Që në vitet e para Kryepiskopi Anastas, krahas arsimimit teologjik u kujdes edhe për ringjallërimin e muzikës bizantine. Duke theksuar rolin e psaltëve si të hirshëm dhe për më tepër duke i cilësuar ashtu siç referojnë kanonet e kishës, si klerikë që shërbejnë jashtë hierores, u kujdes që kualifikimi i tyre të kryhej në mënyrë profesionale dhe me kushte bashkëkohore. Ai u kujdes për ngritjen në vitin 2012 të Shkollës së Muzikës Bizantine, në Tiranë, në Qëndrën shpirtërore “Thavor”. Deri më sot më shumë se 50 studentë kanë përfunduar kursin e përditshëm 2-vjeçar.
Në 8 nëntor 2019, në fund të Liturgjisë Hyjnore kryepiskopi Anastas iu dorëzoi diplomat 6 psaltëve të rinj nga zona të ndryshme të Shqipërisë, që mbaruan shkollën. Fortlumturia e Tij foli për rëndësinë e psaltëve në Kishë dhe falëndëroi drejtorin e shkollës, kryepsaltin Theodhor Peci, për gjithë punën e bërë.