Për t’iu përgjigjur kërkesës së drejtorit të shkollës “Imer Krasniqi” z. Idriz Hoti për mbajtjen e një kampi veror, në fund të muajit gusht u organizua kampi “Miqësia”. Disa të rinj vullnetarë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë drejtuan një aktivitetet të larmishëm, të udhëhequr nga bashkëpunëtori amerikan i Kishës sonë Nathan Hoppe dhe koordinatorja e Zyrës së Fëmijëve znj. Gabriela Bezhani. Tema e kampit “Miqësia” u zgjodh në linjë logjike me një miqësi të krijuar vite më parë, në kohën e qëndrimit në Shqipëri të mijëra kosovarëve. Kjo ishte hera e parë në shkollën “Imer Krasniqi” të fshatit Carallukë të komunës së Malishevës që u zhvillua një kamp për argëtimin e fëmijëve. Grupi që zhvillonte kampin pati një mirëseardhje dhe një mikpritje të mirë nga arsimtarët e kësaj shkolle e sidomos nga drejtori z. Idriz Hoti si edhe nga prindërit dhe fëmijët.
Pati një pjesëmarrje masive nga fëmijët kosovarë në ditët e kampit dhe numëroheshin më shumë se 300 fëmijë. Arsimtarët kosovarë ofruan ndihmën e tyre duke marrë pjesë çdo ditë në aktivitete. Programi ishte zbavitës dhe pjesën dërrmuese e zinin lojërat në grup të vogël dhe në grup të madh, puna e dorës, lojëra sportive, humor, biseda miqësore si edhe përgatitjet për festën e fundit të veprimtarisë në të cilën fëmijët shprehën talentin e tyre në këngë, valle, pjesë humori etj.
Për të shprehur simbolin e këtij aktiviteti, grupi vullnetar i të rinjve orthodhoksë dhanë një shfaqje duke treguar rolin e fryteve që janë virtytet, të cilat përbëjnë edhe pemën e miqësisë. Në shkollë u shpërndanë edhe dhurata për fëmijët që u përgatitën nga një grup miqsh orthodhoksë amerikanë të ardhur në vendin tonë për vizitë. “Fëmijët kanë mbetur të kënaqur nga ky aktivitet, sepse është i vetmi që organizohet gjatë vitit shkollor. Kisha dëgjuar që prej vitesh organizohen në komunën tonë aktivitete nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, prandaj bëra kërkesë që ky aktivitet të kryhej edhe në shkollën tonë.
E falënderoj grupin e të rinjve orthodhoksë shqiptarë dhe i mirëpresim edhe vitin tjetër” – tha drejtori i shkollës, z. Idriz Hoti. Ditën e fundit, në mbrëmjen festive me arsimtarët e shkollës mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës z. Gani Krasniqi, i cili në emër të banorëve të zonës falënderoi organizatorët për realizimin e këtij aktiviteti.
Miqësia mes të rinjve orthodhoksë shqiptarë me fëmijët kosovarë po ndjek një traditë të veçantë përmes organizimit të aktiviteteve kulturore dhe edukative. Për të gjashtin vit me radhë, më shumë se 100 vullnetarë janë përpjekur të mbjellin dhe të kultivojnë te fëmijët e komunës së Malishevës vlerat kryesore të shoqërisë. Këtë verë ata organizuan më parë edhe katër kampe verore që identifikohen me emra virtytesh të tilla si: në Carallukë me emrin “Zemërgjerësia”, në Malishevë me emrin “Shpresa”, në Banja me emrin “Gëzimi” dhe në Begaj me emrin “Mirësia”. Më shumë se 1500 fëmijë morën pjesë në këto veprimtari të larmishme. Vullnetarët e ardhur nga Shqipëria u përqendruan në programe edukative përmes të cilave realizuan përcjelljen e dijes dhe krijimtarisë te fëmijët, duke i shndërruar kështu kampet në një model të shkollave verore.
Sofia Bregu