Mbarimi i Debatit mbi Ikonat

    Mbas sinodit të 787 në të cilin u mbrojt zyrtarisht nderimi i ikonave në Kishë, dolën sundimtarë të rinj perandorakë të cilët i sulmuan përsëri si nderimin ashtu edhe nderuesit e imazheve të shenjta. Kur perandoresha Irena vdiq, në 802, u bë perandor Leo Armeni. Në 815 ai urdhëroi që ikonat e kishave të vendoseshin në vende ku besnikët nuk mundt’iarrinin dhe kështu, ata nuk mund t’i nderonin dhe t’i puthnin. Në të Dielën e Dafinës, të vitit 815, Shën Theodhori, igumeni i Manastirit të madh të Studios në Konstandinopojë, udhëhoqi një procesion publik me ikonat e shenjta. Ky procesion shkaktoi sulmin perandorak, tortura dhe vrasje. Vetëm në 843, me ardhjen në fron të Perandoreshës Theodhora, nën udhëheqjen e Patrikut Metodit, ikonat e shenjta u kthyen njëherë e përgjithmonë në Kishë. Ky kthim zyrtar i ikonave, të Dielën e Parë të Kreshmës në atë vit, shënoi fillimin e kremtimit vjetor të festës së triumfit të Orthodhoksisë që mbahet akoma edhe sot.

    Kirili dhe Metodi:  Misioni tek Sllavët

    Në mes të shekullit të nëntë Patriku i Konstandinopojës, Shën Foti, dërgoi misionarë në Moravi për t’i sjellë në besimin e krishterë popujt sllavë. Vëllezërit grekë, Konstandini dhe Metodi, arritën në Moravi, në 863. Konstandini kishte krijuar tashmë një alfabet sllav – i quajtur tani Sllavishte e Vjetër ose Bullgarishte e Vjetër – që vëllezërit e përdorën për të përkthyer librat e Kishës në gjuhën sllave. Vepra e tyre qëndronte në mësimin e alfabetit, futjen e librave liturgjikë dhe ritualë dhe duke përgatitur njerëz për priftëri.

    Misioni i Konstandinit dhe Metodit krijoi armiqësi me misionarët frankë të Kishës Latine, të cilët kishin ardhur në Moravi më parë. Ata besonin se gjuhët zyrtare në Kishë duhej të ishin vetëm hebraishtja, latinishtja dhe greqishtja. Ata nuk besonin se gjuha sllave duhej të përdorej në shërbesat kishtare. Kështu, Konstandini dhe Metodi shkuan në Romë, në vitin 869 për të mbrojtur punën e tyre, veçanërisht përdorimin e gjuhës vendase në liturgji. Papa Adrian II i bekoi misionarët grekë për punën e tyre.

    Konstandini vdiq në 869. Pak para se të vdiste ai u bë murg, duke marrë emrin Kiril, me të cilin njihet si një shenjt në Kishë dhe prej të cilit mori emrin edhe alfabeti Kirilik. Metodi u caktua si peshkop i Panonisë. Kur ai u kthye në punën e tij misionare, ai u arrestua nga kleri franko-gjerman me ndihmën e Luigj Gjermanit. Në vitin 873 kur Papa Joan mori vesh se çfarë i kishte ndodhur Metodit, kërkoi lirimin e tij. Por mbas vdekjes së Metodit në 885, puna e tij u shkatërrua nga pushteti franko-gjermanik. Shumica e nxënësve të tij u arrestuan, internuan ose u shitën në skllavëri. Disa ikën në Bullgari ku Shën Klementi dhe Shën Naumi bënë një punë të madhe misionare tek njerëzit atje. Bullgarët në këtë kohë po merrnin besimin e krishterë. Ata u lidhën me Kishën e Konstandinopojës, në 870. Puna e Shën Kirilit dhe Metodit, “ungjillizimi i sllavëve,” vazhdoi prej Bullgarisë nëpër Serbi dhe përfundimisht në Kiev dhe në Rusinë Veriore në shekujt që pasuan.

    Çështja Filioque

    Përplasja ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit nuk ishte vetëm rreth misionit te sllavët. Ajo kishte rrënjë më të thella në rolin që sundonjësit e rinj frankë dhe gjermanë po luanin në Evropën Perëndimore dhe në Kishën Perëndimore. Në vitin 800, ditën e Krishtlindjes, Karli i Madh u kurorëzua perandor nga Papa i Romës. Në 792 sundonjësi i ri i kishte dërguar tashmë Librat Karolinë të tij (Libri Carolini) tek Papa Adrian I. Arsyeja e Karlit të Madh për të sulmuar Kishën e Lindjes ishte, sepse kjo ishte e vetmja mënyrë në të cilën ai mund ta diskreditonte perandorin e Lindjes dhe kështu, ai vetë mund të njihej si i vetmi sundonjës në krishtërim. Në vizionin e tij të Perandorisë së Re Romane, Karli i Madh donte të përfshinte të gjithë Lindjen së bashku me të gjithë Perëndimin. Në vitin 808, Papa i Romës  Leo III reagoi kundër akuzave të Karlit të Madh kundër Lindjes. Ai e vendosi besoren, pa Filioque-n në tabela argjendi në dyert e Shën Pjetrit.

    Papati

    Ndonëse përpjekja e Karlit të Madh për të vendosur sundimin mbi të gjithë krishtërimin nuk u arrit, papët e Romës filluan të shtrinë qeverimin e tyre kishtar nëpër të gjithë Perëndimin. Papë të fortë si Nikolla I (858-867) e ushtruan autoritetin e tyre mbi të gjithë peshkopët në Perëndim, duke e ulur ndikimin e autoriteteve laike dhe decentralizimin e favorizuar nga mitropolitët lokalë. Në këtë proces ata u ndihmuan nga Dekretet e Rreme, dokumente që pretendonin të ishin letra të papëve të parë, por, në fakt, ishin fallsifikime franke të shekullit të nëntë. Për më tepër, e ashtuquajtura Dhuratë e Konstandinit e bëri të njohur ndikimin e saj. Kjo pretendonte se perandori Konstandin, në shekullin e katërt, i kishte dhënë disa fuqi dhe privilegje peshkopëve romanë, duke përfshirë edhe kontrollin shekullor mbi territoret rrotull Romës, të cilat më vonë u quajtën shtetet papale.

Foti, Patriku i Konstandinopojës

    Prej 861-886 ndodhi përplasja e parë ndërmjet Kishave të Lindjes dhe Perëndimit. Në Konstandinopojë ishin dy parti që po luftonin për pushtet në çështjet fetare dhe civile, të ashtuquajturët zellotët ose konservatorët dhe të moderuarit. Për të siguruar një udhëheqës të aftë që të restauronte paqen në Kishë, një laik, i quajtur Foti, u ngrit në detyrën e patrikut. Ekstremistët e të ashtuquajturës parti konservatore nuk ishin të kënaqur. Ata apeluan në Romë, duke përdorur emrin e mirë e patrikut të mëparshëm Ignat – i cili ishte tërhequr paqësisht për të mirën e Kishës – kundër Fotit dhe pushtetit perandorak që e kishte konfirmuar zgjedhjen e tij. Papa Nikolla përfitoi nga rasti i apelit ekstremist për të ndërhyrë në çështjet e Kishës së Konstandinopojës, duke thirrur një sinod në këtë qytet, në 861 për të zgjidhur grindjen. Kur legatët papal erdhën në sinod, ata panë se Foti ishte patriku i ligjshëm dhe gjithçka u zgjidh paqësisht. Por, kur legatët e kthyen në Romë, papa Nikolla e kundërshtoi vendimin e tyre dhe mbajti një sinod tjetër, kësaj radhe në Romë, në 863, në të cilin ai e shpalli Ignatin si peshkop i Konstandinopojës, duke e hequr Fotin. Veprimet e tij nuk u përfillën.

    Në 866 dhe 867 Kisha bullgare po luhatej ndërmjet Konstandinopojës dhe Romës. Në 867, në Konstandinopojë, Foti dhe një sinod prej pesëqind peshkopësh, e dënuan papën Nikolla për ndërhyrjen në çështjet e Kishës bullgare. Por në të njëjtin vit pati një ndryshim tjetër politik në Konstandinopojë. Vasili I u bë perandor duke vrarë parardhësin e tij dhe mbrojtësin e tij të mëparshëm, dhe për arsye politike Ignati u rivendos si patrik në vend të Fotit. Në 869 Papa Adrian II, pasuesi i Nikollës e çkishëroi Fotin përsëri për rolin e tij në çështjen bullgare. Por, në 877 situata ndryshoi. Foti, i cili nuk ishte kundër perandorit të ri, u bë përsëri Patrik, kur i nderuari Ignat vdiq.

    Në 879, një sinod i madh u mblodh në Konstandinopojë, ku morën pjesë edhe legatët papal. Në këtë sinod, të kryesuar nga Foti, privilegjet tradicionalë të papës së Romës në Lindje u qartësuan nga Foti dhe u pranuan nga Papa Joani VIII, i cili ishte papa i ri. Sinodet e 863 dhe 869 që dënuan Fotin u konsideruan të pavlefshëm. Sinodi i 787 u pranua si Sinodi i Shtatë Ekumenik. Besorja u afirmua pa Filioque-n.

    Foti u kanonizua zyrtarisht si shenjt nga Kisha Orthodhokse në shekullin e dhjetë. Ai ishte një njeri me shumë talente. Ai ishte një teolog i madh që shkroi shumë, sidomos në çështjen e Filioque-s, duke mbrojtur burimin e Shpirtit të Shenjtë vetëm prej Atit. Ai ishte një përpilues i shkrimeve klasike dhe patristike. Ai sponsorizoi misionin tek sllavët. Mbrojti Traditën autentike të Kishës në përballjen me pretendimet e ekzagjeruara të Nikollës, ndërkohë duke ruajtur unitetin me Kishën e Romës dhe papën Joani VIII. Ai ishte një diplomat i shkëlqyer në çështjet politike, me përunjësinë dhe diturinë e tij ai fitoi respektin e njerëzve dashamirës në të gjitha anët e Lindjes dhe Perëndimit. Shën Foti ishte njëri prej peshkopëve me të vërtetë të mëdhenj në historinë e Kishës së krishterë.

   Zhvillimi Liturgjik

    Në shekullin e nëntë një tjetër shenjt i madh, Shën Theodhori i Studios, ishte përgjegjës për zhvillimin liturgjik. Shën Theodhori ishte igumen i manastirit të Studios në Konstandinopojë i cili kishte, gjatë jetës së tij, rreth njëqind mijë murgjër në drejtimin e tij. Ai njihet për mbrojtjen që u bëri ikonave të shenjta dhe për rolin e tij në zhvillimin e adhurimit liturgjik orthodhoks. Tipikoja liturgjike, rregulli i adhurimit publik në manastirin e Studios, u bë rregulli normativ për tërë Kishën Orthodhokse qysh prej shekullit të nëntë. Librat e shërbesave për Kreshmën e Madhe dhe Pashkën, Triodi dhe Pesëdhjetorja, janë pothuaj, krejtësisht, punë e murgjërve Studitë, ndër të cilët më i famshmi është Shën Josif Himnografi. Gjithashtu, daton prej shekullit të nëntë, një kopje e Liturgjisë Hyjnore të Shën Joan Gojartit e cila e ka liturgjinë e besnikëve, gati, pothuaj në të njëjtën formë në të cilën bëhet sot në Kishën Orthodhokse.

Kodi Ligjor

    Në fund të shekullit të nëntë, Perandori Vasil I, filloi një kodifikim të ri të ligjit civil. Një nga veprat që doli nga kjo punë ishte Epanagogjia. Aty u riafirmua sistemi i “sinfonisë” ose unitetit ndërmjet kishës dhe shtetit.

    Perëndimi

    Duke folur në përgjithësi, shekulli i nëntë ishte një nga shekujt më të rëndësishëm në historinë e Kishës. Ishte një periudhë rilindjeje në Lindje, ndërsa në Perëndim ishte një periudhë e rritjes së centralizimit rreth papatit roman. I vetmi teolog për t’u përmendur në këtë kohë në Perëndim ishte Joan Skot Erigena (v. 877), i cili e solli influencën e madhe të teologjisë Lindore të Dionisit dhe të Shën Maksimit në Kishën Perëndimore.