Nderim për ata që derdhën djersën dhe talentin për një vepër që zbukuron kryeqytetin.

   Të hënën, 2 korrik, në mjediset e qendrës “Thavor”, Kryepiskopi Anastas shtroi një darkë për të nderuar dhe falënderuar të gjithë ata që punuan për ndërtimin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”.

    
    Ishin të ftuar të gjithë punonjësit qe kontribuuan ne këtë vepër madhështore, rreth 90 vetë, qe nga inxhinieret e arkitektët, teknikët e ndërtimit, të instalimeve, të punimeve në mermer a dru e deri te punëtoret e thjeshtë hekurkthyes apo muratorë.
    Kryepiskopi Anastas i falënderoi të gjithë ngrohtësisht për kontributin e madh që dhanë në ngritjen e një vepre kaq të madhe e të vështirë, por edhe madhështore, e cila i takon jo vetëm ortodoksëve, por gjithë vendit dhe e ka hijeshuar kryeqytetin.
    Edhe shumë nga ata që punuan për Katedralen morën fjalën për të falënderuar Kryepiskopin Anastas për mundësinë që iu dha për të punuar, por edhe për të kontribuuar në një vepër kaq të rëndësishme. Madje, për mjaft prej tyre kjo ishte një shkollë e vërtetë, ku mësuan teknika e teknologji bashkëkohore.
    Në fund të darkës u shfaq edhe filmi dokumentar kushtuar veprës Hierapostolike të Fortlumturisë së Tij, Anastasit, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në Afrikë, në lëvizjen ekumenike etj. Pastaj Kryepiskopi i dhuroi secilit broshurën me ilustrime nga katedralja e re dhe  librin me mesazhet e Pashkës “Tani të gjitha u mbushën me dritë”.