Me moton “Dhuro gjak, shpëto jetë”, të rinjtë orthodhoksë të kryeqytetit ofruan ndihmën dhe kontributin e tyre për fëmijët talasemikë. Sesioni i dhurimit vullnetar të gjakut u organizua në qendrën rinore orthodhokse “Bethlehem” më 20 janar, me një pjesëmarrje të gjerë të të rinjve dhe të të rejave.
    Një javë para së të zhvillohej veprimtaria, dy mjeke të ardhura nga Kryqi i Kuq Shqiptar dhanë një informacion paraprak për procedurën e dhurimit të gjakut.
    Në Kishën Orthodhokse dhurimi vullnetar i gjakut është përsëritur disa herë me një pjesëmarrje aktive të të rinjve orthodhoksë. Sesione të tjera të dhurimit të gjakut janë zhvilluar vit për vit edhe në qendra të tjera të Kishës Orthodhokse si: në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit, në qendrat rinore orthodhokse në Tiranë dhe Elbasan etj.
   Të rinjtë falënderuan dhe shprehën mirënjohje ndaj Perëndisë për mundësinë e ndihmës ndaj vëllezërve që kanë probleme shëndetësore.Krahas shumë të rinjve, i pranishëm ishte dhe Arqimandriti Kozma Prifti. Ai ishte edhe shembulli i parë si dhurues në këtë ditë, duke dhënë mesazh shumë të bukur dhe mbresëlënës për të gjithë ata njerëz të cilët dhuruan gjak, por më tepër për të gjithë njerëzit kudo që ndodhen, në mënyrë që ata të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se çfarë do të thotë të dhurosh nga vetja jote.
    Atë Kozmai tha se mesazhi që ofrohet tek çdo njeri dhe për çdo njeri: “Dhuro gjak shpëto jetë”,  mund t’i shtohet edhe një mesazh tjetër i bukur: “Më i lumtur është ai që dhuron sesa ai që merr”. Vetë jeta e njeriut është dhuratë nga Perëndia. Trupi dhe gjaku ynë është dhuratë nga Perëndia për ne.
    Prandaj le të bëhemi edhe ne dhurues edhe ndihmues për të tjerët, pasi kjo do të na japë më shumë kënaqësi dhe lehtësi për veten tonë.
   Të rinjtë orthodhoksë të kryeqytetit, me këtë akt humanitar kujtuan veprën hyjnore të Zotit tonë Jisu Krisht, i Cili me gjakun e tij në Kryq lau mëkatet tona dhe na shpengoi nga mëkati, duke na blerë me gjakun e Tij.
 

 
 
Dorina Skënderi