Kjo është dita më e shkëlqyer, e para ditë e javës!
Korça një qytet me tradita të shquara dhe të vjetra sa vetë ai. Përsëri edhe sivjet ky qytet priti me solemnitet të kremten e madhe të Ngjalljes së Shpëtimtarit, pas një periudhe kreshme dhe parapërgatitjeje intensive shpirtërore, por edhe përsa i përket atmosferës festive.
Duke filluar nga e Diela e Dafinës dhe në vazhdim, atmosfera preku çdo cep të qytetit. E gjithë Java e Madhe u shoqërua me shërbesat kishtare. Duke filluar me Shërbesën e Dhëndërrit, e cila u celebrua nga Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij Imzot Joani, i cili iu drejtua besimtarëve që të përpiqeshin të përjetonin realisht frymën e kësaj jave.
Ditën e mërkurë në mbrëmje u celebrua Misteri i Efqelisë, ku sipas një tradite që tashmë ka zënë vend në këtë qytet, celebrohet vetëm në Katedralen e vjetër të Burimit Jetëdhënës. Edhe ky Mister u celebrua nga Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij Imzot Joani, i cili foli për “Pax Ecclesiae”, paqen që Kisha vendos me të krishterët nëpërmjet këtij Misteri. Duke qenë se njeriu është një entitet psikosomatik, pjesëmarrja e tij në këtë Mister është prekja e gjithë qenies nga fuqia hyjnore e cila padukurisht prek gjithsecilin dhe në formë të dukshme kjo prekje realizohet nëpërmjet vajosjes. Fuqia e Shpirtit të Shenjtë, e cila vepron mistikërisht realizon paqen e brendshme tek njeriu dhe pajton pikërisht këtë entitet të ndarë nga mëkati, fashit gjymtimin e qenies njerëzore, gjymtim, i cili reflektohet në marrëdhëniet e gjithsecilit me të gjitha. Pikërisht rivendosja e pajtimit me Zotin është rivendosja e paqes së qenies me të gjithë dhe të gjitha, të cilën Kisha në formë të dukshme e realizon nëpërmjet vajosjes. Ky Mister bëhet nga Kisha në këtë ditë të Javës së Madhe për t’i dhënë mundësinë të gjithëve, që të përjetojnë sa më thellë ngjarjen e Ngjalljes së Zotit, pasi sa më i kthjellët dhe në paqe të jetë njeriu aq më i madh dhe i fuqishëm do të jetë përjetimi i tij. Në këtë ditë kishte një pjesëmarrje prej mijëra e mijëra njerëzish, të cilët në fund u vajosën me Vajin e Shenjtë. Në atmosferë të përvajtueshme vazhdoi më pas dita e enjte ku shërbesat kishtare u celebruan në të gjitha kishat e qytetit dhe ku qindra e qindra besimtarë iu falën Zotit Jisu të varur mbi Kryq.
Ndërsa dita e premte arriti kulmin në orët e mbasdites, ku pasi nëpër kisha ishte kryer shërbesa e Zbritjes së Zotit Jisu nga Kryqi. Kambanat filluan të bien vajtueshëm. Çdo pjesë e qytetit ngjasonte me një manifestim vaji, sepse sipas traditës njerëzit shkojnë dhe nderojnë Epitafet në të gjitha Kishat e qytetit. Ndërsa kambanat vazhduan vajin e tyre gjatë gjithë ditës, në orën 18:45 përpara Katedrales “Ngjallja e Krishtit” u bashkuan pesë Epitafet me kuvuklet e tyre të zbukuruar dhe mijëra e mijëra njerëz që tashmë ishin bërë pjesë e këtij procesioni. Një procesion madhështor, i cili fillon dhe mbyllet duke plotësuar një cikël në bulevardet qendrore të qytetit. Procesioni tashmë i kthyer në traditë shoqërohet edhe nga banda e qytetit, të cilët me madhështi luajnë muzikën e stancës së tretë të Vajtimeve të përmbivarrëshme. Në krye të procesionit, i cili paraprihej nga flamujt kishtarë, eksapterët dhe kryqet qëndronte, Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij Imzot Joani i shoqëruar nga të gjithë klerikët, dhe më pas vinin Epitafët dhe lumi i gjatë i njerëzve. Mallëngjyes është fakti që mijëra njerëz ndjekin këtë procesion duke psalur: “Gjithë gjeneratat i blatojnë këngë, varrimit tënd o Krishti im”. Çdonjëri tashmë ka mundësinë të jetë një Nikodhim ose një Josif nga Arimathea duke marrë pjesë në këtë ngjarje. Kulmi i festës arriti ditën e diel. Shërbesa Ngjallësore filloi në të gjitha Kishat në orën 23:00. Mijëra besimtarë kishin mbushur Kishat dhe sheshet përpara tyre duke pritur lajmin e triumfit, lajmin e ngjalljes. Thirrja: “Ejani dhe merrni dritë prej dritës që s’perëndon…”, ndezi një lumë të zjarrtë qirinjsh.
Një moment që kapërcen të zakonshmen. Tashmë këtu e disa vjet pjesë të këtij momenti nuk janë vetëm qytetarët e Korçës, por qindra e qindra persona të cilët vijnë nga të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë, por edhe nga jashtë saj si Greqia e Maqedonia, për të përjetuar këtë moment madhështor. Gjatë leximit të Mesazhit Paskal, Hirësia e Tij Imzot Joani theksoi “gëzimin që kjo festë iu jep të gjithëve, sepse është një fitore me të cilën gëzohemi dhe fitojmë të gjithë, sepse Zoti me Ngjalljen e Tij mundi armikun e përbashkët të të gjithë njerëzimit, mposhti vdekjen. Ky është dhe kryelajmi i festës, i cili dashur pa dashur na prek të gjithëve, se vdekja u abolit dhe se triumfi i Krishtit mbi vdekjen është triumfi i çdo njeriu mbi armikun e përbashkët, vdekjen”.
Ky kryelajm nuk vonoi. Akrepat e orës shënuan 00:00 dhe u dëgjua lajmi i Ngjalljes “Krishti u Ngjall” dhe një kor prej mijëra vetësh, të cilët pohonin “Vërtet u Ngjall”. Tingujt tashmë panagjirikë të kambanave sillnin mesazhe shprese, gëzimi dhe fitoreje. Më pas Liturgjia Hyjnore në Kishën Katedrale të “Ngjalljes së Krishtit” u kryesua nga Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij Imzot Joani, i cili i ftoi të gjithë besimtarët që të afroheshin dhe të “Merrnin Dritë prej Dritës që s’perëndon”, që të afroheshin të “Shijonin dhe të shihnin që Zoti është i Mirë”, që të afroheshin dhe të hanin pashkën se “Viçi është i shumë, dhe asnjë të mos dalë i uritur”, prandaj të gëzonin të gjithë se “Krishti u Ngjall së vdekurësh dhe me vdekje vdekjen e shkeli”. Duke e përjetuar realisht atë që psalim të gjithë thamë “Ditë e Ngjalljes sot na ndriti ngazëllohuni pra” “Kjo është dita më e shkëlqyer e para ditë e javës, mbretëresha dhe zonja…”. “Kështu këndon Kisha në Ditën e Pashkës, në Ditën e Ngjalljes së Zotit. Kjo ditë lajmëron se pushteti i errësirës, mëkatit dhe vdekjes u mund dhe vendin e tyre e zuri drita, gëzimi dhe jeta.
Kjo është dita më e shkëlqyer sepse në atë ne shpallim Ngjalljen e Zotit dhe ngjalljen e të gjithëve dhe të gjithave. Kjo përbën predikimin e Kishës, përmbushjen e çdo njeriu dhe garancinë e shpëtimit tonë.
Kjo është dita më e shkëlqyer, sepse Ngjallja e Zotit bëri të mundur mrekullinë e Kishës; u ktheu shenjtërimin njerëzve, shpresën të dëshpëruarve dhe jetën të vdekurve.
Dita e Pashkës është kjo ditë, sepse ajo jep shpresë, largon frikën, ndriçon shpirtin, shton gëzimin në jetën tonë dhe nuk na lejon që të mbytemi në detin e hidhërimit. Ajo na dëshmon se Zoti e mundi të keqen dhe Ngjallja e Tij na jep të gjithëve siguri, shpresë, gëzim dhe mbi të gjitha jetë; një jetë nga Jeta e Tij. Prandaj në këtë ditë të shenjtë do të doja t’i nxitja të gjithë që ta bëjmë realisht pjesë të jetës sonë kryelajmin e Ditës më të shkëlqyer se: Krishti u Ngjall! ” – tha Hirësia e Tij Imzot Joani.
Gjithashtu gjatë Liturgjisë Hyjnore Hirësia e Tij Imzot Joani u bëri thirrje të gjithëve, fëmijë dhe pleq, të rinj dhe të reja, burra dhe gra, që të përpiqeshin që të mbanin me gëzim të pashuar zjarrin e Pashkës, dhe të jetonin me gëzimin që buron nga Ngjallja e Zotit.
Gjithashtu gjatë Liturgjisë Hyjnore Hirësia e Tij Imzot Joani u bëri thirrje të gjithëve, fëmijë dhe pleq, të rinj dhe të reja, burra dhe gra, që të përpiqeshin që të mbanin me gëzim të pashuar zjarrin e Pashkës, dhe të jetonin me gëzimin që buron nga Ngjallja e Zotit.
Ditën e diel në orën 10:00 përsëri në Kishën e “Burimit Jetëdhënës”, e cila me plot gojë mund të cilësohet historia, krenaria dhe shpirti i qytetit, u celebrua Mbrëmësorja e Dashurisë. Më pas në përfundim të shërbesës Hirësia e Tij Imzot Joani dhe të gjithë klerikët të veshur me stoli të shndritshme dolën në ballkonin e Selisë së Mitropolisë së Shenjtë Korçë duke shpallur edhe njëherë Ngjalljen e Zotit dhe duke uruar besimtarët e shumtë që qëndronin në shesh. Ky është një ritual, i cili i përket traditës së qytetit dhe që quhet “Dhefteri Anastasi” “Ngjallja e dytë”. Më pas në orën 11:30 në Mitropolinë e Shenjtë, Korçë, filloi pritja e vizitave. Uruan personalitete të qytetit nga fusha të ndryshme, politikanë dhe përfaqësues të pushtetit dhe komuniteteve të tjera fetare si edhe qindra besimtarë korçarë.
Lajmi “Krishti u Ngjall” mbylli këtë ditë të Fitores së Madhe, duke çelur njëkohësisht periudhën e shenjtë të Pashkës.
Mihal Sonellari