Me madhështi u kremtua edhe këtë vit Lindja e Zotit tonë Jisu Krisht në enoritë e Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës. Atmosfera e këtij viti, veç gëzimit të përhershëm që mbart ardhja e Zotit tonë Jisu Krisht në tokë, kishte edhe gëzimin e besimtarëve orthodhoksë për faktin që pas vendimeve të Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë edhe Mitropolia e Shenjtë e Gjirokastrës, ka tanimë bariun e saj shpirtëror.
Liturgjia Hyjnore e Krishtlindjeve, filloi herët në mëngjes në Kishën Katedrale të “Metamorfozës së Shpëtimtarit”, në një nga lagjet më tradicionale të qytetit, nën kryesimin e Hirësi Dhimitrit. Liturgjia grumbulloi dhjetëra besimtarë, që ishin përgatitur shpirtërisht për këtë ditë të mrekullueshme, me pendim e rrëfim, gëzim e dashuri dhe u kunguan kështu me misteret e shenjta, nga Mitropoliti i ri. Ishte shumë domethënës fakti që në këtë liturgji kremtuese, morën pjesë dhjetëra të rinj, kryesisht studentë që studiojnë larg vatrave familjare.
Edhe kori i vogël i fëmijëve të enorisë pati rastin të psalte dhe të tregojë përparimin e tyre nga viti në vit.
Në vazhdim, Mitropoliti priti popullin në ambientet e Mitropolisë së Shenjtë për të shkëmbyer urimet e rastit, por edhe për të shkëmbyer dhurata. Për fëmijët në veçanti ishte një gëzim i madh të marrin si shpërblim për këngët dhe vjershat e tyre të bukura bekimin dhe ëmbëlsirën nga dora e atit të tyre shpirtëror.
Për të shprehur urimet erdhën edhe personalitete të jetës publike të arsimit etj., nga qyteti dhe rrethinat.
Liturgji Hyjnore kremtuese u kryen gjithashtu edhe në qytetet e tjera të Mitropolisë, në veçanti në Përmet dhe Sarandë, me pjesëmarrjen e qindra e qindra besimtarëve. Edhe nëpër fshatra nën kujdesin e Mitropolitit u morën masa për të patur liturgji dhe shërbesa të tjera në mos ditën e Lindjes së Krishtit gjatë gjithë javës që i parapriu dhe asaj pasardhëse, për t’u dhënë mundësi besimtarëve të marrin pjesë në adhurim dhe të kungohen.
Në ditët në vazhdim, Hirësia e Tij Mitropoliti i Gjirokastrës vazhdoi vizitat baritore në qendra të rëndësishme të periferisë metropolitane nën përgjegjësinë e Tij. Të nesërmen në “Mbledhjen e Hyjlindëses Mari”, Mitropoliti me klerikë të tjerë të zonës kreu Liturgjinë Hyjnore në Kishën e “Ungjillëzimit të Hyjlindëses Mari”, në Delvinë. Dhjetëra besimtarë u mblodhën nga qyteza, por edhe fshatrat përreth për të marrë pjesë në misterin hyjnor, por edhe për të shkëmbyer urimet e rastit. Në ditën e kujtimit të “Protodhiakonit dhe dëshmorit të parë Stefan”. Hirësia e Tij, Mitropoliti i Gjirokastrës meshoi në Kishën e “Kryeengjëjve” në Poliçanin, zonë e Pogonit. Vijoi një bisedë e ngrohtë shpirtërore me përfaqësues që kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e zonës, por edhe diskutim për problemet e mëdha të tyre dhe për vazhdimin e kontributit të Kishës sonë për zgjidhjen e tyre.
Gjatë gjithë këtyre ditëve dhe në kudo ku u kryen liturgjitë u lexua Mesazhi i Krishtlindjes i Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Anastasit. Gjatë gjithë këtyre ditëve të para Lindjes së Krishtit në shumë qendra dhe enori të Mitropolisë sonë u organizuan me sukses të veçantë takime shpirtërore dhe biseda për përjetimin më të thellë të ngjarjes së mishërimit të Fjalës.