Pas vendimit të marrë me votim unanim të Këshillit të Bashkisë Selenicë, me propozim të më shumë se 200 qytetarëve, Hirësia e Tij, Ignati, Mitropolit i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe i gjithë Myzeqesë është shpallur “Qytetar Nderi” i Selenicës. Dorëzimi i titullit u bë në kishën e Shën Athanasit – Selenicë, ditën e enjte më datë 24 Shkurt 2011 në orën 10.00. Në hyrjen e kishës të mbushur me qytetarë dhe besimtarë, Mitropoliti u prit nga kleriku i kishës Atë Spiro Bulika, Kryetari i Bashkisë së Selenicës z. Ilia Seferi, Kryetari i Komunës Armen z. Kliton Haxhiraj dhe nga Kryetari i Këshillit të Bashkisë z. Ilia Bombaj.
 
    Pas Dhoksologjisë së kryer me këtë rast është ekzekutuar Hymni Kombëtar dhe më pas e ka marrë fjalën Atë Spiro Bulika që ju ka uruar mirëseardhjen të pranishmëve. Kryetari i Këshillit të Bashkisë ka lexuar vendimin e Këshillit për të shpallur Qytetar Nderi Mitropolitin e Beratit dhe në përfundim ai ka ftuar Kryetarin e Bashkisë që në emër të Këshillit, por edhe të gjithë qytetarëve të Selenicës t’i dorezonte titullin Hirësisë. Kryetari i Bashkisë, pasi i dorëzoi titullin iu drejtua Mitropolitit duke thënë se: – “Jo vetëm unë, por edhe të gjithë qytetarët e Selenicës, ndjehemi të lumtur që ju tani jeni një nga ne. Jeni jo thjesht qytetar i Selenicës por më tepër, jeni qytetar nderi i këtij qyteti”.Më pas është lexuar nga Atë Kristaq Subashi një përmbledhje e veprimtarive të Mitropolitit, duke theksuar kontributin që ai ka dhënë dhe jep për forcimin e bashkëjetesës midis komuniteteve fetare.Të pranishmit i përshëndeti edhe Mitropoliti, duke ju shprehur falenderimet më të përzemërta për nderin që po i bëhej.
 
    Fjala e Imzot Ignatit
 
    I nderuar z. Ilia, Kryetar i Bashkisë.
 
    I nderuar z. Ilia, Kryetar i Këshillit Bashkiak të Selenicës.
 
    Shumë të respektuar klerikë dhe laikë të pranishëm në këtë ceremoni solemne. Jam shumë i prekur nga dëshira Juaj e pakushtëzuar dhe e sinqertë për nderin e lartë që po më bëni, duke më akorduar titullin “Qytetar Nderi” i Selenicës, i këtij qyteti me vlera të shumanshme. Me këtë rast, shpreh konsideratat e mia të çiltërta për virtytet e pamohueshme të të gjithë qytetarëve të këtij komuniteti. Disa herë e kam vizituar këtë zonë dhe qysh në fillim kam konstatuar me kënaqësi të veçantë gatishmërinë Tuaj për të qenë sa më afër Kishës dhe problemeve të ndryshme të saj. Kam ndier vazhdimisht përkrahjen e sinqertë të famulltarit të kësaj kishe, atit Spiro Bulika, i cili bën përpjekje të gjithanshme për të kryer misionin e tij shpirtëror, pa iu shmangur për asnjë çast vështirësive të ndryshme, por me vullnet, me përkushtim dhe me sakrifica ka zbatuar dhe zbaton me përpikmëri detyrat e ngarkuara nga Mitropolia dhe Këshilli Kishtar. Është sjellja e tij e hirshme, që ka ndikuar dhe ndikon në bashkëpunimin dhe mirëkuptimin me të gjithë banorët e kësaj treve për të kontribuar pozitivisht në mbarëvajtjen dhe në zgjidhjen sa më mirë të çështjeve të ndryshme fetare, shoqërore dhe kulturore që i përkasin kësaj bashkësie qytetare. Kam vënë re me kënaqësi se qytetarët tuaj të respektuar shprehin vullnetin e lirshëm për të bashkëpunuar në nismat konkrete për përmirësimin dhe zhvillimin e pandërprerë të jetës suaj kishtare, qytetare, arsimore dhe kulturore. Të gjitha këto na japin forca edhe më të mëdha dhe na nxisin edhe më tej për të mbështetur fuqimisht njëri-tjetrin gjatë rrugëtimit tonë të përbashkët.Ju siguroj se tek ne do të gjeni gjithmonë përkrahjen pa rezerva, ashtu siç edhe ne gjejmë te Ju mbështetjen pa interesa, për të mirën tonë të përbashkët. E quaj mëse të arsyeshme t’Ju shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për këtë vlerësim të veçantë që po i bëni presonit tim dhe, në të njëjtën kohë, t’Ju premtoj solemnisht se do të punoj me hirin e Perëndisë për t’i forcuar edhe më tej lidhjet tona të ndërsjellta.
 
    Ju falënderoj edhe një herë me gjithë zemër!
 
 
Përgatiti: Ilia Bulika