|
|
Nga datat 12 – 16 tetor 2007, u kremtua në Tbilis të Gjeorgjisë 1400-vjetori i manastirit të Ivarit (Kryqit të Nderuar), si dhe 30-vjetori i Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij, Patriarkut të Kishës së Gjeorgjisë, Ilia II. |
|
Në këtë jubile morën pjesë përfaqësues nga të gjitha Kishat Orthodhokse të botës, si dhe Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik Vartholomeu I. Delegacioni i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përfaqësohej nga Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati, si dhe nga z. Jorgo Papadhopulli, pedagog në Akademinë Teologjike në shën Vlash. |
|
|
|
Në pritjen zyrtare të bërë nga Patriarku Ilia II, përshëndeti Hirësia e Tij Ignati, i cili tha ndër të tjera: “Fortlumturi, ju falënderojmë përzemërsisht për ftesën e bërë nga Shenjtëria Juaj për të bashkëcelebruar në Kishën simotër, të shkëlqyer e të lashtë të Gjeorgjisë, që është themeluar nga Apostulli i Shenjtë Andrea, i Parëthirruri që në shekullin e parë dhe e përforcuar më pas, në shekullin e katërt, nga shenjtorja Nina prej Kapadhokisë, e barabartë me apostujt.
|
|
Në këtë ditë të shënuar të 1400-vjetorit të Manastirit të Ivarit, që rrezaton për kaq e kaq shekuj dritën e pashuar të besimit ndaj Zotit Tonë, Jisu Krishtit, si një beden i lartë dhe si një fener shpirtëror i orthodhoksisë. Nga ky Manastir dolën njerëz të shkëlqyer të virtytit dhe arsimit, të cilët zhvilluan dhe kultivuan idealin murgëror e asketik në popullin tuaj shpresëtar, duke marrë fuqi nga Kryqi Jetëdhënës i Zotit, simbol i fitores… |
|
|
|
Ky vit përkon dhe me një ditë të shënuar për Fortlumturinë Tuaj, pasi me Hirin e Zotit mbushen 30 vjet nga Fronëzimi Juaj si bari i këtij populli të zgjedhur prej Perëndisë… Ky post nuk është vetëm “fron i paraardhësve”, por “vazhdim i veprës së tyre”, duke përdorur mençurinë që Ju karakterizon dhe zellin apostolik, frymën e sakrificës dhe vetëmohimit, duke u bërë, kështu, “kanon i besimit dhe i butësisë”, si një pasardhës dhe vazhdues i denjë i veprës së Apostujve. |
|
Duke shprehur urimet e Fortlumturisë së Tij Anastasit, të vëllezërve të shenjtë hierarkë, të klerit dhe popullit shpresëtar të Shqipërisë, i lutemi Zotit të Tërëfuqishëm t’Ju japë shëndet dhe vite të shumta për të vazhduar punën Tuaj frytdhënëse për thellimin e besimit të popullit gjeorgjian dhe për të ecur në hapat e besimit të kulluar orthodhoks, fryte të të cilit janë: |
|
|
|
lulëzimi i idealit murgëror, rimëkëmbja dhe stolisja e kishave të shenjta, arsimimi i të rinjve, kultivimi i prirjeve klerikale për të pasur në të ardhmen barinj të denjë, që do të vazhdojnë punën shpirtërore të Zotit Jisu Krisht për shkëlqimin e Kishës së Shenjtë dhe për lavdinë e Perëndisë Trinitare.” |
Të shtunën në mëngjes, më 13 tetor, popull i shumtë ishte mbledhur në kishën e shenjtë të manastirit të Ivarit, ku nën drejtimin e Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik Vartholomeu dhe Patrikut të Gjeorgjisë Ilia II, u krye një Dhoksologji, e cila shënoi fillimin e festimit të 1400-vjetorit të këtij manastiri, si dhe të 30-vjetorit të Fronëzimit si Patriark i Kishës Orthodhokse të Gjeorgjisë.
Po atë ditë u organizua edhe vizita në Muzeun e Arteve Kombëtare, ku mysafirët u njohën me historinë e lashtë të popullit gjeorgjian, si edhe me rrënjët e hershme të Krishterimit në Gjeorgji.
E paharruar do të mbetet pasditja e së shtunës, në Katedralen Orthodhokse të Trinisë së Shenjtë, në Tbilis. Mijëra e mijëra njerëz ishin mbledhur brenda dhe jashtë asaj, që mund të jetë një nga Katedralet më të mëdha të traditës orthodhokse të ndërtuara në kohët moderne. Koret e shumtë, të përbërë kryesisht nga djem të Akademisë Teologjike të Tbilisit, e bënë edhe më emocionuese atmosferën. Të binte në sy shpresëtaria e njerëzve dhe pjesëmarrja e të rinjve dhe fëmijëve në kishë dhe, sidomos respekti i tyre ndaj klerit. Besimtarët prisnin me orë të tëra për të marrë bekimin nga Patriarku ose nga hierarkët e tjerë të Kishës.
Më 14 tetor Liturgjia Hyjnore, e drejtuar nga dy patriarkët, ku bashkëmeshuan të gjithë priftërinjtë e kishave të tjera simotra, u zhvillua në Katedralen Svetiskoveli, sërish në praninë e mijëra besimtarëve. Përshtypje të madhe bëri pjesëmarrja dhe fjalimi i presidentit të Gjeorgjisë në shërbesë, si edhe prania e personaliteteve të tjera shtetërore, të cilët gjatë gjithë ceremonisë gjenin rastin për të lavdëruar Patrikun e Gjeorgjisë lidhur me veprën e Tij baritore në Kishë.
Më 15 tetor mbresëlënëse ishte vizita që Patriku Ekumenik dhe delegatët e kishave orthodhokse bënë në manastirin e shën Ninës, të ndërtuar mbi një kodër. Po në këtë, ditë të gjithë përfaqësuesit e kishave orthodhokse asistuan në dhënien e titullit “Çmimi i Nderit Akademik”, akorduar Patriarkut Ekumenik Vartholomeut nga Akademia e Shkencave të Gjeorgjisë.
U larguam nga Gjeorgjia me mirënjohjen më të thellë për mikpritjen, respektin dhe në veçanti për shpresëtarinë e Orthodhoksisë Gjeorgjiane.
Nga përfaqësuesit e K.O.A.Sh.
Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati dhe Jorgo Papadhopulli






