
Në përurim morën pjesë ministri i Shëndetësisë z. Maksim Cikuli, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta z. Kosta Barka, ambasadori i Greqisë z. Pandelis Karkabasis, zv/ ambasadori i Rusisë, diplomatë, personalitete të shkencës dhe mjekësisë, si dhe përfaqësuesi për Ballkanin i kompanisë amerikane General Electric, prodhim i të cilit është skaneri. Në fillim u krye shërbesa e Ajazmës dhe Përurimit.
Më pas, në fjalën përshëndetëse, drejtori shkencor Prof. Dr. Thoma Kristo falënderoi Kryepiskopin Anastas për iniciativën morale dhe materiale në sjelljen e këtij skaneri dhe në çeljen e kësaj qendre, për të ndihmuar të sëmurët që vijnë nga të gjitha zonat e Shqipërisë në Qendrën Diagnostike të Kishës Orthodhokse. “Pajisjet e shumta që janë sjellë – shtoi ai, vazhdojnë ta pasurojnë edhe më shumë qendrën me aparatura, laboratorë e mjete të tjera duke patur mundësinë për përcaktimin e një diagnoze të saktë, të shpejtë dhe bashkëkohore”.

“Dua të theksoj se për të arritur deri këtu kishte nevojë për këmbëngulje dhe përpjekje të madhe. Ky do të jetë një mjet shumë i rëndësishëm për Qendrën Diagnostike Orthodhokse që t’i shërbejë mbarë popullit, për të mësuar se si është shëndeti i njerëzve. Përdorimi i kësaj aparature duhet që të bëhet nga të gjithë duke vazhduar zinxhirin e dashurisë që e solli deri këtu. Shoqëria jonë është në një fazë të rritjes dhe çdo hap pozitiv që kryhet nga çdo lloj grupimi shoqëror është një dhuratë për mbarë shoqërinë e Shqipërisë. Ne urojmë që gjithsecili, kudo që të ndodhet, të rrezatojë këtë dashuri dhe shpresë” – tha Kryepiskopi Anastas duke falënderuar edhe donatorët që ndihmuan në realizimin e këtij projekti.
Në fund të aktivitetit, të ftuarit panë nga afër skanerin si dhe morën pjesë në kokteil.
Të dhëna për skanerin:

Meqenëse ky aparat realizon ekzaminimin me një shpejtësi të lartë, mund të përfundojë me një frymëmbajtje të vetme ekzaminimin e toraxit apo të abdomenit. Gjithashtu, për këtë arsye mund të përdoret një dozë e vetme kontrasti për të ekzaminuar dy pjesë të trupit njëkohësisht. Skanimi i zemrës mund të kryhet në 12-15 sekonda. Ky skaner arrin rezolucione të larta dhe mund të realizojë imazhe 3-dimensionale në një kohë të shkurtër dhe me cilësi. Ky aparat do të përdoret nga një personel me kualifikim të posaçëm jashtë vendit. Skaneri i blerë për Qendrën Diagnostike është prodhim i kompanisë amerikane General Electric, Light Speed Pro32.
Të dhëna për Qendrën Diagnostike:







