Shekulli i parë i erës së krishterë fillon me lindjen e Jisu Krishtit prej Virgjëreshës Mari në Betlehem. Krishti jetoi, vdiq, u ngjall përsëri dhe u ngjit në qiell në shekullin e parë. Kjo kohë dëshmoi, gjithashtu, derdhjen e Shpirtit të Shenjtë mbi nxënësit e Krishtit në festën e Rushajeve, ngjarje që quhet shpesh ditëlindja e Kishës. Në shekullin e parë, apostujt predikuan Ungjillin e Krishtit. Ne nuk e dimë saktësisht se ku udhëtuan apostujt, me përjashtim të Shën Pavlit udhëtimet misionare të të cilit janë treguar në librin e Veprave. Sipas Traditës, të gjithë apostujt ishin predikues universalë të Ungjillit, të cilët, me përjashtim të Shën Joanit, u vranë për besimin e tyre në Krishtin. Ungjijtë dhe letrat dhe të gjithë librat që përbëjnë shkrimet e Dhiatës së Re u shkruan në shekullin e parë. Gjithashtu, në këtë kohë, u themeluan bashkësitë e para të krishtera në qytetet kryesore të Azisë së Vogël dhe Greqisë, dhe ka mundësi edhe të Afrikës së Veriut.* Kisha u themelua, gjithashtu edhe në kryeqytetin e perandorisë në Romë.
Kisha
Në kundërshtim me çfarë ndonjëherë është menduar, Kisha e Krishterë ishte në fillim një fenomen urban që vetëm më vonë u përhap në zonat rurale. Gjithashtu, ajo përbëhej, kryesisht nga njerëz që ne mund t’i quajmë sot “shtresa e mesme” e shoqërisë. Kështu, nuk është e vërtetë se krishtërimi zuri vend në botë tek njerëzit e paarsimuar dhe të prapambetur, të cilët po kërkonin një ngushëllim qiellor përballë shtypjes dhe kushteve të padurueshme tokësore. Ngjarja kryesore e Kishës së shekullit të parë ishte pranimi i kombeve në Kishë, të cilët nuk ishin të detyruar të ndiqnin ritualet e kërkuara nga ligji i Moisiut (Shih Veprat 15, Galatianët, Romanët). Kështu, ndonëse Kisha e Krishterë hyri në shoqërinë perandorake romane “nën perden” e judaizmit, shpejt u nda nga besimi judaik meqë Populli i Perëndisë u thirr nga të gjitha kombet, prej atyre që u bashkuan në Krishtin Mesian, i Cili u pohua si Zot dhe Shpëtimtar i të gjithë njerëzve dhe i të gjithë botës. Kërkesat për të hyrë në Kishën e Krishterë ishin: besimi në Jisuin si Zot dhe Krisht, pendimi nga mëkati, pagëzimi në emrin e Jisuit dhe si pasojë marrjen e dhuratës së Shpirtit të Shenjtë. Ata që i përmbushnin këto kërkesa hynë në Kishë, e cila ishte themeluar në çdo vend si një bashkësi lokale e udhëhequr nga ata që quheshin peshkopë ose presbiterë, të cilët morën vënien e duarve prej apostujve. Vetë Apostujt nuk ishin peshkopë të asnjë bashkësie të krishterë të veçantë të ndonjë vendi. Secila nga bashkësitë e krishtera që ne njohim pati karakterin e saj unik dhe problemet e saj unike, ashtu sikurse shohim në dokumentat e Dhiatës së Re (Shih Dhiata e Re tek Shkrimi i Shenjtë). Megjithatë, duke folur në përgjithësi, çdo kishë kishte një interes të madh për të tjerat dhe të gjitha ishin thirrur për të mësuar të njëjtat doktrina dhe të praktikonin të njëjtat virtute, duke jetuar të njëjtën jetë në Krishtin dhe në Shpirtin e Shenjtë. Ata ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje. Por gjithë ata që besonin rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët; dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së çdonjërit (Veprat 2:42, 44). Përshkrimi i kishës në Jerusalem mund t’i aplikohet në përgjithësi të gjitha bashkësive të hershme të krishtera.
____________________
* Edhe në vendin tonë bashkësitë e para u themeluan në shekullin e parë. Ne kemi të dhëna se bashkësia e krishterë e Durrësit kishte në vitin 58 70 familje të krishtera.