Mbretëria e Perëndisë
Dhurata e Perëndisë e jetës së përjetshme në Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë është Mbretëria e Perëndisë. Jisui e solli Mbretërinë e Perëndisë në botë nëpërmjet Shpirtit në Kishë. Jeta shpirtërore është jetë – tani aktuale – në Mbretërinë e Perëndisë. Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë. Shitni pasurinë tuaj dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete trasta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiejt, ku vjedhësi nuk arrin dhe tenja nuk bren. Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj (Lluka 12:32-34).
Të jetosh tani aktualisht në Mbretërinë e Perëndisë është të jetosh i çliruar nga mëkati dhe vdekja në jetën e hirshme të Krishtit në Kishë. Një person që ka vdekur te mëkati me Krishtin në pagëzim; dhe është vulosur me dhuratën e Shpirtit të Shenjtë në mirosje; dhe që merr pjesë në trupin dhe Gjakun e Krishtit në eukaristi, është tashmë një anëtar i Mbretërisë së Perëndisë. . . . sepse përmes tij që të dy kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetme. Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjesëtarë të familjes së Perëndisë, të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jisu Krishti vetë guri i qoshes, mbi të cilin gjithë ndërtesa, e lidhur mirë, rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin, në të cilin edhe ju jeni bashkëndërtuar për të qenë një banesë e Perëndisë në Frymë (Efesianët 2:18-22).
Kisha është quajtur Mbretëria e Perëndisë në tokë; dhe prania dhe fuqia e Mbretërisë është identifikuar me banimin e Shpirtit të Shenjtë që banon te besimtarët, duke sjellë tek ata praninë dhe fuqinë e Perëndisë Atë nëpërmjet Birit të Tij Jisu Krishtit. Kështu ka thënë Apostulli Pavël: “Mbretëria e Perëndisë është . . . drejtësi, paqe dhe gëzim në Frymën e Shenjtë. Sepse ai që i shërben Krishtit në këto gjëra, është i pëlqyer nga Perëndia dhe i miratuar nga njerëzit” (Romanët 14:17-18). Edhe Shën Grigori i Nisës (shek. 4) duke cituar traditën më të hershme të të krishterëve thotë thjesht: “Mbretëria e Perëndisë është Shpirti i Shenjtë . . . Mbretëria e Atit dhe Vajimi i Birit.” Ka qenë kuptuar gjithmonë në traditën shpirtërore të Kishës Orthodhokse, se në masën që dikush është mbushur me Shpirtin e Perëndisë, në atë masë ai është bashkuar me Krishtin dhe është në kungim me Atin, duke u bërë fëmija e Tij dhe një anëtar i Mbretërisë së Tij. Në këtë kuptim është mësimi se “përftimi i Shpirtit të Shenjtë” në “kërkimin në fillim të Mbretërisë së Perëndisë dhe drejtësisë së Tij” (Matheu 6:33) është qëllimi dhe përmbajtja e vetme e jetës shpirtërore të njeriut. Për këtë, dhe vetëm për këtë, njeriu është krijuar nga Perëndia.
. . . Ecni sipas Frymës dhe nuk do të përmbushni dëshirat e mishit, sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi. Por në qoftë se udhëhiqeni nga Fryma, ju nuk jeni nën ligj. Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto . . . se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë (Galatianët 5:16-21).