Papati

    Perëndimi në shekullin e pesëmbëdhjetë ishte në trazira rreth lidhjeve ndërmjet papatit dhe sinodeve kishtarë. Disa mbronin pikëpamjen se papa ishte suprem, ndërsa të tjerë atë që autoriteti i sinodeve të Kishës është mbi atë të papës. Një nga sinodet e periudhës, ai i Ferrara-Firences (1438-1439) u mbështet nga papët. Përfaqësuesit e Kishës së Lindjes erdhën në këtë sinod përsëri me shpresë për ndihmë në luftën kundër turqve. Ndërmjet njerëzve të Kishës Lindore që u pranuan në sinod në “kushte të barabarta” me Latinët ishin Perandori i Konstandinopojës, Joani VIII; Patriku i Konstandinopojës, Josifi; dhe Mitropoliti i Kievit, një grek i quajtur Isidor.

    Sinodi i Firences

    Në Sinodin e Firences përfaqësuesit lindorë pranuan një doktrinë të fortë të pushtetit papal – ndonëse çështja nuk u diskutua thellësisht – si edhe doktrinat e Filioque-s dhe të Purgatorit. Perandori bizantin bëri presion të ndalonte diskutimet teologjike me shpresën e arritjes së bashkimit. Të gjithë peshkopët orthodhoksë e nënshkruan deklaratën e bashkimit, me përjashtim të Mark Eugjenikos, peshkop i Efesit. Bashkimi i Firences nuk u shpall publikisht deri në 1452 në Shën Sofia në Konstandinopojë. Në 29 maj 1453 turqit nën Mehmetin II e pushtuan qytetin, i cili u riquajt Istanbul, duke shënuar mbarimin e perandorisë bizantine. Akti i parë i patrikut Genadi Skolarios, mbas rënies së Konstandinopojës, ishte kundërshtimi i bashkimit të Firences. Për këtë veprim patriku ishte nën presionin e fortë të Shën Markut të Efesit. Shën Marku, mbrojtësi i vendosur i Orthodhoksisë kundër asaj që do quhej më vonë “bashkimi i padrejtë”, u kanonizua shenjt për veprimet e tij.

    Rusia

    Kur perandoria bizantine po pushtohej nga myslimanët, fara e perandorisë së ardhshme ruse kishte filluar të zinte rrënjë në Moskë. Ivani III i Madh (1462-1505), princi i Moskovit, ia doli mbanë ta shtrinte rolin e tij në veriun e Rusisë, duke e mundur dhe duke e aneksuar Novgorodin. Ai u martua me princeshën bizantine Sofia Paleologu në 1472 dhe pranoi titullin Car (forma sllave e titullit të vjetër perandorak Qesar) dhe simbolin e shqiponjës me dy kokë. Ideologjia e Moskës si “Roma e tretë” mbas Konstandinopojës tashmë ishte duke lindur. Në Rusinë e shekullit të pesëmbëdhjetë filloi një debat i madh rreth rolit që duhet të luajë Kisha në jetën politike dhe sociale të kombit. Dy udhëheqësit e debatit – të dy i takonin trashëgimisë së Shën Sergjit dhe të dy janë kanonizuar shenjtorë të Kishës – ishin: Nili i Sora-s (Nil Sorski, 1433-1508) dhe Josifi i Volotskut (1439-1515).

    Shën Nili udhëhiqte partinë e “jo zotëruesve” të cilët jetonin përtej lumit Vollga. Ata quhen ndonjëherë “transvollganët”. “Jo zotëruesit” mbronin pikëpamjen se Kisha, sidomos manastiret, duhet të ishin të çliruar nga pronësimi dhe nga zotërimi i pronave të mëdha. Ata mendonin se Kisha duhej të ishte jashtë ndikimit dhe kontrollit direkt të shtetit. Ata e mbronin varfërinë si virtutin kryesor, së bashku me përunjësinë dhe lirinë shpirtërore që duhet të zotërojë jetën e qetë dhe soditëse për murgjërit. Ata ishin trashëgues të traditës kenotike, hezikaste dhe mistike të Shën Sergjit dhe të spiritualitetit të hershëm Kievian. “Zotëruesit” udhëhiqeshin nga Shën Josifi, prandaj edhe quhen ndonjëherë “Josifitët”. Ata mbronin pikëpamjen se Kisha dhe shteti duhet të ishin në lidhje sa më të ngushta që është e mundur dhe se Kisha duhet t’i shërbejë nevojave sociale dhe politike të kombit rus që po formohej. Ideali i “zotëruesve” ishte që Kisha, sidomos manastiret, duhej të kishin prona të mëdha. Kisha duhej të nxiste tek njerëzit një jetë të disiplinës asketike dhe të shërbimit social, e cila duhej të ishte e rrënjosur në respektimin strikt të riteve liturgjike dhe kultike. Në këtë drejtim “zotëruesit” ndiqnin, gjithashtu traditën e Shën Sergjit.

    Si Shën Sergji ashtu edhe Mitropoliti Aleks luajtën një rol të rëndësishëm në jetën sociale dhe politike të Rusisë së shekullit të katërmbëdhjetë, si edhe duke vazhduar trashëgiminë fillestare bizantine të Kishës dhe kombit Rus, e cila ishte e pranishme në vend qysh prej fillimeve të hershme Kieviane. Ndonëse fryma e “jo-zotëruesve” mbeti gjithmonë në Orthodhoksinë Ruse, ishte drejtimi i “zotëruesve” ai që e zotëroi zhvillim kombëtar dhe kishtar rus në shekujt pasues.

    Rënia e Bizantit

    Serbia u pushtua nga turqit në 1459, Greqia në 1459-60, Bosnja në 1463 dhe së fundi Egjipti në 1517. Për katër shekujt e ardhshëm turqit do të kishin sundimin mbi të krishterët orthodhoksë në ish-Perandorinë Bizantine të Lindjes.

    Perëndimi

    Në Perëndim, shekulli i pesëmbëdhjetë pa rezistencën e vazhdueshme ndaj pushtetit të papatit nga lëvizja sinodike e përmendur më sipër; nga rritja e ndërgjegjes kombëtare ndër popuj të ndryshëm të Evropës Perëndimore; nga lëvizje fetare që pararendnin kohën e reformës dhe nga lëvizjet humaniste të rilindjes, të cilat po bëheshin tashmë më të fuqishme me theksimin e tyre në njeriun natyral nëpërmjet rilindjes së interesimit në kulturën helenike dhe romane. Emri i Erazmit (v. 1536) duhej të përmendet në këtë drejtim, si edhe i artistëve dhe shkencëtarëve të tillë, si: Leonardo da Vinçi (v. 1519) dhe Rafaeli (v. 1520).

    Mund të përmenden më tej udhëheqësi çek Jan Husi, i cili u dënua të digjet në turrën e druve, në 1415, në Sinodin e Konstancës, për kundërshtimin e tij ndaj papës dhe praktikave të Kishës Romane; Savonarola, frati domenikan i zjarrtë i Firences, i cili u dogj i gjallë, në 1498, nga nxitja e papës për denoncimin dhe dënimin që ai u bëri dobësive dhe mëkateve kishtare; Fra Anxheliko (v. 1455), piktori fiorentin, shumë nga kryeveprat e të cilit janë në manastirin e Shën Markut në Firence ku ishte edhe Savonarola; Donatelo (v. 1466); Fra Filipo Lipi (v. 1469) dhe Botiçeli (v. 1510).