Rusia gjatë sundimit të Ivanit të Tmerrshëm
Në Rusi, në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, teoria e “Romës së tretë” u bë një realitet politik. Murgu Filothe i Pskovit e informoi car Vasilin III (1505-1533) për vizionin e tij, bazuar në librin e Danielit, se carizmi rus do të ishte mbretëria e fundit tokësore e Popullit të Perëndisë. Roma e parë ra nga herezia. Roma e dytë, Konstandinopoja, ra nga mëkati. Roma e tretë, Moska, po qëndron. Nuk do të ketë Romë të katërt. Car Ivani IV, i Tmershmi (1533-1584), e themeloi mbretërimin e tij mbi këtë bazë. Ai u kurorëzua car në 1547 si pasues i perandorit bizantin. Ai i persekutoi armiqtë e tij mizorisht ngaqë ai i vuri nën kontrollin e tij personal si Kishën ashtu edhe shtetin. Ndërmjet viktimave të shumta të Ivanit ishte Mitropoliti Filip i Moskës. Ai u mbyt nga xhelatët e carit në 1568 për kundërshtimin e tij të hapur ndaj veprimeve të sundonjësit të marrë. Filipi është kanonizuar qysh herët nga Kisha si shenjt.
Në 1547-1549 Kisha e Rusisë kanonizoi zyrtarisht shumë shenjtorë nga anë të ndryshme të vendit, duke e përdorur nderimin e këtyre njerëzve të shenjtë – të cilët ishin nderuar më parë vetëm lokalisht – si mjet për unifikimin kombëtar. Në 1551, Sinodi i Njëqind Kapitujve – Sobori Stoglav – e afirmoi më tej supremacinë e Orthodhoksisë Ruse mbi Kishat e tjera Orthodhokse të Lindjes. Mbasi rusët i mundën turqit në Kazan, në 1551, Ivani ndërtoi të famshmen Kishë të Shën Vasilit në Kremlinin e Moskës në nderim të Shën Vasilit, moskovitit të Marrë për Krishtin (v. 1552). Kjo kishë është e njohur për kombinimin e stilit të krishterë dhe oriental. Gjatë pjesës së parë të mbretërimit të Ivanit, ati i tij shpirtëror ishte prifti Silvestër. Shumë nga reformat e para të Ivanit udhëhiqeshin nga ky bari i thjeshtë. Silvestri ishte kontribuesi kryesor i librit të quajtur Domostroi ose Shtëpi-ndërtuesi, që i mësonte familjeve të krishtera ruse sesi duhej t’i rregullonin jetët e tyre sipas praktikave rituale dhe etike të Kishës Orthodhokse. Domostroi ishte një libër shumë popullor, i cili ndikoi breza të familjeve ruse. Ivani e internoi Silvestrin në 1559.
Gjithashtu, gjatë mbretërimit të Ivanit të Tmerrshëm, Mitropoliti Makario i Moskës (1542-1563) shkroi dymbëdhjetë vëllime të quajtura Këndimet Mujore. Kjo ishte një përmbledhje e madhe e komentarëve mbi Biblën, jetët e shenjtorëve, predikimeve dhe materialeve të tjera për lexime shpirtërore. Në këtë kohë “jo-zotëruesi” Shën Maksim Greku (v. 1556) u burgos dhe u torturua për përpjekjen e tij për të rishqyrtuar dhe korrigjuar librat liturgjikë të Kishës Ruse. Shën Guri (Gury v. 1563), peshkop i Kazanit, po kryente misionet e tij ndër fiset e Siberisë.
Rusia gjatë Mbretërimit të Theodhorit
Gjatë mbretërimit të birit të Ivanit, Theodhorit, Patriku i Konstandinopojës, Jeremia II, erdhi në Moskë për të kërkuar ndihmë. Kisha e Patriarkanës së Konstandinopojës ishte nën pushtetin e turqve. Kështu, nën presionin e dukshëm të kësaj situate, patriku e njohu peshkopin moskovit, Job, si patrikun e gjithë Rusisë, në 1589. Ky ishte patriku i parë i Rusisë. Dokumenti i vendosjes së patrikut të ri ishte pothuaj një përsëritje e profecisë së Filotheut rreth Moskës si Roma e tretë. Kështu, teoria, e cila u bë praktikë nën Ivanin III, u afirmua tani, zyrtarisht nga prelati më i lartë në Kishën Orthodhokse. Në 1593 Kisha Ruse mori aprovimin e statusit të saj si patriarkanë nga peshkopët e Jerusalemit, Aleksandrisë dhe Antiokisë. Kështu, u njoh, zyrtarisht si e pesta në nderim ndër patriarkanat orthodhokse.
Unioni i Brest-Litovskit
Shekulli i gjashtëmbëdhjetë pa zhvillimin e mbretërisë Polako-Lituane në kufijtë perëndimorë të Rusisë. Në 1569 Polonia dhe Lituania ishin bërë një nën Sigismundin. Mbretëria kishte marrë segmente të tokave ruse në lindje deri në Kiev – territore të populluara pothuaj, krejtësisht nga të krishterë orthodhoksë. Jezuitët kishin hyrë në këtë territor më parë, duke prurë mësimin dhe praktikat latine. Rezulatat i kësaj ishte Unioni i Brest-Litovskit në 1596, me anë të cilit peshkopët orthodhoksë të zonës bënë një bashkim me Kishën Romane mbi bazën e marrëveshjes së arritur në Firence një shekull më parë. Ritet dhe zakonet e Kishës për masat e besimtarëve orthodhoksë që u morën në “unia” mbetën të njëjta. Hierarkia kishtare, udhëheqja klerikale dhe akademike e Kishës ishte e vendosur totalisht nën disipilinën latine dhe doktrinën e papatit roman. Ky bashkim i 1596 mbeti, në fakt, në territoret të cilat vazhduan të ishin nën sundimin e qeverive jo-orthodhokse të Polonisë, Austro-Hungarisë dhe Çekosllovakisë.
Qysh prej fillimit të saj lëvizja uniate u ndesh me një kundërshtim të fortë. Kundërshtarët ishin, kryesisht, orthodhoksë laikë, të cilët ishin të organizuar në vëllazëri dhe bekuar nga patriku Jeremia i Konstandinopojës, për të mbrojtur besimin orthodhoks, qysh prej 1588. Në fillim lëvizja anti-uniate u ndihmua nga përdorimi i shtypshkronjës së Ivan Fedorovit. Ky njeri u përzu nga Moska prej Ivanit III, për shkak “zbulimin diabolik” të tij.
Lindja
Në gjysmën e dytë të shekullit gjashtëmbëdhjetë, patrikët e Lindjes ishin në kontakt me reformatorët protestantë në Perëndim. Jeremia II, mbas një studimi të kujdesshëm të Konfesionit të Augsburgut – i cili iu dërgua atij për shqyrtim – deklaroi fort se mësimet Luterjane ishin heretike. Gjatë të njëjtës periudhë, Shën Gjergji dhe Shën Joani i Ri (1526) u shtuan në listën e shenjtorëve të Kishës për martirizimin e tyre nën myslimanët. Të tjerë shenjtorë grekë të kësaj kohe ishin: Shën Visarioni, peshkop i Larisës (v. 1541) dhe Shën Filotheu i Athinës (v. 1589).
Perëndimi dhe Reforma Protestante
Perëndimi në shekullin e gjashtëmbëdhjetë kaloi nëpër reformën protestante dhe kundër-reformën e Kishës Katolike. Martin Luteri (v. 1545), Zhan Kalvini (v. 1564) dhe Ulrik Zvingli (Ulrich Zwingli, v. 1545) udhëhoqën lëvizjen reformiste në kontinentin evropian. Ata sulmonin abuzimet praktike të Kishës Romane, si edhe mësimet e saj zyrtare. Mbreti Henri VIII themeloi Kishën Anglikane me anë të Aktit të Supremacisë në 1534 dhe Xhon Noks (John Knox, v. 1572) solli besimin kalvinist në Skoci.
Kisha Katolike mbajti Sinodin e Trentos (1561-1563) i cili formuloi zyrtarisht doktrinat e purgatorit, indulgjencave, transubstanciacionin e bukës dhe verës në eukaristi dhe pozicione të tjera të sulmuara dhe dënuara nga Protestantët. Pozicioni protestant bazohet në doktrinën e justifikimit nga hiri vetëm nëpërmjet besimit. Bibla është i vetmi autoritet kishtar, e interpretuar drejtpërdrejt nga çdo besimtar nën frymëzimin e Perëndisë. Jeta misterore e Kishës është reduktuar në Pagëzimin dhe Darkën e Zotit, që është kuptuar kryesisht, si një ushqim përkujtimor, jo në kuptimin e flijimit. Sinodi i Trentos riforcoi doktrinën e supremacisë së papës së Romës dhe autoritetin e hierarkisë së Kishës. Të dyja këto doktrina ishin objektet kryesore të sulmit protestant.
Perëndimi dhe Kundër-reforma
Kundër-reforma romane u udhëhoq nga Jezuitët. Shoqëria e Jisuit u themelua në 1534 nga Ignati i Lojolës (v. 1556) me qëllimin kryesor për të mbrojtur papatin roman. Françesk Havier (Francisco Javier, v. 1552) ishte jezuiti i famshëm misionar që arriti në Lindjen e Largët gjatë kësaj periudhe. Jezuiti hollandez Pjetër Kanisius (Peter Canisius, v. 1597) e udhëhoqi kundër-reformën në Gjermani, duke shkruar Katekizmin e tij të famshëm, i cili u bë një tekst standart i katolicizmit post-reformist. Në Spanjë autorët mistikë: Tereza e Avilës (v. 1582) dhe Joani i Kryqit (v. 1591) po udhëhiqnin reformën e jetës fetare të Kishës Romane. Në Gjenevë, peshkopi roman, Fransua de Sal (François de Sales, v. 1622) po shkruante veprën e tij rreth jetës shpirtërore. Gjatë kësaj kohe artisti Tician (v. 1576) po pikturonte dhe muzikanti Palestrina (v. 1594) po prodhonte kompozimet e tij madhështore, të cilat u përdorën në Kishën Romane.