Libri i Zbulesës

    Libri i Zbulesës, quajtur gjithashtu Apokalipsi, që do të thotë ajo që është zbuluar, i quajtur gjithashtu edhe Zbulesa e Shën Joanit, tradicionalisht mbahet të jetë vepra e nxënësit të Zotit, i cili, më vonë, shkroi ungjillin e katërt dhe letrat. Datohet në mes të gjysmës së dytë të shekullit të parë. Shën Joani e pati vizionin e tij “në ishullin Patmos”. Ai ishte “në Frymë ditën e Zotit” kur ai mori urdhërimin nga Perëndia që t’u shkruante letra “shtatë Kishave që janë në Azi” (1:4-10). Secili prej shtatë mesazheve përmban fjalët e Krishtit për kishën e veçantë (2-4). Pas shtatë letrave në librin e Zbulesës, apostulli tregon vizionin e tij të Perëndisë në fronin e Tij, në qiell, duke u himnuar pa pushim nga engjëjt, “krijesat e gjalla”, dhe “njëzet e katër pleqtë”: “I shenjt, i shenjt, i shenjt, është Zoti Perëndi i Tërëfuqishëm, që ishte, që është dhe që do të vijë” (4).

    Pastaj janë profecitë e shtatë vulave dhe shtatë engjëjve (5-11), dhe vizionet e “gruas veshur me diell” dhe Mikaelit dhe engjëjve të tij duke luftuar kundër “dragoit” (12). Më pas vijnë imazhet e “bishës që ngrihej prej detit” dhe ”bishës tjetër që ngrihej nga dheu” (13). Pastaj vjen vizioni i Qengjit dhe atyre që janë shpëtuar prej Perëndisë, si edhe i  engjëjve që vijnë nga qielli në tokë me “kupat e zemërimit” (14-16). Pason imazhi i “lavires së madhe” (17) i shoqëruar me profecinë finale rreth rënies së “Babilonës së madhe” (18). Fundi i librit të Zbulesës përshkruan vizionin e mahnitshëm të shpëtimit me morinë e atyre “të lumurve… që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit” në mes asamblesë së madhërishme qiellore të engjëjve, të cilët i këndojnë lavdi Perëndisë dhe Jisuit, Fjalës së Tij dhe Qengjit të Tij, Alfa dhe Omega, Mbretit të mbretërve dhe Zotit të zotërve. Është imazhi i Mbretërisë së Perëndisë dhe i Krishtit, Jerusalemit Qiellor, të paratreguar nga profetët e së kaluarës, në të cilin të drejtët do të mbretërojnë përjetë me Perëndinë (19-22).

Aliluja, sepse filloi të mbretërojë Zoti, Perëndia ynë, i Plotfuqishmi! Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe Nusja e tij (Kisha) është përgatitur…  (19:6-7)Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhé të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më. Dhe unë, Joani, pashë qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet. Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan” (21:1-4)Dhe ai që rrinte mbi fron tha: “Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja.” Dhe Ai më tha: “Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike” (21:5)Edhe më tha: “U bë! Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi! Atij që ka etje unë do t’i jap dhuratë nga burimi i ujit të jetës.  Kush fiton do t’i trashëgojë të gjitha gjërat; dhe do të jem për të Perëndi dhe ai do të jetë për mua bir” (21:6-7).

    Ka patur njëfarë hezitimi në Kishën e hershme për ta përfshirë librin e Zbulesës në shkrimet kanonike të Dhiatës së Re. Arsyeja për këtë ishte pa dyshim vështirësia e madhe për të shpjeguar simbolet apokaliptike të librit. Por, meqenëse dokumenti mbante emrin e apostullit Joan, dhe, meqenëse ishte frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë për mësimin dhe ndërtimin e Kishës, ai u bë libri i fundit në listën e Biblës, ndonëse nuk lexohet asnjëherë në liturgjinë e Kishës Orthodhokse. Është me të vërtetë e vështirë të shpjegohet libri i Zbulesës, sidomos nëse dikush nuk është familjar me imazhet dhe simbolet e shkrimeve apokaliptike të Biblës, domethënë të Dhiatës së Vjetër dhe të Traditës Judeo-Kristiane. Megjithatë, ekziston brenda Kishës një mënyrë  tradicionale e shpjegimit të librit, e cila afron një depërtim në kuptimin e tij për besimtarët.

    Metoda e gabuar e librit të Zbulesës është që t’i japësh një lloj kuptimi të vetëm vizioneve të tij të shumta, duke i barazuar ato me ngjarje dhe persona të veçantë, konkretë dhe historik, dhe që të mos kuptosh rëndësinë simbolike të shumë imazheve që janë përdorur nga autori, i cili ndjek burimet biblike dhe tradicionale. Para së gjithash, letrat drejtuar shtatë kishave, kanë si një kuptim historik ashtu edhe universal. Mesazhet janë të qarta dhe i përkasin situatave përkatëse, të cilat tashmë ekzistonin në Kishë dhe që ekzistojnë akoma. Për shembull, shumë kisha të vjetra gjatë gjithë kohës së historisë mund të identifikohen me Kishën e Efesit. Ato nën persekutim mund të krahasohen me Kishën e Smirnës. Dhe jo pak – ndoshta disa tani në Amerikë – mund të gjykohen me Kishën e Laodikeas. Shtatë letrat mbeten përgjithmonë si “prototipike” të kishave që do të ekzistojnë deri në ardhjen e Mbretërisë së Krishtit.

    Vizionet dhe profecitë e pjesës kryesore të librit të Zbulesës paraqesin vështirësi të mëdha, por shumica e atyre interpretuesve do të përpiqen t’i aplikojnë ato në njërën apo tjetrën ngjarje historike apo person historik. Nëse vizioni i përgjithshëm dhe profecia e librit shihet si diçka që zbulon lidhjen ndërmjet ngjarjeve “në qiell” dhe ngjarjeve “në tokë”, ndërmjet Perëndisë dhe njeriut, ndërmjet fuqive të së mirës dhe fuqive të së keqes, atëherë, ndonëse pa dyshim mbeten shumë vështirësi, disa do të hiqen menjëherë. Në librin e Zbulesës, duhet kuptuar se Mbretëria e Perëndisë është gjithmonë para së gjithave dhe mbi të gjitha. Aty shihet, gjithashtu se beteja ndërmjet të drejtit dhe të keqit bëhet vazhdimisht. Ka gjithmonë besnikë që i përkasin Qengjit, duke u kurorëzuar dhe veshur prej Atij për fitoret e tyre. Ka gjithmonë “bisha” dhe “dragoj” të cilët duhen mundur. “Lavirja e madhe” dhe “Babilonia e madhe” duhet të shkatërrohen përgjithmonë. “Jerusalemi qiellor” vjen vazhdimisht, dhe një ditë do të vijë dhe fitoja përfundimtare do të jetë e plotë.

    Duhet vënë re gjithashtu, se ka një universalitet dhe finalitet rreth simboleve dhe imazheve të librit të Zbulesës, një kuptim që mund t’i aplikohet atyre që janë zbuluar tashmë në shkrimet e Dhiatës së Vjetër. Kështu, për shembull, imazhi i Babilonisë mbetet për çdo shoqëri që lufton kundër Perëndisë, çdo grup njerëzish që bashkohen në paudhësi dhe mishëri. Imazhi i lavirësisë i aplikohet universalisht të gjithë atyre që janë të korruptuar nga pasionet dhe epshet e tyre, jo besnikë ndaj Perëndisë, i Cili i ka krijuar dhe i do. Numerologjia simbolike mbetet gjithashtu konstante, me numrin 666 (13:18), për shembull, që simbolizon korruptimin, e kundërta e 7 që është simbol plotësisë; dhe numri 144 000 (14:3) është simboli i  i plotësisë totale dhe numri i plotë i të shpëtuarve, rezultat i shumëzimit  të 12 herë 12 – numri i fiseve të Izraelit dhe të apostujve të Krishtit. Kështu, nëpërmjet imazheve të librit të Zbulesës, zbulohet një thellësi depërtimi në realitetet universale shpirtërore që janë më të mëdha se çdo realitet i veçantë tokësor. Depërtimi në kuptimin e librit varet në frymëzimin e Perëndisë dhe në pastërtinë e zemrës së atyre që kanë sy për të parë, dhe veshë për të dëgjuar, dhe mendje të gatshme dhe të afta për të kuptuar.

    Në Kishën Orthodhokse, libri i Zbulesës ka një rëndësi të madhe liturgjike. Adhurimi i Kishës tradicionalisht është modeluar, krejt në mënyrë të ndërgjegjshme, sipas realiteteve të përjetshme dhe hyjnore të zbuluara në këtë libër. Lutja e Kishës dhe kremtimi i saj mistik janë një me lutjen dhe kremtimin e mbretërisë së qiejve. Kështu, në Kishë, me engjëjt dhe shenjtorët, nëpërmjet Krishtit, Fjalës dhe Qengjit, frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, besimtarët besnikë të bashkësisë së të shpëtuarve i blatojnë adhurim të vazhdueshëm Perëndisë Atit të Tërëfuqishëm (Shih Vëllimi II, Adhurimi). Libri i Zbulesës, ndonëse nuk lexohet asnjëherë në shërbesat e Kishës Orthodhokse, dëshmon për realitetin hyjnor që është vetë jeta e vërtetë e Kishës.

Dhe Fryma dhe Nusja (Kisha) thonë: “Eja!”. Dhe ai që dëgjon le të thotë: “Eja!”. Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës. “Po unë po vij shpejt” (thotë Jisui, Zoti.) Amin. Eja, Zoti Jisu! (22:17,20).