Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes,
firmën për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë e vuri Kryepiskopi Anastas
     
    Qeveria shqiptare ka firmosur një marrëveshje historike me komunitetet fetare tradicionale në vend me Komunitetin Musliman, Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Komunitetin Musliman Bektashi. Kujtojmë se marrëveshja mes Qeverisë Shqiptare dhe Kishës Romano Katolike është firmosur më parë, në vitin 2002.
 
    Në bazë të kësaj marrëveshjeje, shteti respekton pavarësinë e komuniteteve fetare për t’u organizuar dhe për të ushtruar veprimtarinë e tyre, si dhe për të administruar pasurinë që zotëron në bazë të parimeve, rregullave, traditave dhe statutit të tyre. Qeveria angazhohet t’i përjashtojë ato nga taksat, ndërsa merr përsipër të përshpejtojë punën për rikthimin dhe kompensimin e pronave për këto komunitete.
 
    Për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, në datë 24 Tetor, në hotel “Tirana Internacional” në Kryeqytet, u zhvillua një ceremoni e posaçme nga Ministria e Kulturës, me pjesëmarrjen e Kryeministrit z. Sali Berisha, Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastasit, Kryetarit të Komunitetit Musliman, z. Haxhi Selim Muça, Kryegjyshit të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita. Në ceremoni ishin të ftuar edhe personalitete të tjera të politikës, të kulturës, të komuniteteve fetare, të përfaqësive diplomatike në vend si dhe përfaqësues të medias.
 
  Nga komuniteti i krishterë orthodhoks merrnin pjesë bashkë me KryepiskopinAnastas edhe Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati, Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri, Episkopi i Apollonisë, Hirësi Nikolla, Episkopi i Krujës, Hirësi Andoni, klerikë dhe besimtarë.
                                                                                                       
                                                       
     
*    *    *
    Fortlumturia e tij,Imzot Anastasi, në fjalën e tij tha: “Kushtetuta e vitit 1998 e Republikës së Shqipërisë është një nga më të mirat e Ballkanit, veçanërisht për sa i takon lirisë fetare. Në nenin 10 të saj, parashikohet një marrëveshje zyrtare midis Qeverisë dhe Komuniteteve Fetare Tradicionale, meqenëse ato përbëjnë thesarin kulturor dhe shpirtëror të vendit. Megjithëse shteti është laik, ai e njeh faktin se komunitetet fetare kanë një rol të rëndësishëm në shoqëri dhe japin kontributin e tyre, jo vetëm në bashkekzistencën paqësore fetare, por edhe në një atmosferë të përgjithshme tolerance, mirëkuptimi, drejtësie dhe paqeje. Prandaj ne përshëndesim me kënaqësi dhe gëzim nënshkrimin historik të sotëm të Marrëveshjes mbi “Rregullimin e lidhjeve të ndërsjella” midis Qeverisë Shqiptare dhe Komuniteteve Fetare Tradicionale dhe do të donim të shprehnim në emër të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, mirënjohjen tonë për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë ngjarje të shënuar. Para së gjithash, për Shkëlqesinë e Tij, Kryeministrin prof. Sali Berisha, për Kryetarin e Komitetit Shtetëror të Feve, av. Rasim Hasanaj dhe për të gjithë ata që kanë punuar për finalizimin e kësaj marrëveshjeje. Pas kësaj ngjarjeje historike të shënuar, komunitetet fetare, duke punuar në harmoni njëra me tjetrën, do të kenë më tepër mundësi për aktivitetet dhe iniciativat e tyre, me qëllim lartësimin e njerëzve nga ana shpirtërore, në mënyrë të veçantë të të rinjve, për të bërë një jetë ndershmërie, krijimtarie dhe solidariteti. Duke u shprehur në gjuhën e fesë, për një jetë besimi te Perëndia, dashurie për të afërmin dhe shprese për të ardhmen, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut vendimtar për zhvillimin e Shqipërisë, për progresin e përgjithshëm shpirtëror dhe kulturor të shoqërisë shqiptare”.
 
    Kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, z. Haxhi Selim Muça tha: “Ky është një eveniment i rëndësishëm dhe i shumëpritur në fushën e zhvillimit fetar në vendin tonë. Kjo marrëveshje është hartuar mbi bazën e parimeve kushtetuese që garantojnë lirinë e shfaqjes dhe të ushtrimit të fesë dhe të bindjeve fetare. Ajo rregullon çështje të njohjes si dhe marrëdhënieve të bashkëpunimit midis shtetit dhe komuniteteve fetare në të mirë të shoqërisë shqiptare…
 
    Ndërsa Kryegjyshi botëror i bektashinjve Haxhi Dede Reshat Bardhi, në fjalën e tij tha: “Jam i lumtur, sepse 41 vjet më parë kur shteti i diktaturës së urryer u vërsul me kazma, lopata për të prishur teqetë, xhamitë, kishat, është e vështirë të sjellin ndër mend një ditë të tillë historike. Emocionet vijnë vetvetiu kur sheh mirëkuptimin, kujdesin dhe ndihmën e pakursyer të shtetit për besimtarët e vet. Kjo marrëveshje është një akt historik dhe veç të tjerave do të ruajë të kulluar besimin sipas devizës “pa atdhe, nuk ka fe…”.
 
    Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita theksoi në fjalën përshëndetëse: “Uroj që kjo marrëveshje të mos jetë një akt simbolik, por një shprehje e qartë e vullnetit të përbashkët të komuniteteve fetare dhe shtetit shqiptar, jo vetëm për çështjet e natyrës ekonomike e tatimore, por për gjithçka çfarë është e nevojshme për ecurinë normale të veprimtarisë së tyre. Uroj që shembulli i vullnetit të mirë për të gjetur pikëtakimin dhe mirëkuptimin nga ana e komuniteteve fetare dhe qeverisë shqiptare të gjejë shtrirje edhe në sferat e tjera shoqërore në vendin tonë”.

                                                                                                         

*    *    *
    Marrëveshja parashikon hartimin e një ligji specifik për financimin e bashkësive fetare nga shteti, duke u bazuar në përvojën evropiane për mbështetjen eveprimtarive të bashkësive fetare.
    Kryetari i Komitetit të Kulteve, z. Rasim Hasanaj theksoi se në projektligjin për fenë që do të përgatitet do të gjejnë pasqyrim edhe problemet që do të kenë komunitetet dhe grupet e tjera fetare. “Kjo marrëveshje iu rikthen statusin komuniteteve fetare që e kishin humbur në vitin 1967. Në këtë marrëveshje parashikohet një ligj specifik për ndihmën financiare nga shteti ndaj komuniteteve fetare, duke u bazuar në standardet evropiane. Objektet e kultit të besimeve të ndryshme do të bëhen të vizitueshme në kuadrin e një strategjie të zhvillimit të turizmit fetar. Do doja të falënderoja klerikët, të cilët ruajnë traditat fetare të vendit dhe harmoninë mes tyre, e njohur tashmë edhe në botë” – nënvizoi z. Hasanaj.
 
    Ndërkohë që kreu i qeverisë z. Sali Berisha, e vlerësoi marrëveshjen një dokument historik dhe u zotua për zbatimin e saj dhe për hartimin e një ligji për financimin e tyre. “Marrëveshja që ne sot firmosim me autoritetet më të larta fetare të vendit shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shtetit shqiptar dhe besimeve fetare në Shqipëri. Ndaj marrëveshja është një dokument historik dhe dua t`ju garantoj ju udhëheqësve më të lartë të besimeve të mëdha të kombit se do të bëj çdo përpjekje për zbatimin e saj, për jetësimin e saj në interesin më të mirë të vendit dhe kombit”, – tha kryeministri z. Berisha.
    Gjithashtu ai u kërkoi ndjesë publike të gjitha përfaqësive të komuniteteve fetare në vend dhe të gjithë besimtarëve, që për dekada me radhë u privuan nga e drejta e besimit. “Nuk mund të mos theksoj se kjo marrëveshje në vetvete mbart detyrimin madhor të këtij shteti për t’u paraqitur një ndjesë të thellë, një falje të gjithë atyre klerikëve shqiptarë, besimtarëve shqiptarë që për besimin tek Zoti, tek e vërteta u flijuan, u sakrifikuan, por qëndruan të pamposhtur, pasuruan altarin e martirëve të këtij kombi, me vlera që ndrisin dhe do ndrisin përjetë” – theksoi Berisha.
    Përfaqësuesit e komuniteteve fetare shprehën falënderimet e tyre ndaj qeverisë për ndihmën që u ka dhënë atyre gjatë gjithë kësaj kohe.
 
Isidor Koti