi i drejtpërdrejtë i Perëndisë; vetëm në kuptimin e dytë fjala (profet) ka kuptimin e atij që parathotë të ardhmen. Katër nga librat profetikë  janë ato të të ashtuquajturve profetët e mëdhenj: Isaia, Jeremia, Ezekieli dhe Danieli.

    Shumica e studiuesve besojnë se libri i Isaisë është vepër e më shumë se një autori. Ai mbulon periudhën nga mesi i shekullit tetë para Krishtit deri në kohën e mërgimit babilonian. Ai tregon dënimin kërcënues mbi popullin e Perëndisë për shkak të ligësisë dhe pabesisë së tyre ndaj Zotit. Dhe ai parashikon mëshirën e Perëndisë mbi Popullin e Tij, si edhe mbi kombet, në kohën e shpërblimit të Tij në kohën mesianike. Vizioni i famshëm i profetit në kapitullin e gjashtë përfshihet në lutjet eukaristike të Kishës Orthodhokse. Rëndësi qendrore në Isainë kanë profecitë në pjesën e parë të librit, sidomos kapitujt gjashtë deri dymbëdhjetë, në lidhje me ardhjen e Mbretit-Mesia dhe profecitë në fund të librit, rreth shpëtimit të të gjithë krijimit në shërbëtorin e përvuajturtë Zotit. I gjithë libri i Isaisë lexohet në Kishë gjatë Kreshmës së Madhe dhe shumë pjesë lexohen gjatë vigjiljeve të festave të mëdha të Kishës. Në shkrimet e Dhiatës së Re ka citime të panumërta nga profecitë e Isaisë, në lidhje me Joan Pagëzorin, dhe, sidomos me Vetë Krishtin (Shih Vëllimin I Doktrina dhe Vëllimin II Adhurimi).

    Libri i Jeremisë mbulon periudhën e shekullit të shtatë para Krishtit dhe, ashtu si Isaia, profetizon zemërimin e Zotit ndaj popullit mëkatar. Jeremia, një profet ngurues, vuajti shumë nga duart e popullit dhe u persekutua vazhdimisht për shpalljen e Fjalës së Zotit. Dhiata e Re i referohet shpesh herë këtij libri. Profecitë mesianike të shpëtimit te Jeremia lexohen shpesh në shërbesat kremtore të Kishës (p.sh. 31:31 dhe në vazhdim). Librat e Baruhut dhe Letra e Jeremisë, nga apokrifët, shkojnë së bashku me këtë libër profetik në versionin Orthodhoks të Biblës. Libri i Ezekielit, i cili ishte një prift, si edhe një profet, datohet në kohën e Robërisë Babilonase. Përsëri, profeti është i interesuar me zemërimin e drejtë të Perëndisë mbi mëkatet e Popullit të Tij, duke bërë referim të veçantë për praninë – dhe largimin – e lavdisë së Zotit në Tempullin e Jerusalemit. Megjithatë, Ezekieli, si të gjithë profetët, nuk është pa shpresë në mëshirën e Perëndisë. Pjesa prekëse mbi ngjalljen nga Perëndia të “eshtrave të thara” të Izraelit të vdekur, kur do të fryjë mbi ato Shpirti i Tij i Shenjtë, lexohet mbi varrin e Krishtit gjatë shërbesës së të Shtunës së Madhe në Kishën Orthodhokse (Kapitulli 37).

    Profecia e Danielit, e cila lexohet në Kishë në vigjiljen e Pashkës, flet për besnikërinë e hebrenjve ndaj Perëndisë së tyre gjatë kohës së braktisjes së detyruar. Studiuesit e shohin këtë libër, ndërmjet librave të Dhiatës së Vjetër, të shkruar më vonë, shumë kohë mbas robërisë babilonase, në të cilën vendoset ngjarja. Ndërmjet mesazheve vend qendror zë çlirimi i Izraelit në ardhjen fitimtare të Birit tëNjeriut qiellor, i cili, në Dhiatën e Re, identifikohet me Krishtin. Është karakteri apokaliptik i këtij libri – kuptimi apokaliptik që i referohet zbulesës finale të Perëndisë dhe gjyqit të Tij përfundimtar mbi të gjithë krijimin – i cili jep arsye për vendosjen e Danielit në një datë afër kohës së Dhiatës së Re. Kënga e Tre Djemve, që shkon me Danielin dhe që vendoset nga jo-orthodhoksët në shkrimet apokrife, formon një pjesë të vërtetë të Biblës në Kishën Orthodhokse, ashtu si edhe librat e Suzanës dhe Beli dhe Dragoi, të cilët janë pjesë e Danielit. Kënga e Tre Djemve është pjesë e shërbesës së mëngjesit në Kishën Orthodhokse.

    Ndërmjet librave të të ashtuquajturve profetët e vegjël, Amos dhe Ozea janë më të vjetrit, duke ardhur, ashtu si pjesa e parë e Isaisë, nga mesi i shekullit të tetë para Krishtit. Amos është shpallësi i madh i drejtësisë së Perëndisë kundër padrejtësisë së Popullit të Tij. Ozea tregon për dashurinë e palëkundur të Perëndisë, e cila do të triumfojë përfundimisht mbi kurvërinë kurorëshkelëse të Popullit të Tij, i cili, pabesisht i dëshiron perënditë e rreme. Libri i Mikeas daton përafërsisht rreth së njëjtës periudhë dhe është shumë i ngjashëm në përmbajtje me Isainë. Te Mikea gjendet profecia mbi lindjen e Shpëtimtarit në Betlehem (5:2-4). Naumi, Habakuku(Avakumi) dhe Sofonia datohen në fund të shekullit të shtatë para Krishtit. Ata imitojnë Jereminë, duke profetizuar zemërimin e Perëndisë së mirë dhe të drejtë mbi popullin e paudhë dhe të padrejtë. Ashtu si Jeremia, ata parathonë, gjithashtu restaurimin e Izraelit nga Zoti i mëshirshëm.

    Hagai, Zaharia, Malakia dhe ndoshta Abdia, i përkasin periudhës së kthimit të Popullit të Perëndisë nga mërgimi. Zaharia është i famshëm për orakullin e tij të shfaqjes së Mbretit-Shpëtimtar, “triumfues dhe fitimtar, por i përunjur dhe i hipur mbi një gomar…” (9:9), që i referohet Hyrjes triumfale në Jerusalem në të Dielën e Palmave.Malakia, i cili është i furishëm kundër mëkateve të priftërijve, është i fundit i profetëve para Joan Pagëzorit, ardhjen e të cilit parathotë, ashtu si bënë edhe të tjerët, për të shënuar fillimin e “ditës së madhe dhe të tmerrshme të Zotit” (3:1, 4:5) kur “Dielli iDrejtësisëdo të lindë me shërimin në krahët e tij. (4:2) – një referencë, sipas të krishterëve, e qartë për Zotin e tyre. Profecia e Joelit, e cituar nga Shën Pjetri në referencë me ardhjen e Shpirtit të Shenjtë ditën e Pentekostisë (Veprat 2), i përket stilit apokaliptik të Danielit, kur ai flet për veprat përfundimtare të Perëndisë, në ditën “e madhe dhe të tmerrshme” të shfaqjes së Zotit, kur Ai do të kryej drejtësinë dhe do të restauroj fatet e Popullit të Tij, duke i çliruar “të gjithë ata që do të thërrasin emrin e Zotit” (2:31-32).

    Libri i Jonahit ka shumë të ngjarë të jetë një alegori profetike, me qëllim për të paratreguar shpëtimin e kombeve nga Zoti, në kohën e pranisë së Tij përfundimtare mesianike në botë. Ka mundësi të jetë shkruar në kohët post-mërgimtare. Lexohet në Kishë, në tërësinë e tij, në Pashkë, në vigjiljen e të Shtunës së Madhe, me referimin që i bëri drejtpërdrejt Vetë Krishti, si shenjë e misionit të Tij mesianik në botë (Mattheu 12:38; Lluka 11:29). Duhet përmendur në këtë pikë, se ndryshimet në shkrimet e emrave të profetëve, të gjendura në versione të ndryshme, ashtu si edhe të personave dhe vendeve të tjerë, vijnë nga traditat e ndryshme gjuhësore të Biblave në greqisht dhe hebraisht. Burimet Orthodhokse më shpesh, ndjekin Biblën në greqisht. Kështu, për shembull, Elijah bëhet Ilia, Hosea bëhet Oze, Habakuk bëhet Abakum, Jonah bëhet Jonas etj. Përsëri duhet të përmendim, gjithashtu, se sipas të krishterëve, e gjithë Dhiata e Vjetër e gjen kuptimin e saj të thellë dhe përmbushjen e saj të plotë, në ardhjen e Krishtit dhe në jetën e Kishës së Tij.