Atmosfera e Krishtlindjes si kudo trokiti edhe në qytetin me tradita të shquara të Korçës. Tradita, jo vetëm kulturore, artdashëse dhe arsimdashëse, por edhe orthodhokse.
Përkrah zbukurimit të jashtëm të shesheve, rrugëve dhe ndërtesave, kjo festë pati edhe zhvillimet e saj shpirtërore dhe plot frymë, të organizuara këto nga Mitropolia e Shenjtë.
Festivali

I pranishëm ishte dhe Mitropoliti Imzot Joani, Myftiu i Korçës, Prefektja e Qarkut, si edhe mjaft personalitete të fushave të ndryshme.
Kolendrat

Edhe këtë vit në të gjitha rrugët e ngrira të Korçës fëmijë, të rritur edhe të moshuar të përfshirë nga kjo atmosferë këndonin këngë Krishtlindjesh dhe sillnin lajmin e Lindjes së Madhe në çdo portë dhe sokak. Çdo trokitje sillte Lajmin e Mirë, të kujtonte një legjion Engjëjsh që shpallnin: “Në qytetin e Davidit lindi Shpëtimtar”. Grupe të ndryshme të rriturish, fëmijësh dhe të rinjsh, priti dhe Hirësia e Tij Joani në selinë e Mitropolisë së Shenjtë Korçë.
Liturgjia Hyjnore

Si çdo vit shërbesat kishtare filluan më herët se zakonisht. Në orën 7.00 filloi shërbesa e Mëngjesores dhe kishat pritën besimtarët e parë, më pas vazhdoi Liturgjia Hyjnore e Krishtlindjes. Meshimi u zhvillua në të gjitha kishat e qytetit, të cilat pranuan qindra dhe mijëra besimtarë duke i bashkuar ata me ngjarjen e madhe të Lindjes së Zotit. Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” Liturgjia u drejtua nga Mitropoliti i Korçës Imzot Joani.
Pas mbarimit të Liturgjisë, në orën 11.00, filloi pritja tradicionale e Krishtlindjes në selinë e Mitropolisë së Shenjtë. Hirësinë e Tij, Joanin, e uruan me këtë rast pushtetarë qendrorë dhe lokalë, krerë të komuniteteve të tjera fetare, si edhe personalitete të ndryshme dhe besimtarë të shumtë.
Dreka e të varfërve
Në qytetin e Korçës prej shumë vitesh zhvillohet katër herë në javë drekë për të varfrit. Por, drekën e Pashkës dhe të Krishtlindjes e ha së bashku me ta edhe Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij Imzot Joani. Dreka e sivjetshme u organizua në Kompleksin Polifunksional “Shën Gjegji”.
Duke folur për mediat e pranishme Hirësia e Tij Imzot Joani tha se e gjithë shoqëria ka një lloj detyrimi të ndihmojë ata të cilët në një moment të historisë së tyre përballen me vështirësi. Por më e rëndësishmja është – shtoi ai – jo vetëm sasia, por dhe mënyra se si ti e ofron ndihmën të-nde. Ndaj dhe në jemi përpjekur jo vetëm t’i ndihmojmë këta njerëz por edhe t’u japim dinjitet atyre.
Ndarje dhuratash

Ndërsa më 29 dhjetor Imzot Joani ndau, për të dytin vit radhazi, dhurata edhe për fëmijët e policëve të rënë në detyrë. Është kjo një shprehje e dashurisë që Kisha Orthodhokse i përcjell komunitetit, por edhe një shenjë shprese për këta fëmijë që të mos ndjehen të braktisur. Në këtë ngjarje merrnin pjesë edhe pushtetarë lokalë.
Pritje-kokteil
Gjithashtu në frymën e Krishtlindjes në Kompleksin Polifunksional “Shën Gjergji” u zhvillua një pritje-kokteil. Ishin të ftuar qytetarë të ndryshëm, intelektualë dhe politikanë. I pranishëm ishte dhe Mitropoliti i Korçës Imzot Joani. Gjatë pritjes pati biseda të ndryshme miqësore si edhe urime të shumta. Në mbyllje të gjithë të pranishmit hodhën në një kuti të vendosur në ambientet e restorantit një kontribut financiar, i cili shkoi në ndihmë të mensës së të varfërve.
Mihal Sonellari








