Në vigjilje të Javës së Madhe, Kisha jonë kremtoi Ngjalljen e Shën Llazarit edhe Hyrjen e Krishtit në Jerusalem. Ditën e kremtimit të Ngjalljes së Shën Llazarit, në Kishën e “Ungjillëzimit” në Tiranë, Kryepiskopi Anastas dorëzoi në gradën priftërore të dhjakonit, Spiro Topanxhën, i diplomuar në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash, që punon prej mjaft vitesh si katekist në Tiranë.
Ndërsa e diela e Palmave (Dafinave) në Tiranë u kremtua në katedralen “Ngjallja e Krishtit” dhe në tre kisha të tjera të kryeqytetit. Në katedrale Liturgjia hyjnore u kryesua nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë + Anastasi. Në këtë ditë ku të krishterët kremtojnë Hyrjen triumfale të Krishtit ne Jerusalem, Kisha zbukurohet me degë palmash dhe dafinash dhe u jepen besimtarëve degë dafinash si shenjë lavdërimi dhe simbol fitoreje të Krishtit. Kjo festë e madhe u kremtua kudo në të katër dioqezat e vendit.