Një intervistë e dhënë para disa muajsh nga Kryepiskopi Anastas në programin shqip të radios Dojçe Vele dhe e publikuar disa ditë më parë në mediat e përditshme, ka ndezur një debat të fragmentarizuar. Pretendimi, i përsëritur, është i njëjtë: të largohet Kryepiskopi aktual nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe të vendoset një shqiptar. Të njohur apo jo me zhvillimet e Kishës në Shqipëri, tashmë identikë në qëndrimet e tyre, këta njerëz marrin përsipër, pa ua njohur kush të drejtën, të “bëjnë” politikat kishtare dhe të “vendosin” se kush duhet të jetë dhe kush nuk duhet të jetë në krye Kishës, sikur të bëhej fjalë për një institucion laik si ai i kryeprokurorit, apo presidentit… apo çfarëdoqoftë. Gjithsesi, kushdo është i lirë të shprehë mendimet e tij në një sistem ku e drejta e fjalës njihet dhe legjitimohet në çdo dokument kushtetues e ligjor. Por, kur shigjetohet e vërteta për Kishën dhe sulmohet padrejtësisht institucioni i Kryepiskopit, nuk është logjike të pranohen mendime radikale, që cënojnë rëndë dinjitetin e një komuniteti të tërë. Po a vjen e gjitha nga padija? Fakti që disa syresh, më të përpunuar në ideologjitë e tyre nacional-ekstremiste synojnë të arrijnë qëllime të caktuara lobesh dhe publikojnë gjithfarëlloj mendimesh, tregon që e dinë mirë anën tjetër të medaljes.
Shkurt, Kryepiskopi Anastas nuk është i palëvizshëm dhe i përjetshëm, por as nuk ka arsye të largohet. Pikërisht në këto momente dinamike Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, e cila po njeh një zhvillim të jashtëzakonshëm në një kohë shumë të shkurtër, ka nevojë për kryebariun e saj dhe kjo familje e madhe e krishterë di t’i zgjidhë vetë çështjet e saj. Në një shtëpi gjithsecili ka detyrat e veta dhe përgjegjësitë që i takojnë. Aq më tepër në shtëpinë e Zotit kur bëhet fjalë për gjëra të shenjta dhe njerëz që synojnë shenjtërimin tek e vërteta, rruga dhe jeta.
Për figurën e Kryepiskopit Anastas flet vetë historia 16-vjeçare e qëndrimit të tij në krye të Kishës në Shqipëri. Që në fillim ai e pa këtë sfidë të re si një mundësi për të mbledhur së bashku të gjitha pjesët e jetës së tij. Vetë Kryepiskopi ka thënë: “Ky është dhe kontributi më i madh që kam dhënë, një kontribut teologjik për të ndihmuar Kishën të rizbulojë kush është në të vërtetë. Është një kontribut jete. Pozicioni im teologjik ka qenë gjithmonë të jetoj në misterin e një Kishe të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike. Të jetoj misionin e Kishës në këndvështrimin e saj të saktë universal dhe eskatologjik”.Jeta e Kryepiskopit Anastas dhe puna e tij mund të përmblidhen në vetë fjalët e tij. Gjatë shtatëdhjetë e tetë viteve të jetës ai është përpjekur të jetojë dhe të shpallë misterin e “një Kishe të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike”. Ai është përpjekur të jetojë misionin e Kishës brenda këndvështrimit të duhur universal. Misioni është një shprehje e rëndësishme e ndërgjegjes orthodhokse, një thirrje për të plotësuar me vepra vullnetin e Perëndisë në tokë dhe në qiell. Indiferenca ndaj misionarizmit është mohim i Orthodhoksisë. Këtu nuk bëhet fjalë për politikë nacionalitetesh, por për vullnet të hekurt në shërbimin ndaj Zotit.
Nën petkun e variacionit të intelektit për të përzier politikën me fenë, përmes thirrjeve emocionale, duke justifikuar zgjimin e ndërgjegjes kombëtare në mbrojtje të identitetit, figura e Kryepiskopit gjatë gjithë këtyre viteve po përdoret si një busull që gjithkush përpiqet ta orientojë në interesat personale ose nacionale. Këta njerëz nuk e kanë kuptuar misionin e tij, ose më mirë nuk e kanë dëshiruar praninë e misionit të tij me përmasa apostolike. Në Shqipëri ai nuk cënon identitetin kombëtar shqiptar, por e forcon më mirë se kushdo tjetër jo vetëm në vendin tonë, por kudo në botë. Kisha shqiptare nuk rrezikon të helenizohet. Përkundrazi, flet më shumë shqip se çdo komunitet tjetër fetar në vendin tonë. Për këtë mund të bëhen edhe sondazhe, sidomos ata që gumëzhijnë nëpër media. Argumenti tjetër se Kryepiskopi Anastas ka shkelur statusin e Kishës, nuk është bindës dhe as referues, sepse nuk mund të gjykohet statusi i Kishës nga dylbitë e atyre që e shikojnë për së largu këtë institucion dhe funksionimin e tij. Fakti që Kryepiskopi Anastas është ende në krye të Kishës suportohet edhe nga domosdoshmëria e pranisë së tij për vetë nevojat e shumta që ka Kisha e Shqipërisë dhe nga personaliteti i jashtëzakonshëm që ka kryebariu i saj.
Për ortodoksët shqiptarë ka rëndësi prania e Hirit të Perëndisë dhe rritja shpirtërore e besnikëve të saj. Kisha dhe drejtuesit e saj luten për të gjithë njerëzit, madje edhe për ata që po përpiqen me të gjitha mënyrat ta dëmtojnë. Por, zhdukja e Kishës është e pamundur! Një ide e gabuar në mendjet e atyre që nuk e duan Fjalën dhe veprën e Zotit! Kisha dhe Kryepiskopi dhe të gjithë besimtarët e saj nuk mbështeten në politika dhe palë të caktuara që ngjiten e zbresin në pushtete njerëzore, por në lavdinë e Perëndisë. Kushdo që do shihte nga afër punën dhe bekimet e Kishës dhe njerëzve të saj, kishte për të njohur madhështinë e Orthodhoksisë, që nuk e ka burimin tek kombet, por tek Krishti. Lum ata që do shikojnë këto vepra.
Isidor Koti