1. Ditët e fundit, në disa shkrime të botuara nga qytetari Nikolla Marku nga Elbasani, janë hedhur fyerje dhe shpifje të ulëta ndaj figurës së Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasit. Nuk është hera e parë që ai flet në këtë mënyrë, ofendimet e shumta të tij i kemi dëgjuar edhe më parë. Siç duket, shkaku kryesor që ai rifilloi të shkruajë, ose e nxitën dhe e porositën për këtë, ishte propozimi që Kryepiskopit Anastas t’i jepej titulli “Qytetar Nderi i Tiranës”, i cili do t’u akordohet të katër udhëheqësve të Komuniteteve Fetare të Shqipërisë për kontributin e tyre në ruajtjen e harmonisë fetare. Ndaj Marku, që është mësuar vetëm të shpifë, shqetësohet kur sheh vlerësimin e drejtë dhe të merituar që i bëjnë Kryepiskopit tonë jo vetëm anëtarët e Këshillit Bashkiak, por edhe nga parti politike dhe personalitete të shquara të shoqërisë shqiptare.
Këtu mund të përmendim konsideratat e shprehura nga Partia Demokratike, Partia Socialiste, PBDNJ, PDR etj. Kështu, në deklaratën e z. Aleksandër Biberaj, zëdhënës i Partisë Demokratike për Tiranën thuhej se “Partia Demokratike ka vlerësuar dhe vlerëson lart kontributin jashtëzakonisht të çmueshëm të Hirësisë së Tij Janullatos…”, apo në deklarimin e nënkryetarit PDR, z. Tritan Shehu, theksohej se Kryepiskopi Anastas “është një nga figurat më të shquara që drejton Kishën Ortodokse Autoqefale dhe është një figurë me vlera të jashtëzakonshme”. Gjithashtu, Kryetari i Komitetit të Kulteve, z. Ilir Kulla, në prononcimin e tij tha se “Kryepiskopi ka një rol të pazëvendësueshëm në ringritjen shpirtërore dhe fizike të Kishës Autoqefale të Shqipërisë”. Ky qëndrim u mbajt edhe nga një pjesë e mirë e shtypit, ku p.sh. gazetën Albania të datës 24 korrik vlerësohet roli i Kryepiskopit Anastas si një “njeri që ka mbjellë paqe dhe besim…, që ka bërë një punë shumë të mirë, që është vlerësuar nga kancelaritë më të larta politike të botës” etj.
2. Jemi të detyruar t’i bëjmë të ditur opinionit publik se z. Nikolla Marku në mënyrë sistematike kërkon ta mashtrojë atë. Për vite me radhë z. Marku mban një maskë dhe shan, duke përdorur titullin “Atë” dhe titullin “Kryetar i Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare”, por që të dy këta titujt janë të gënjeshtërt. ASNJË KISHË ORTHODHOKSE NË BOTË, AS AJO KATOLIKE, NUK E NJEH ATË SI PRIFT. Madje as komunitetet zyrtare fetare dhe as shteti zyrtar. Kisha, “kryetar” i së cilës ai paraqitet, nuk ekziston veçse në fantazinë e tij. Shteti zyrtar Shqiptar njeh katër komunitete tradicionale fetare dhe udhëheqësit e tyre. Një nga këto është Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, në të cilën bëjnë pjesë të gjitha enoritë e Shqipërisë. Nëse do të supozonim se do të shfaqej dikush si “kryetar” i një partie joekzistente me emrin “Partia Kombëtare Demokratike” do t’i kushtonte njeri vëmendje? Ose dikush që do të deklaronte veten e tij “ambasador” të një vendi të caktuar pa patur asnjë dokument përkatës dhe të mos t’i njihej nga ndonjë trup diplomatik apo nga Ministria e Jashtme, do t’i kushtonte njeri vëmendje dhe a do ti vinin në dispozicion faqe gazetash dhe ekrane televizori?
Një mashtrim të tillë, prej shumë kohësh, bën Nikolla Marku, duke sharë me një mani të sëmurë dhe me historira të fantazuara Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe kryesinë e saj, e cila është e njohur nga shteti shqiptar dhe nga të gjitha kishat e botës. Madje në dy botimet e fundit të tij në Gazetën “Sot”, ai quan një Kishë Orthodhokse, në të cilën bën pjesë një popullsi prej 10 milionë besimtarësh, “Kisha e Satanait” dhe Shën Kozmain e Kolkondasit “agjent” dhe “shkatërrues i kombit shqiptar”, kur dihet që ai është dhe ngelet një nga shenjtorët më të dashur e të nderuar në zonën e Myzeqesë dhe gjithë Shqipërinë. Kështu pra, shumë lehtë mund të kuptojë çdokush se çfarëdo që pretendon dhe çfarëdo që, për një kohë të gjatë thotë dhe shkruan një “prift” i tillë i rremë, i një “Kishe” të rremë, është gjithashtu edhe vetë i rremë, produkt i një fantazie të sëmurë.
3. Ndërsa për figurën, rolin dhe punën e jashtëzakonshme të Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë gjithkush mund të flasë me lehtësi dhe me krenari. Në të vërtetë, ai nuk ka nevojë për mbrojtës, pasi personaliteti dhe vepra e tij janë ato që e bëjnë të besueshëm dhe të respektueshëm jo vetëm brenda vendit tonë, por në të gjithë botën. Prof. Dr. Anastasi është ngjitur në shkallën e episkopit që në vitin 1972 me një eksperiencë dhe kontribut të jashtëzakonshëm në shërbesën e tij. Prej 20 vjetësh ka punuar si profesor në një nga universitetet kryesore të Greqisë, ku për disa vite ka qenë në detyrën e Dekanit të Fakultetit. Për një kohë të gjatë ai ka qenë pjesëmarrës dhe folës kryesor në organizmat evropianë e botërorë të Këshillave të Kishave të këtyre vendeve dhe sot mban postin e nënkryetarit të Këshillit Evropian të Kishave. Ai është dekoruar me urdhra të ndryshëm nga universitete të shumta dhe nga institucione e fondacione të vendeve të ndryshme, perëndimore e lindore, e bëjnë Kryepiskopin e Shqipërisë Prof. Dr. Anastasin një nga figurat më të njohura dhe më të respektuara në të gjithë botën Orthodhokse, por edhe më gjerë. Është një fat dhe nder për Kishën dhe për vendin tonë që t’i përfaqësojë, në botën e jashtme një personalitet i këtyre përmasave, duke ua rritur akoma dhe më shumë prestigjin.
Nuk duam të ndalemi gjatë në arritjet dhe përparimet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë gjatë periudhës që në krye të saj ishte pikërisht Kryepiskopi Anastas, pasi për shumë njerëz ato janë jo vetëm të njohura, por dhe të prekshme. Veprimtaria e Kishës është shtrirë si në rindërtimin dhe konsolidimin e strukturave të brendshme të saj, si asaj shpirtërore ashtu dhe asaj materiale, por edhe në veprimtarinë dhe kontributin e saj në rrafshin shoqëror. U ndërtuan mbi 320 ndërtime të reja si kisha, kopshte, shkolla, qendra shëndetësore etj. në të gjithë vendin, u ngritën strukturat për përgatitjen dhe dorëzimin e klerit të ri shqiptar, ku sot numërohen rreth 130 të tillë, u ngritën organizmat e grave dhe të të rinjve në të gjithë vendin. Kontribut të madh u dha në ngritjen e qendrave të kujdesit mjekësor në shumë qytete e zona të Shqipërisë, u ngritën shkolla për edukimin profesional të të rinjve, kopshte me programe bashkëkohore, ndihmë sociale dhe asistencë materiale për njerëzit në nevojë dhe për zona të prapambetura etj, etj.
Me plotë gojën sot Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë po jeton një nga periudhat më të begata dhe më të frytshmet të periudhës që ne mbajmë mend, siç tha në fjalën e tij dhe Imzot Joan Pelushi, Mitropoliti i Korçës, gjatë 13-vjetorit të fronëzimit të Kryepiskopit Anastas.
4. Ne jemi të vetëdijshëm se këto që po themi nuk janë të panjohura nga Nikolla Marku apo nga ata që shkruajnë pas tij. Gjithashtu, e dimë se njerëz që mbështeten vetëm në shpifje e sharje, duke shmangur e shtrembëruar realitetin nuk do të pushojnë se foluri e së shkruari gjersa liria e shtypit jua garanton atë, por do të donim që edhe një herë të sqarojmë opinionin publik mbarëshqiptar, brenda dhe jashtë vendit, për motivet e vërteta dhe njerëzit që fshihen pas këtyre sulmeve të njëpasnjëshme e të koordinuara ndaj Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Duke sulmuar e sharë Kryepiskopin Anastas këta njerëz sulmojnë e ofendojnë mbarë Komunitetin Orthodoks të Shqipërisë, që respekton e vlerëson punën dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Kryepiskopit të saj. Edhe njëherë shprehim keqardhjen tonë për mënyrën me të cilën njerëz të tillë kërkojnë të manipulojnë me paramendim opinionin shqiptar, duke mbjellë përherë farën e dyshimit e të urrejtjes. Prandaj përfitojmë nga rasti duke i bërë thirrje të gjithë lexuesve që të tregohen të kujdesshëm dhe realistë në vlerësimin e tyre, të zgjuar për të dalluar demagogjinë nga e vërteta.
At Jani Trebicka, Korçë
At Stavri Çipi, Elbasan
At Vasil Thomollari, Përmet
At Petraq Simsia, Berat
At Andon Merdani, Tiranë