Në mësimin e Krishtit, lëmoshë-dhënia shkon së bashku me agjërimin dhe lutjen. Ne e pamë që ky ishte, gjithashtu, edhe mësimi i Isaisë (shih më sipër) dhe i Dhiatës së Vjetër, në përgjithësi. Kur një lutet dhe agjëron, duhet të tregojë dashuri nëpërmjet bujarisë aktive tek të tjerët.
Mos e jepni lëmoshën tuaj para njerëzve, me qëllim që ata t’ju admirojnë; përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej. Kur do të japësh lëmoshë, pra, mos i bjer borisë para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugët, për të qenë të nderuar nga njerëzit; në të vërtetë ju them, se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Madje, kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç’bën e djathta, që lëmosha jote të jepet fshehurazi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas (Matheu 6:1-4).
Ashtu si me agjërimin dhe lutjen, dhënia e ndihmës për të varfërit duhet të bëhet rreptësisht në fshehtësi, sa më shumë që të jetë e mundur, si të thuash, edhe ta fshehësh nga vetvetja atë që po u jep të tjerëve, duke mos lejuar një dorë të dijë se çfarë po bën tjetra. Duhet bërë çdo përpjekje, nëse do që dhurata të jetë e pëlqyeshme nga Perëndia, të shmanget çdo demonstrim dhe mburrje në dhënien e saj.
Ashtu si e kemi parë tashmë, nuk ka dashuri të vërtetë, nëse nuk ndan atë që ke me të varfërit.
. . . nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë (1 Joani 3:17)?
I tillë ishte urdhërimi edhe në ligjin e Moisiut.
Në rast se ke ndonjë vëlla nevojtar midis jush, midis ndonjë prej qyteteve që Zoti, Perëndia yt, po të jep, nuk do të fortësosh zemrën dhe nuk do të mbyllësh dorën para vëllait tënd nevojtar; por do t’i hapësh me zemërgjerësi dorën tënde dhe do t’i japësh hua aq sa i nevojitet për të përballuar nevojat që ka. Ki kujdes që të mos ketë asnjë mendim të keq në zemrën tënde, i cili të të bëjë të thuash: “Viti i shtatë, viti i familjes, është afër”, dhe ta shikosh me sy të keq vëllanë tënd nevojtar dhe të mos i japësh asgjë; ai do të bërtiste kundër teje para Zotit dhe ti do të mëkatoje. Jepi me bujari dhe zemra jote të mos trishtohet kur i jep, sepse, pikërisht për këtë Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë në çdo punë tënden dhe në çdo gjë që do të të zërë dora. Sepse nevojtarët nuk do të mungojnë kurrë në vend, prandaj unë po të jap këtë urdhërim dhe të them: “Hapja me bujari dorën tënde vëllait tënd, të varfërit tënd dhe nevojtarit në vendin tuaj”.(Ligji i Përtërirë 15:7-11).
Po ashtu edhe mësimi i Diturisë.
Të varfërin e urren vetë miku i tij, por i pasuri ka shumë miklues.
Kush përçmon të afërmin e vet, mëkaton, por ai që ka mëshirë për të varfërit është i lumtur.
Ai që përqesh të varfërin fyen Atë që e ka krijuar; ai që kënaqet me fatkeqësinë e tjetrit nuk do të mbetet pa u ndëshkuar (Fjalët e Urta 14:20-21, 17:5).
Sipas Shën Joan Gojartit, asnjë nuk mund të shpëtojë pa dhënë lëmoshë dhe pa u kujdesur për të varfërit. Shën Vasili i Madh thotë se një njeri që ka dy pallto ose dy palë këpucë, kur i afërmi i tij nuk ka asnjë, është një hajdut. Të gjitha gjërat tokësore janë pasuritë e Perëndisë. “I Zotit është dheu dhe gjithçka që është në të, bota dhe banorët e saj” (Psalmi 24:1). Njerëzit janë vetëm kujdestarë të asaj që i përket Zotit dhe duhet t’i bashkëndajnë dhuratat e krijimit të Tij me njëri-tjetrin sa më shumë që të mundin. Të grumbullosh pasuri tokësore, sipas Krishtit, është përmbledhja e marrëzisë dhe një njeri i pasur do të shpëtojë me vështirësi (kr. Lluka 12:15-21).
Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë! Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë.
Dhe ata që e dëgjonin thanë: “Po kush, pra, mund të shpëtohet?”.
Por ai tha: “Gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë” (Lluka 18:24-27, Matheu 19:23-26, Marku 10:23-27).
Mjerë ju, o të pasur, sepse e keni ngushëllimin tuaj! Mjerë ju, që jeni të ngopur, sepse do të keni uri (Lluka 6:24 – 25).
Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë, por të pasurit i ktheu duarthatë (Lluka 1:53).
Arsyeja përse një i pasur do të shpëtojë me vështirësi, sipas Jisuit, është, sepse kur një ka pasurira, ai do t’i ruajë ato dhe grumbullon akoma më shumë. Sepse “mashtrimet e pasurisë ia mbysin fjalën e Perëndisë; dhe ajo bëhet e pafrytshme” në zemrën e njeriut (Matheu 13:22, Marku 4:9, Lluka 8:14).
Sipas Apostullit Pavël, “lakmia për para” – jo paraja në vetvete – është “rrënja e të gjitha të këqiave”
Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka. Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq. Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim. Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqiave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje (1 Timotheu 6:6-10, kr. Hebrenjtë 13:5-6).
Vetë apostulli mblodhi para për të varfërit dhe lavdëroi shumë ata që ishin bujarë në dhënie.
Dhe ju them këtë: Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur. Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën as me keqardhje, as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar. Dhe Perëndia mund të bëjë . . . të keni gjithnjë mjaft, në çdo gjë, t’ju tepërojë për çfarëdo pune të mirë, sikurse është shkruar: “Ai ndau, u ka dhënë të varfërve, drejtësia e tij mbetet në përjetësi” (Psalmi 112:9).
Dhe atëherë do të pasuroheni për të qenë dorëdhënë . . . por sjell edhe një mbushulli falënderimesh ndaj Perëndisë . . . (2 Korinthianët 9:6-12).
Personi shpirtëror duhet të ndajë çfarë ai ka me të varfërin. Ai duhet ta bëjë këtë me gëzim dhe jo duke hezituar, ta bëjë në fshehtësi dhe jo për t’u lavdëruar nga njerëzit. Ai, gjithashtu, duhet ta bëjë këtë, ashtu si e veja e varfër në ungjill, jo nga teprica e tij, por nga ajo që i nevojitet.
Dhe Jisui u ul përballë arkës së thesarit dhe vërente se njerëzit hidhnin aty denar; shumë të pasur hidhnin shumë. Erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy monedha të vogla, domethënë një kuadrant. Dhe Jisui i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha atyre: “Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët. Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar” (Marku 12:41-44, Lluka 21:2).
Prandaj, dhënia e lëmoshës duhet të jetë një akt flijimi, nëse do të ketë ndonjë vlerë shpirtërore. Një nuk mund të japë thjesht çfarë ka mbetur, mbasi i ka plotësuar gjithë nevojat e tij. Një duhet të marrë nga vetja dhe t’ua japë të tjerëve. Në traditën shpirtërore të Kishës është mësimi se çfarë dikush kursen nga agjërimi dhe mosngrënia, për shembull gjatë periudhave të kreshmës, nuk duhet ta mbajë për vete, por t’ua japë të varfërve.
Në kohët e fundit, mësimi është zhvilluar se njeriu shpirtëror duhet të punojë brenda proceseve dhe mundësive të shoqërive të lira për të bërë struktura sociale të veçanta, në të cilat të varfërit të mos jenë thjesht objekt bamirësie nga të pasurit, por ata vetë të kenë shansin të punojnë dhe të bashkëndajnë pasurinë e përbashkët të njeriut. Në këtë mënyrë të varfërit do të kenë dinjitet dhe vetë-respekt nëpërmjet marrjes së vendit që iu takon si anëtarë të shoqërisë. “Ne nuk duam shpërndarje ndihmash”, thonë të varfërit, “ne duam të jemi në gjendje të mësojmë dhe të punojmë për vetet tona.” Njeri shpirtëror është ai që punon që të ndodhë kjo; dhe është e drejtë dhe e lavdërueshme të bëhet kjo. I vetmi tundim këtu do të ishte të kishe këtë qëndrim dhe ta ndërmerrje këtë veprim pa sakrifica personale dhe të mendoje se kur do të ekzistonte një e tillë “shoqëri e drejtë” – nëse do të ekzistojë ndonjëherë – të gjitha problemet e njeriut do të zgjidhen. Rënia shpirtërore e shumë njerëzve të pasur e tregon se kjo nuk është e vërteta. Kështu fjalët e Krishtit mbeten përgjithmonë të vlefshme dhe të vërteta:
Të varfërit do t’i keni gjithmonë me ju, por mua nuk do të më keni gjithmonë (Joani 12:8, Marku 14:7). Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç’të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua (Matheu 19:21, Lluka 18:22).
Ai që është me të vërtetë i përsosur, ashtu si Ati në qiell, është ai që jep gjithçka për hir të të tjerëve, në emrin e Krishtit, me Atë dhe për hir të Tij. Një person i tillë po jeton me të vërtetë jetën shpirtërore.