Ministria e Arsimit, në përputhje me vendimin nr.338 të Agjensisë së Akreditimit, më datë 4 Korrik 2012 me urdhrin nr.282 vendosi akreditimin institucional të Universitetit “LOGOS” , si edhe Akreditimin e të gjitha programeve të studimit që ofron ky institucion. Ky vendim shënon kurorëzimin e një pune disa vjeçare të organeve drejtuese dhe stafit akademik te Universitetit “LOGOS” në drejtim të përmbushjes së standarteve bashkëkohore të arsimit të lartë, krijimin e një stafi pedagogjik te kualifikuar , rritjes së cilësisë së mësimdhënies , modernizimit të auditorëve dhe paisjeve laboratorike etj. Vendimi i akreditimit është një tregues më shumë për studentët ekzistues, por edhe për ata që do të zgjedhin për të studiuar në Universitetin “LOGOS” , se këtu do të gjejnë një institucion serioz dhe të përkushtuar në përgatitjen e tyre drejt së ardhmes.

    Universiteti LOGOS u krijua si vazhdimësi e suksesshme e përvojës dhe veprimtarisë mbi 10-vjeçare të Institutit të formimit profesional “Frymë Dashurie”.Me iniciativën dhe nën kujdesin e madh për arsimimin të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Prof. Dr Anastasit, Instituti i Formimit Profesional “Frymë Dashurie” hapi dyert e tij në Tetor 2000 , duke qënë ndër të parët institucione të arsimit të lartë profesional në Shqipëri.  Programet 2-vjeçare u morën nga shkolla të suksesshme profesionale, të cilat janë të njohura në të gjithë Evropën. Në procesin mësimor peshë të madhe zë praktika mësimore gjë për të cilën u ngritën edhe laboratorët përkatës në të gjitha degët. Duke u nisur nga kërkesat e shumta pranimet në Institut janë bërë me konkurs mbi bazën e njohurive të marra në shkollën e mesme.