Deklaratë

 
      Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë,
   Prof. Dr.Anastasi

                                       

    Edhe feja viktimë e luftës?
 
    E gjatë është lista e viktimave të luftës që shpërtheu në Irak:  Gra e fëmijë, luftëtarë të rënë ose që presin vdekjen, ekonomia ndërkombëtare, ligjshmëria ndërkombëtare, OKB, e vërteta e drejtësia  dhe shumë e shumë viktima të tjera, direkte apo indirekte.  Ndërmjet tyre rrezikon të gjendet edhe feja.  Udhëheqës të palëve ndërluftuese kanë përdorur tashmë terminologji fetare, duke iu referuar Perëndisë.  Natyrisht, në epokën e sotme, fetë vazhdojnë të kenë ndikim, por ato nuk përcaktojnë vendimet e udhëheqësve politike dhe të funksionarëve ekonomik.  Vendimet merren me kritere vlerësimesh dhe interesash të ndryshme.
 
    Sidoqoftë, ndërgjegja fetare thirret që të rezistoje, me qëllim që ndjenja fetare të mbetet në rolin e vet të Shenjtë:  paqtimin, mirëkuptimin, faljen, mbylljen e traumave.  Gjatë këtyre viteve të fundit, nëpër kongrese të njëpasnjëshme ndërfetare, përfaqësuesit e besimeve të ndryshme kanë rënë dakort që feja duhet të sjellë dhe të mbështesë paqen në botë: se dhuna dhe terrorrizmi – me prejardhje individuale, grupore ose shtetërore – janë në kundërshtim me frymën e vërtetë të fesë.  Ata kanë dënuar në veçanti dhunën dhe luftën që kryhen duke iu referuar vullnetit të Perëndisë.  Njëkohësisht, pjesëmarrësit ndërmorën detyrimin për t’u bashkuar me thirrjen e të gjithë atyre mbi të cilët ushtrohet dhunë dhe gjithashtu, të kontribuojnë me të gjitha forcat për sigurimin e lirisë dhe dinjitetit të çdo personi e çdo populli.
 
    Stuhia e luftës që shpërtheu nuk duhet të marrë me vete edhe shenjtërinë e fesë, duke infektuar zemrat e njerëzve me hidhërim edhe armiqësi ndaj fesë së tjetrit.  Shkatërrime më të këqija edhe se ato nga armët e shkatërrimit në masë, mund të shkaktojë nxitja e intolerancës fetare.  Radioakiviteti i urrejtjes, i pasuruar me “uraniumin ” e pasionit fetar, zgjat edhe pas mbarimit të konflikteve luftarake, për dhjetëvjeçarë, ndoshta për shekuj, siç ka ndodhur me kryqëzatat dhe “luftrat e shenjta” të së kaluarës.
  
     Të gjithë sa i besojnë “Perëndisë së dashurisë” (Rom. 15 : 33: Filip.  4:9; Hebr. 13:20 etj.), aq më shumë ata që janë të vendosur për t’i shërbyer Atij, nuk mund të mos përsërisin me ngulm përgjërimin “për paqen në mbarë botën” dhe të përpiqen me të gjitha forcat që të mbizotërojnë në tokë drejtësia dhe paqja.