Kisha e krishterë jetoi një paqe relative që nga vdekja e Mark Aurelit (185) deri në kohën e perandorit Decius (249). Kur Decius erdhi në pushtet, ai filloi një persekutim të përgjithshëm kundër të krishterëve nëpër tërë perandorinë. Persekutimet nga Decius u vazhduan me forcë nga Valeriani (253-260) Gjatë kësaj kohe jo vetëm që të krishterët detyroheshin t’u flijonin perëndive perandorake, por kleri ndiqej për t’u vrarë dhe të gjitha pronat e të krishterëve konfiskoheshin dhe shkatërroheshin. Pati një përpjekje totale për ta zhdukur tërë udhëheqjen e Kishës dhe për ta shkatërruar atë tërësisht. Megjithatë, pas Valerianit, Galeni, biri i tij, e ndali politikën e persekutimit të përgjithshëm dhe të krishterët jetuan përsëri në një paqe relative deri në fund të shekullit. Gjatë kësaj periudhe, pati një rritje të jashtëzakonshme të anëtarësisë së Kishës, e cila arriti ndoshta dhjetë për qind të popullsisë së perandorisë.

    Të Shkarët

    Persekutimet nga Decius dhe Valeriani, si edhe kohët e qeta që e paraprinë dhe që e pasuan, sollën një krizë të madhe brenda Kishës së Krishterë në shekullin e tretë. Çështja ishte se çfarë duhej bërë me ata të krishterë që e mohuan Krishtin nën frikën e torturave dhe ekzekutimit dhe që shkanë nga jeta në Kishë këmbëngulnin se nuk mund të kishte pendim për mëkatet e rënda mbas Pagëzimit. Ata ua mohonin pendimin atyre që “shkanë” nga jeta e krishterë dhe iu kundërvunë peshkopëve, të cilët pranuan të lejonin pendimin dhe ripranimin e mëkatarëve në Kungatën e Shenjtë mbas periudhës së pendimit. Kështu, pati një numër skizmash në Kishë, të cilat bënë që disa njerëz të largoheshin nga Kisha për të gjetur, sipas tyre, një formë më të pastër dhe më të rreptë krishterimi. Ndër ata që lanë Kishën ishte edhe Tertuliani (v.220), ati i madh i teologjisë latine në Afrikën e Veriut dhe një autor përshkrues i traktateve të krishtera të çdo lloji. Tertuliani u bashkua me lëvizjen heretike të Montanit, e cila filloi në fund të shekullit të dytë dhe që pretendonte të ishte kisha e “profecisë së re” e Shpirtit të Shenjtë që, sipas tyre, ishte më e përsosur se ajo e “dhiatës së dytë” të Krishtit. Mbrojtësi i madh i Kishës Katholikë (të Përgjithshme) në atë kohë ishte Qipriani, peshkopi i Kartagjenës (v.258), i cili vetë pati një vdekje martiri mbasi kundërshtoi në Romë të ashtuquajturën Kishë “të pastër” të Novatianit, e cila kundërshtonte ripranimin e të “shkarëve’ në kungimin e Kishës. Ndonëse një lexues i madh i teologjisë së Tertulianit, Qipriani e mbrojti Kishën Katholike të vazhdimësisë apostolike dhe peshkopale kundër kishave spiritualiste “të pastra” të maksimalistëve të vetë-modeluar. Ai ngulmonte se Kisha, ashtu si Krishti, ekziston të shpëtojë mëkatarët dhe se “jashtë Kishës nuk ka shpëtim” (Letra 73). A mos mendon se po mban besimin ai që nuk e mban këtë unitet të Kishës? A mos beson që është në Kishë ai që e lufton dhe e kundështon Kishën…? Këtë unitet ne duhet ta mbajmë dhe ta pohojmë, sidomos ata prej nesh që janë peshkopë të cilët kryesojnë në Kishë, që ne të mund të provojmë, gjithashtu se peshkopata është një dhe e pandarë… Peshkopata është një, çdo pjesë e së cilës mbahet e tëra nga gjithsecili. Kisha është gjithashtu një… (Mbi Unitetin e Kishës 4, 5).Nuk është e mundur ta ketë Perëndinë Atë ai që nuk e ka Kishën si nënë (Mbi Unitetin e Kishës 6).  Nuk është i krishterë ai që nuk është në Kishën e Krishtit (Letra 55).

     Zhvillimi i Teologjisë

    Shekulli i tretë dëshmoi, gjithashtu daljen e shkollës së parë zyrtare të teologjisë së krishterë. Ajo ndodhej në Egjipt, në Aleksandri, e themeluar nga Panteni, e zhvilluar nga Klementi (v. rreth 215) dhe e sjellë në kulmin e saj nga teologu dhe studiuesi i famshëm Origjeni (v. 253). Ndërsa Tertuliani, ati i teologjisë latine, kundërshtonte në mënyrë absolute çdo aleancë ndërmjet “Athinës“ dhe “Jerusalemit”, d.m.th. ndërmjet filozofisë pagane dhe zbulesës së krishterë, aleksandrinët këmbëngulnin se filozofia greke ishte një përgatitje e shëndoshë për Ungjillin e Krishterë dhe se të vërtetat e paganëve mund dhe duhej të silleshin për t’u përmbushur në të vërtetat e besimit të krishterë. Kështu i shkruan Origjeni nxënësit të tij Shën Grigor Çudibërësit: Dëshiroj që ti të marrësh nga filozofia greke ato fusha njohurish që janë mundësisht një hyrje për Krishtërimin, dhe çfarëdo informacioni nga gjeometria dhe astronomia që mund të shërbejë për të shpjeguar librat e shenjtë…

    Vepra e Origjenit ishte fenomenale. Ai shkroi për shumë tema traktate të panumurta. Ai bëri të parin studim me të vërtetë sistematik për librat e Biblës. Vepra e tij vendosi themelet për, pothuaj të gjithë teologjinë e mëvonshme greke në Kishë. Shumë prej mësimit të Origjenit u gjykua nga Kisha të ishte jo i saktë dhe, megjithatë, për shkak të vazhdimësisë së saj tek nxënësit e tij, autori i saj u dënua zyrtarisht nga Sinodi i Pestë Ekumenik në vitin 553. Ndër teologët e shekullit të tretë, të cilët mund të përmenden përkrah Tertulianit, Qiprianit, Klementit dhe Origjenit janë: Dionisi i Aleksandrisë (v.265), Hipoliti i Romës (v. 235), Grigor Çudibërësi i Kapadoqisë (v. 270) dhe Metodi i Olimpit (v. 311).  Të gjithë këta njerëz e zhvilluan teologjinë e krishterë orthodhokse dhe, veçanërisht hodhën themelet për doktrinën e Trinisë së Shenjtë, e cila shkaktoi aq debate në shekullin e katërt. Pavli i Samosatës dhe Luçiani i Antiokisë jetuan, gjithashtu në fund të shekullit të tretë dhe njihen për mësimin e tyre heretik në lidhje me karakterin Trinitar të Perëndisë.

     Zhvillimi Liturgjik

    Ekzistojnë, gjithashtu, shkrime prej shekullit të tretë që japin një ide rreth jetës kanonike dhe liturgjike të Kishës në atë kohë. Këto janë të ashtuquajturat: Mësimi i Apostujve i ardhur nga Siria dhe Tradita Apostolike e Hipolitit të Romës (v. 235) i cili shkroi në greqisht. I pari jep rregullat në lidhje me shërbimet hierarkike dhe praktikat misterore në Kishën e Sirisë dhe përshkruan mbledhjen liturgjike. I dyti jep, gjithashtu, informacion të ngjashëm, në një mënyrë më të gjatë dhe më të detajuar, rreth Kishës në Romë. Ai përmban tekstin më të vjetër të lutjes së përcaktuar eukaristike në historinë e Kishës që ne zotërojmë, si edhe formën për misteret e Pagëzimit, Mirosjes dhe Dorëzimit në klerik.

    Pagëzimi dhe Mirosja në Traditën Apostolike të Hipolitit.

Dhe kur ai që do të pagëzohet zhytet në ujë, ai që e pagëzon  vë dorën mbi atë duke thënë kështu:A beson në Perëndinë Atin e Tërëfuqishëm?Ai që po pagëzohet do të thotë: Besoj.Le ta pagëzojë ai menjëherë, një herë, duke i vënë dorën mbi kokën e tij. Dhe mbas kësaj le të thotë:A beson në Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë,

    Që lindi nga Shpirti i Shenjtë dhe Virgjëresha Mari,

    Që u kryqëzua në kohën e Pontit Pilat,

    Dhe vdiq dhe u varros,

    Dhe u ngrit i gjallë prej së vdekurish ditën e tretë,

    Dhe u ngjit në qiell,

    Dhe rri në të djathtë të Atit,

    Dhe do të vijë të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit?

   Dhe kur ai thotë: Besoj, le ta pagëzojë herën e dytë. Dhe përsëri le t’i thotë: A beson në Shpirtin e Shenjtë, në Kishën e Shenjtëdhe në ngjalljen e trupit?Dhe ai që po pagëzohet do të thotë: Besoj.Dhe le ta pagëzojë për herën e tretë.

    Pastaj, kur ai del nga uji, ai do të lyhet nga presbiteri me Vajin e falënderimit duke thënë:Të lyej me vajin e shenjtë në Emrin e Jisu Krishtit.Dhe kështu duke u fshirë gjithsecili vetë me peshqir, ata vishen dhe mbas kësaj çohen të gjithë në bashkësinë (Kishë).

    Dhe peshkopi do të vërë dorën e tij mbi ata duke u lutur dhe duke thënë:O Zot Perëndi, që i vlerësove shërbëtorët e tu të denjë për të merituar ndjesën e mëkateve me anë të larjes së rilindjes, bëji ata të denjë të mbushen me Shpirtin Tënd të Shenjtë dhe dërgo mbi ata hirin Tënd, që ata të mund të të shërbejnë ty sipas vullnetit Tënd; sepse Ty të përket lavdia, Atit e Birit dhe Shpirtit të Shenjtë në Kishën e Shenjtë, tani e përherë e në jëtën pa mbarim. Amin.

    Mbas kësaj, duke derdhur vajin e shenjtëruar prej dorës së tij dhe duke e vënë dorën e tij mbi kokën e atij, ai do të thotë: Të lyej ty me vajin e shenjtë në Perëndinë Atin e Tërëfuqishëm dhe Jisu Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë.

    Dhe duke e vulosur atë në ballë, ai do t’i japë atij puthjen e paqes dhe do të thotë: Zoti qoftë me ty.

    Dhe ai që sapo është vulosur do të thotë: Dhe në shpirtin tënd.

    Dhe kështu do të bëjë me gjithsecilin më vete.

    Pastaj ata do të luten së bashku me të gjithë popullin.

    Por ata nuk do të luten më parë me besnikët para se të kenë kaluar në këto gjëra. 

    Dhe mbas lutjeve, le të japin puthjen e paqes.

    Falënderimi në Traditën Apostolike të Hipolitit.

    Zoti qoftë me ty.

    Dhe me shpirtin tënd.

    Ngrini lart zemrat.

    I kemi tek Zoti.

    Le ta falënderojmë Zotin.

    I ka hije dhe është e drejtë.

    Të falënderojmë ty Perëndi nëpërmjet shërbëtorit Tënd të dashur Jisu Krisht, të cilin Ti e ke dërguar kohët e fundit që të jetë Shpëtimtari dhe Çliruesi ynë dhe lajmëtari i këshillës Tënde, Fjala (Logos) që doli prej Teje, me anë të cilit i ke krijuar të gjitha gjërat, të cilin Ti pëlqeve ta dërgosh prej qiellit në gjirin e Virgjëreshës, dhe në trupin e saj Ai u mishërua dhe u shfaq të ishte Biri Yt i lindur prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës.

    Për të përmbushur vullnetitn Tënd dhe për të bërë gati për Ty një popull të shenjtë, Ai shtriu duart e Tij kur Ai pësoi që Ai të mund të çlironte nga vuajtjet ata që kishin arritur besimin në Ty.

    Dhe kur Ai e dha Veten në pësimin vetedashës, që të shkatërronte vdekjen, dhe të thyente prangat e djallit, dhe të shkelte Hadhin, dhe të ndriçonte të drejtët, dhe të ndërtonte gur kufiri, dhe të zbulonte Ngjalljen, Ai mori bukën, falënderoi dhe tha: “Merrni hani, ky është trupi im që thyhet për ju.”

    Në të njëjtën mënyrë mori potirin dhe tha: “Ky është gjaku im që derdhet për ju. Sa herë që ta bëni këtë mbani kujtimin tim.” Kur ne kujtojmë vdekjen dhe ngjalljen e Tij në këtë mënyrë, ne sjellim tek ty bukën dhe potirin, dhe të falënderojmë Ty, sepse Ti na ke vlerësuar të qëndrojmë para Teje dhe të shërbejmë ty si priftërinj.

     Dhe të lutemi që të dërgosh Shpirtin Tënd të Shenjtë në blatimin e Kishës. Bashkoji ato, dhe jepu të gjithë shenjtorëve që të marrin pjesë në blatimin, që ata të mund të mbushen me Shpirtin e Shenjtë, që të fuqizohen në besim dhe të vërtetë, që të mund të të lavdërojnë Ty me zë të lartë me anë të shërbëtorit Tënd, Jisu Krishtin, nëpërmjet të cilit Ty të dërgojmë lavdi e nder në kishën Tënde të shenjtë, tani e përherë. Amin.