Filloi viti i ri akademik 2009-2010 në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”. Bashkë më studentët, pedagogët dhe stafin e shkollës, ditën e parë mori pjesë edhe Kryepiskopi Anastas për të kryer shërbesën e Ajazmës. Ai bekoi nisjen e vitit të ri akademik në këtë institucion themelor të Kishës sonë, duke motivuar studentët për përparim intelektual dhe në veçanti shpirtëror.
    “Akademia Teologjike është një hir i madh që na është dhuruar ne dhe në mënyrë të veçantë studentëve, ndaj ka rëndësi që ta vendosim në përdorim këtë hir dhe duhet të bëhemi të denjë që ta lëmë të veprojë brenda zemrave tona. Ju studentë keni mundësinë të përkushtoheni në studimet tuaja dhe të mësoni në mënyrën e saktë teologjinë orthodhokse që është një oqean shumë i madh. Kushtojini rëndësi jetës së përbashkët në Akademi, sepse nuk duhet të mësoni vetëm disa të vërteta të intelektit, por të kultivoni marrëdhënien vëllazërore. Me mirësjellje, me dashuri, pa hipokrizi, me fjalën e së vërtetës, me dëlirësi dhe me Shpirtin e Shenjt… kjo është përparësia e Akademisë Teologjike. Perëndia nuk është një mësues i pacaktuar. Fryma e korrektësisë, e të nxënit dhe sakrificës t’ju shoqërojë gjatë këtij viti për tu afruar me Perëndinë”- tha Kryepiskopi në urimin e tij.
   Studentët vijnë nga lokalitete të ndryshme të vendit dhe ndjekin ciklin 4-vjeçar të studimeve. Mirsen Rusha nga Fieri është një ndër studentët e vitit të parë dhe kur e pyetëm se çfarë e motivoi ardhjen e tij në Akademi, ai u përgjigj: “Kam ardhur të bëhem njeri i Zotit dhe të ndjek rrugën e Tij. Pres të mësoj shumë rreth besimit dhe mistereve të Kishës”. Ndërsa Kristi Xhaferri ka vitin e fundit të studimeve dhe jo vetëm i uron suksese kolegëve të tij të vitit të parë, por edhe i motivon ata: “Në Akademi keni për të njohur dhe jetuar Perëndinë, si në asnjë vend tjetër”.
    Përgjatë vitit, studentët do të jenë pjesëmarrës dhe organizatorë të shumë aktiviteteve brenda dhe jashtë Akademisë. Nga kjo shkollë kanë dalë disa breza klerikësh dhe kuadrosh kishtarë, të cilët kanë role të rëndësishme në shumë institucione kishtare, duke dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e Kishës sonë.
 
 
 
 
Isidor Koti