Dionis Aeropagjiti

    Shkrimet teologjike që u shfaqën në shekullin e gjashtë nën emrin e Dionis Aeropagjitit, u pranuan në përgjithësi si nga mbrojtësit ashtu edhe nga kundërshtarët e doktrinave të sinodeve ekumenikë të shekullit të katërt dhe të pestë. Këto shkrime patën një ndikim të madh në devotshmërinë liturgjike të Kishës nëpërmjet shpjegimeve të tyre simbolike të ritualeve të adhurimit. Ato paraqisnin një teologji mistike e cila theksonte pakuptimshmërinë absolute të Perëndisë dhe “tjetërsinë” e Tij absolute prej gjithçkaje tjetër që ekzistonte në krijimin e Tij. Por, ato përmbanin një doktrinë në lidhje me Krishtin që shkaktoi vështirësi të mëdha në shekullin e shtatë.

    Shkrimet dionisiane përmbanin mësimin se Jisu Krishti, Biri i mishëruar i Perëndisë, ka një vullnet dhe një veprim theandrik që i kombinonte plotësisht  të dy veprimet dhe aktivitetet e dalluara të natyrave të Tij hyjnore dhe njerëzore. Kjo doktrinë u quajt monothelitizëm (që do të thotë se Krishti pati vetëm një vullnet hyjnoro-njerëzor), ose monoenergjizëm (që do të thotë se Krishti pati vetëm një veprim, ose energji hyjnoro-njerëzor). Kjo u pranua me dëshirë të madhe nga ata që menduan se ky formulim doktrinal do të zgjidhte përfundimisht problemin e ndarjes monofizite dhe do t’i ribashkonte ata me Kishën.  Në fakt, monofizitët i vlerësuan thellë mësimet e shkrimeve Pseudo-Dionisiane. Autori anonim i këtyre veprave, ndoshta ishte vetë një monofizit. Megjithatë, ribashkimi i pritur i atyre që ishin ndarë prej Kishës, qysh prej mesit të shekullit të pestë, nuk u realizua. Arsyeja përse nuk u realizua ishte nga kundërshtimi i furishëm që i bënë Shën Maksim Konfesori (v. 662) dhe Shën Martini, Papa i Romës (v. 655)  formulimit një vullnet dhe veprim theandrik në Krishtin.

     Shën Maksim Konfesori dhe Shën Martini

    Të dy këta njerëz, së bashku me mbështetësit e vendosur të tyre, këmbëngulën se Jisu Krishti duhej të kishte dy vullnete dhe veprime të dalluara, ashtu si Ai kishte dy natyra të ndara dhe të dalluara në një person. Etërit e Shenjtë këmbëngulnin se është një Bir i Perëndisë, i Cili është një Bir i Marisë, por ky një Bir dëshiron dhe vepron në mënyrë të dalluar si Perëndi dhe si njeri.

    Krishti ka plotësinë e vullnetit, energjisë, veprimit dhe fuqisë hyjnore që është e njëjta si ajo e Atit dhe e Shpirtit të Shenjtë. Krishti ka, gjithashtu, plotësinë e vullnetit, energjisë, veprimit dhe fuqisë njerëzore që është e njëjta me atë të çdo qenie tjetër njerëzore. Shpëtimi qëndron në faktin se Jisu Krishti, duke qenë një njeri i vërtetë, lirisht dhe vullnetarisht e nënshtron vullnetin e tij njerëzor (që është ekzaktësisht i njëjti vullnet njerëzor që kanë të gjithë njerëzit) te vullneti i Tij hyjnor (që është vullneti i Perëndisë). Kështu, Biri hyjnor i Perëndisë u bë një njeri i vërtetë me një vullnet njerëzor të vërtetë dhe kështu, si një njeri i vërtetë, Ai mundi “të përmbushë çdo drejtësi” në bindje të përsosur dhe të vullnetshme te Ati i Tij. Nëpërmjet veprimit njërëzor të vërtetë të Tij Jisu Krishti i çliron tërë njerëzit prej mëkatit dhe vdekjes si Adami i Ri dhe i Fundit (Shih Çlirimi tek Doktrina).  Shën Maksimi dhe Shën Martini pësuan shumë për kundërshtimin që i bënë pozicionit monothelit. Ata u burgosën, u torturuan dhe u gjymtuan nga pushteti perandorak, i cili donte me çdo kusht ta përdorte monothelitizmin si një mënyrë bashkimi me monofizitët.

    Sinodi i Gjashtë Ekumenik

    Megjithatë, përfundimisht, doktrina e këtyre shenjtorëve fitoi. Sinodi i Tretë i Konstandinopojes, i njohur si Sinodi i Gjashtë Ekumenik, mbajtur në 680-681, e verifikoi zyrtarisht mësimin e tyre dhe zyrtarisht dënoi si Patrikun Sergj të Konstandinopojës, ashtu edhe Honorin, Papën e Romës, së bashku me të gjithë ata që mbronin doktrinën e gabuar rreth Jisuit që e zhvishte Atë nga njerishmëria e Tij e vërtetë.

Shkrimet Teologjike

    Shën Maksim Konfesori shkroi, gjithashtu, mbi temat shpirtërore dhe asketike. Bashkëkohasi i tij në Egjipt, Shën Joan Klimaku (i Shkallës) (v. 649), igumeni i manastirit të Shën Ekaterinës në Malin Sinai, shkroi veprën klasike mbi jetën shpirtërore, Shkalla e Ngjitjes Hyjnore. Andrea i Kretës shkroi në shekullin e shtatë kanonin e tij pendimtar, i cili lexohet akoma në Kishën Orthodhokse gjatë Kreshmës së Madhe.

  Lindja e Islamit

    Shekulli i shtatë dëshmoi, gjithashtu lindjen e Islamit nga profeti Muhamed, i cili filloi kohën islame me ikjen e tij nga Meka, në 622. Pasuesit e këtij besimi të ri nuk humbën kohë në sulmin kundër perandorisë së krishterë, e cila në atë kohë ishte dobësuar shumë mbas një lufte të gjatë me persianët. Gjatë luftës persiane perandori Herakli rimori Kryqin e vërtetë nga ushtritë që e kishin kapur, dhe e solli atë në Konstandinopojë. Ky veprim shënoi kremtimin e Lartësimit të Kryqit nëpër tërë perandorinë e krishterë. Deri në vitet tridhjetë të shekullit të shtatë, një ditë e veçantë, në Shtator, për nderimin e Kryqit kremtohej vetëm në Jerusalem (Shih Lartësimi i Kryqit tek Adhurimi).

 Sinodi Kuinisekst (Pesë-Gjashtë) ose Sinodi i Trulos

    Në fund të shekullit të shtatë, ka mundësi në 692, një sinod u mbajt në Konstandinopojë, në sallën me kube ose Trulo, të pallatit perandorak. Ai hartoi 102 rregulla kanonikë. Këto kanone janë quajtur kanonet e Sinodit Kuinisekst (Quinisext), ngaqë ato u panë si vazhdimi i punës të sinodeve ekumenikë të pestë dhe të gjashtë, të cilët nuk kishin nxjerrë dekrete kanonikë.

    Shumë nga kanonet përpiqen të freskonin ligjin zyrtar të Kishës, duke e kombinuar atë me legjislacionin ekzistues civil të Justinianit. Të tjerë e vendosën praktikën e Kishës së hershme dhe normat disiplinore në terma më të saktë. Për shembull, këto kanone zyrtarizuan rregullin sipas të cilit njerëz të martuar mund të dorëzoheshin në dhjakonatë dhe presbiteri (priftëri) mund t’i mbante gratë e tyre, por ata që tashmë ishin dorëzuar dhjakonë dhe priftërinj nuk mund të martoheshin. Sinodi riforcoi ligjin që daton prej kohës së Justinianit, që vetëm të pamartuarit mund të shërbejnë në shërbesën e peshkopit. Ky sinod, caktoi gjithashtu, moshat për dorëzimet dhe riafirmoi disiplinën kishtare tradicionale në lidhje me klerin, të tillë si përjashtimin e rreptë të tyre nga pjesëmarrja drejpërdrejt në çështjet politike, ushtarake dhe ekomike të kësaj bote.

Zhvillimi Liturgjik

    Kanonet e Sinodit Trulon dekretuan qartë se një periudhë prej 40 ditësh agjërimi duhet të paraprijë Pashkën, në ditët e javës të së cilës nuk duhej të kremtohej Liturgjia Hyjnore Eukaristike, por duhej të shërbehej Liturgjia e Dhuratave të Parashenjtëruara (Kanoni 52). Ato iu bënin thirrje të krishterëve të nderonin Ngjalljen e Krishtit, duke mos u gjunjëzuar në të Dielat (Kanoni 90). Ky sinod i ndaloi laikët të hynin në shenjtëroren e ndërtetsës së Kishës dhe e ndalonte martesën misterore ndërmjet një orthodhoksi dhe një jo-orthodhoksi (Kanonet 69, 72). Në të kërkohej nga ata që këndonin në Kishë të frenoheshin nga “thirrjet e padisiplinuara” dhe nga përdorimi “nga të gjitha meloditë që janë të papajtueshme dhe të papërshtatshme për Kishën” (Kanoni 75). Në këtë sinod kërkohej, gjithashtu, çkishërimi i njerëzve që për asnjë arsye mungonin në liturgji “për tre të diela rresht” (Kanoni 80). Së fundi, bëhej thirrje për “dënimin me vdekje” për ata që “jepnin mjekime për abortin dhe për ato që i merrnin për të vrarë fetusin”(Kanoni 91).